Nga Kimete BERISHA – Kosovë
1. Mos t’lashtë dheu brenda.
Këtë idiomë kush s’e ka (përveç neve shqiptarëve) dhe është nëma më e rrezikshme n’botë, se krejt-krejt ama kur edhe toka zemërohet me ty, e s’ta çel derën, s’ka ku shkon më keq.
Toka që është shtëpia e tretë, pas shtëpisë së nanës dhe kësaj jete të dytë.
2. Tregonin për një grua në një fshat të Drenicës (s’po ja përmend emrin fshatit), se si e kanë varrosur para perendimit të diellit dhe në mëngjes e kanë gjetur mbi dhe. Ashtu, tri ditë me radhë derisa i kanë tubuar hoxhallarët më të talentuar të rajonit që t’ia falin gjynahet dhe ta lusin dheun që ta lë brenda gruan që s’kish ditë tjetër n’këtë dynja, përveç të bënte keq.
3. E hoxha Bedri Bytyqi ish naiv, aq naive dhe e papjekur ish urrejtja e tij, sa hoxha kish pas kujtuar se i gjalli mund t’i hakmerret për najsen të vdekurit, nëse e lë pa varr, punë e madhe, se këtij të fundit pastaj nuk i lulojnë kastravecat që e hanë qentë (si Pjetër Bogdanin, që s’u gjind një prift t’ia mbledh eshtrat), ia ndin të vdekurit nëse ti nuk ia këndon te koka një këngë të vjetër arabe, që për shkak se nuk e kupton gjuha arabe është e zonja të të fus frikën, në jo nga njeriu, nga Zoti.
Mendoj është gjuhë që të mëson të frikësohesh nga Zoti.
Dhe asnjë dashuri tjetër lirike nuk ta sjell në mend, përveç dashurinë që vjen nga frika prej Zotit.
4. Dheu i la brenda vrasësit më të mëdhenj të njerëzimit, përveç asaj plakes së lartpërmendur në Drenicë, të cilën bëjnë be, nuk e kishte lënë dheu brenda. Sepse nuk i kishte lënë dy gurë bashkë, i kishe ndarë njerëzit, ua kishte bërë shtëpinë ujk dhe i kishte ftohur nga dashuria.
Se po dihen sendet, krim më i madh është t’i ndash njerëzit, e t’i lësh pa dashuri, sesa t’ua vrasësh trupin, t’i lësh pa trup, duket se i çliron.
Shumë njerëz vuajnë kurrë pa pushuar dhe e hanë jorganin derisa vdesin, kurse elefantët vdesin vetëm.
Don Corleone vdiq i lumtur duke lozur në kopsht me nipin e tij. Ku ka vdekje më joserioze sesa të vdesësh duke lozur.
Zogjtë vdesin duke kënduar, e vrasësit vdesin duke lozur, dhe jo veç si ky Corleone në film.
E pse njeriu i pafajshëm vuan e pse hajni e vjedh edhe vdekjen, Zoti e di.
5. Të kish qenë Don Corleone shqiptar do të varrosej me nderime shtetërore dhe gjithqysh do të ishte veteran i luftës. Këtë e keni, kështu, të siguritë, me garanci.
Sepse, fiksioni prej faktioni, legjenda prej realiteti dhe krimineli prej heroit, e heroi prej tradhtari nuk kanë fort dallim te ne. Kanë, por ne nuk e shohim dallimin. Pritojmë me hy ma thellë.
6. Për shqiptarët vdekja është lajm, kurse për Ramiz Lladrovcin vdekja e Hilmi Haradinajt është ‘e papranueshme’.
Qe dy javë po flasin për vdekjen, na kanë teshë, të gjithë politikanët e trishtuar, sepse vdekjen e zbulojnë veç kur ndodh vdekja, e pastaj e harrojnë, vazhdojnë vjedhin, dhunojnë, tubojnë pasuni, sillen keq, shumë shumë keq, e harrojnë edhe Zotin.
Kur prap ia beh ‘ajo’, pra vdekja kur ia beh, atëherë, mërziten jo për personin që ka vdekur por për veten që do të vdesin, se krejt kanë harruar se do të vdesin.
7. U mërzitën, sa shumë, për Vokrrin. Sa shumë veta e kishin dashur, gjithë ajo dashni e asnjëri nuk i qëlloi pranë në momentet kur i mbylli sytë.
Dashnia nuk të ndihmon me vdekë.
Hashim Thaçi e shpalli ditë zie natën e katragjegjave. Na e prishi magjinë që në dritare natën të presim nga qielli të na zbresin buçukët me lira.
Të dinte Ramushi çka është pikëllimi, s’do të tubone pasuri si faraoni, e Thaçi s’do të ndërtonte
vila në Brezovicë me oxhak më të madh se termokosi.
8. Për Fadilin u mërzitën edhe serbët. Kur serbi mërzitet për një shqiptar, është fenomen. Prandaj, ai shqiptar që e nxjerr nga zemra e gurtë e serbit dashurinë, ai është ‘fenomenal’.
Se, serbi më lehtë e vret shqiptarin me pushkë sesa që e do me fjalë.
Vokrri është ndër shqiptarët e rrallë në histori që e qanë serbët e Partizanit.
(Përfytyro të gjindej ndonjë serb që do ta qante e të mërzitej për Rugovën apo larg qoftë për ndonjë ushtar të UÇK-së).
Jo moti, vjet, grobarët e Partizanit bën thirrje të shfarosen shqiptarët, e dogjën flamurin kombëtar shqiptar dhe e vendosën në stadium pllakatën gjigante me mbishkrimin ‘Kosova është Serbi”.
Se Partizani gjithmonë ka bërë futboll politik dhe nacionalist, siç kanë bërë dhe bëjnë serbët gjithmonë.
Kur s’kishin tjetër zgjedhje, shqiptarët ‘patriotë ‘navijatshin’ për Hajdukun e Splitit, lëni legjendat, jo për Partizanin. Kurrë për Partizanin, veç ndonjë ‘koloboracionist’. Ka qenë akt tradhtie me qenë me Partizanin. Marre.
Dihej se ishte ekip i themeluar nga oficerë të lartë ushtarakë, të asaj armate që i kthente në arkivole nga shërbimet ushtarake ushtarët e shkretë shqiptarë.
9. Por fati është fat. Dikush prej shqiptarëve të harruar ka vdekur në vuajtje të mëdha, burgjeve i kalbur, e dikush ka lozur me serbë në kohën e mortajës më të madhe për shqiptarë, e këta të dytët po shihet se i ka dashur më shumë, edhe Zoti, edhe njeriu.
Sepse, lojën, sado e bukur e profesioniste të jetë, në fund, askush nuk e merr seriozisht.
Kurse, ne shqiptarët i marrim seriozisht vetëm lojtarët.
Dhe, humoristët. Dhe këngëtarët. Pra, loja neve na gjunjëzon. Sepse, s’jemi seriozë, jemi Peter Pana që plakemi pa u rritur.
10. Pasi ua fali turko-amerikanëve të Bechtel Enka 53 milionë euro, pasi e fitoi gjyqin me shoqet e Hashim Thaçit në Kushtetuese, për pagën e tij të sëmurë, të cilës zor që ia sheh hajrin sepse ia kanë nëmur gjinja çdo cent, të gjithë shqiptarët pa përjashtim ia kanë mallkuar, shkoi në Prizren dhe e rrahu një plakë, për fajin e saj të vetëm se ajo nuk ishte e re.
Shqiptarët (respekt për përjashtimet) i rrahin gratë e reja, i zdupitin (me ymydin se i qesin në brazdë), por që i rrahin edhe plakat para kamerave, publikisht, këtë e pamë për herë të parë.
E ndjeva si prangën e ftohtë në duar, dorën e përgjakur të tij në dorën e këputur të gruas plakë. Të isha vend saj, pa shpurdh se kisha lënë, më së paku do t’ia kafshoja hundën, dhe gjithqysh me shtikëll do ta godisja aty ku s’duhet. Se këta është shumë lehtë m’i bë nervoz, mjafton një shikim me bisht syri dhe kfit, ua nxjerr të keqtë.
11. Majlinda Bregu duke folur për dhunën ndaj gruas, citoi Kanunin që na mëson tha se ‘gruaja dhe prifti s’duhet të vriten’. Demek hoxha, berberi, aktori e këta mashkujt tjerë, bën. Veç neve na ndodh që gruaja shqiptare që është Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal evropian ta citoj Kanunin, aq e budallaqe është.
12. Por ajo që ndodhi në Prizren është foto pa filter e shqiptarëve të shkapërdherdhur nëpër fotografinë e Lidhjes. Cilës Lidhje? Sa pare kushtoi Lidhja atë ditë? Gati më shtrenjtë se ‘liria’! .
Lidhja është një legjendë, e cila shihet me sy të lirë që nuk ekziston. Shqiptarët janë të lidhur në legjendën e Lidhjes së Prizrenit, por jashtë saj janë komplet të ndarë, dhe i rrahin plakat kur plakave s’u pushon goja.
Lidhja shqiptare që ishte turke e osmane në fillim apo si të duash quaje, në realitet, jashtë muzeut nuk ekziston. Sepse, ne jemi të ndarë. Dhe jemi të ndarë kështu me shpirt. Nuk na ndau armiku, por na ndau harxhimi i dashurisë. Ne më nuk duhemi aq sa të mos mund të jetojmë pa njëri-tjetrin.
13. Ama kam ymyd që Mustafa Nano na nxjerr prej situatës gjatë korrespodencës së tij me Zoranin. U dashuru a Zoti e dittë çka dreqi po ndodh me këtë idiot që s’e kupton pse shqiptarët më shumë i duan italianët sesa serbët.
Pse a gjynah do të ishte sikur m’i hy këtij Mustafa Nanos stupc metropoliti Artemije (s’di a është hala gjallë, por kryen punë edhe i vdekur), e me t’ja nxjerr djallin nga barku me adalet.
I dashuri Zoran, e nis letrën e tij Nano, bre jarabi more Zot… ?
Edhe djali i shkrimtarit për fëmijë Odise Grillo, Kosta e do Crvena Zvezdën. Qe, çka do me thënë, baba i tij shkrimtari i ka mësu krejt fëmijët shqiptarë çka është mirë e çka është keq, por e ka harru djalin e vet me mësu që nuk duhet armiku (së paku dashnija ndaj armikut duhet të mbahet e fshehtë, se është sëmundje), i cili megjithatë nuk ish dyfytyrësh si k’ta tontë, që kanë harru se e kanë urryer Partizanin. Së paku Kosta kish mbamendje futbollistike.
14. E ndërkohë që Shpend Ahmeti merret me politikë, të gjitha llojet e insekteve na kanë pushtuar në muajin e çlirimit. Kush kish menduar se ne që kemi ditur të çlirohemi nga armiku serb, nuk dimë të ‘mbysim’ miza. Merimangat na kanë pushtuar neve këndej nga Bregu i Diellit. Që merimanga po na e rikujton se duhet ta ndërtojmë shtëpinë tonë, po e dimë, por s’po dimë qysh me ja nisë.
Pa ju rrëzu juve, s’ka shpëtim. Dihet.
Janë disa shpëtime jetike që vijnë vetëm nga rrënimi.
15. E EULEX-i pranoi që ka dështuar në Kosovë. Ky është lajmi e jo vdekja e njerëzve nga exheli. Lajm është se don corleon katundaria shqiptare arriti ta korruptojë BE-në dhe why not…Parja e çon ujin përpjetē, jo BE-në, se pa BE mundemi e pa ujë jo.
P.S. Ata që nuk e kanë pirë rakinë në Ramazan si Ramushi dhe në iftar te Pacolli, u dehën pa pare, me raki muzikore. Gjatë muajit Ramazan, të gjitha këngët kanë pasur në përbërjen e tyre raki. Kulmin e arriti ‘Dashni me raki’ (forma më e re e dashnisë), por kontribut në dehje dha edhe Nexhmije Pagarusha, e cila deri tash një servis gota e ka bë me këngët e saj kushtuar rakisë.
Por, si na del çpija, e shohim se sa shumë o Zot ia kemi inat njëri-tjetri.