Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë reagoi ndaj kundër-fushatës së Serbisë për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL – agjencinë ndërkombëtare të policisë – duke theksuar se dështimi i anëtarësimit është humbje për gjithë rajonin.
“Policia e Kosovës është institucion i integruar dhe i aftë dhe është dëshmuar në ndihmën e luftimit të terrorizmit ndërkombëtar, krimit kibernetik, narkotikëve, armëve dhe luftimit të rrjeteve të trafikimit të njerëzve. Shumica e shteteve e kanë parë këtë dhe e kanë përkrahur aplikimin e Kosovës për anëtarësim në INTERPOL, në përballje me kundër-fushatën e udhëhequr nga Serbia për t’i shtyrë shtetet të votojnë kundër anëtarësimit të Kosovës”, thuhet në reagimin e ambasadës.
Sipas të njëjtit, “anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL nuk ka qenë arsye për njohjen e pavarësisë së Kosovës, por për forcimin e sundimit të ligjit, bashkëpunimit dhe përmbylljes së zbrazëtirës kritike të sigurisë në Ballkan”.



