Në Shqipëri, ambasadori amerikan Donald Lu tha mbrëmë se lufta kundër kultivimit të marijuanës nuk mund të quhet e papërfunduar pa kapur kokat që e organizuan. Ambasadori Lu i cili javën e ardhshme largohet nga vendi në mbyllje të mandatit të tij, i bëri këto komente në intervistën e fundit dhënë për emisionin “Real Story”, në televizionin Vizion Plus. Autoritetet shqiptare deklarojnë se fenomeni i kultivimit është zhdukur. Por sipas ambasadorit amerikan “pa u kapur organizatorët fushat me kanabis do të kthehen, kokaina dhe heroina vetëm do të shtohet në këtë vend. Unë mund të them se disa prej tyre janë kriminelë të zakonshëm, disa prej tyre janë kriminelë të mbrojtur nga politika. Dhe kjo është një çështje serioze në vendin tuaj”.
Duke folur për aktivitetin e grupeve kriminale në Shqipëri, ambasadori Lu u shpreh se “lufta kundër krimit të organiuar është e stërmadhe dhe do të kërkojë sakrifica reale nga qeveria”, ndërsa solli sërish si shembull faktin që “dy vjet e gjysmë pasi qeveria greke nxori urdhër-arrestin, ende nuk e kemi kapur Klement Balilin. Jam i skandalizuar që Lul Berisha lirohet herët nga burgu dhe që mund të ecë i lirë nëpër rrugët e Durrësit. Dhe jam i skandalizuar që këtë javë që keni gjyqin e Shullazit, ku Shullazi vetë ka kërcënuar gjykatës dhe prokurorë, aq sa prokurorët as nuk shkojnë në gjyq. Si ka mundësi që ky vend të ecë përpara kur ndodhin këto gjëra? E di që Fatmir Xhafaj dhe Arta Marku dhe Ardi Veliu do të gjykohen mbi faktin nëse do të jenë të aftë t’i vënë këta kriminelë pas hekurave”, deklaroi ambasadori amerikan. Ai megjithatë u shpreh se “është me rëndësi për popullin shqiptar që të dijë se qeveria e tyre, policia e tyre, prokuroria e tyre janë vërtet seriozë për luftën kundër krimit të organizuar. Pata një bisedë shumë të mirë me drejtorin e përgjithshëm të policisë Ardi Veliu javën e shkuar. Kanë punuar shumë fort së bashku me prokurorët për të ngritur task-forcën për forcën e ligjit. Po punojnë sot shumë ngushtë me ligjzbatues amerikanë, gjermanë, Italianë, francezë, gregë, spanjollë dhe kjo ka çuar në suksese reale. Kemi parë arrestimin e Arbër Çekaj, arrestimin e Met Kananit; janë dy trafikantë droge të arrestuar në Spanjë. Vetëm këtë javë pamë trafikantë të arrestuar në Itali dhe Gjermani. Kjo është e rëndësishme por duhet të jetë vetëm fillimi. Ka shumë më tepër punë për të bërë”.
Zoti Lu u pyet dhe për rastin e ish Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla të cilin ai sërish u shpreh se “përfaqëson zyrtarët e shumtë që janë përpjekur të pengojnë zbatimin e reformës së gjyqësorit”. Zoti Llalla është nën hetim për dia akuza, që nga pastrimi i parave, korrupsion dhe shpërdorim detyre. “Kemi përgëzuar vendimin e gjyaktave për të sekuestruar asetet e tij shumë të mëdha të pashpjeguara dhe kemi nxitur gjyqësorin në vend që të kufizojë lëvizjet e tij në mënyrë që të mos i largohet drejtësisë”.



