ËNDËRRMADHJA
Lotojnë kullojnë pikojnë
Jeta vdekja Nyjë e Gordiut
Nëpër strehë memece
Shpirti trupi në licitacion
Në dyluftim krrajatash
Pisllëk arena të përdala!
Në istikame kurmet kërmat
Sorrëzezat hanë mishra
Në ferrishtë
Përligjet vdekja
Në qivure ndrydhet jeta
Me takëme të inkuizicionit
Satani konkurron dhe fiton
Çmimin Nobel Makabër
Për Gjakpirësi Kanibalizëm
Fjala mendja zemra
Engu im i përkorë
Drejtësia fjalë e Zotit
Almise psiko-filozofike njerëzie
Dërdëllisje s’bëjnë punë !
Ëndërrmadja përdëllehet
Në mes të kudhrës e çekanit
A jam somnambul
Apo kohë fetishe ?
Në majëgjuhë syri degdiset
Kullimqelbi fierinave
Lëvizjet mizasqenike ngatërrohen
Sorollaten aktorët e urtë
Xhindosen…
Regjia bën punën pas tekeve
Tmerrtrishtimi në fusnotë
UdhëMadhja Ime s’bën të ndalet!…
RRUGËGJATA
Pakurrizorët çanakëlëpirësit
Bëjnë sehir me skuthëri
Apologji thurin
Mjerimit Kalit të Trojës
Lëlysh Jude gjithnjë
Në Ne e me Ne!
Kor korbash fillikat
Orgji të qenefta bëjnë çudira
Kalërojnë mrizojnë krekosen
Gjaku Im rebelues tretet yshtet
Humbet mugëtirave udhëkryqeve
Përtej Ylberit Purpurit
E gurëzuar jeta irnoset…
Tokëhuaja kafshon, kafshon
Si nata të ha rrugëgjata
Në avlement pret
Të thuret prej së pari
Përrallë erërash të serta
Mituri Imja e mplakur!
KUMTI I DITËS SË PREMTE
(Pedagogut, studiuesit, mikut, prof. dr. Xhavit Aliçkaj)
Në rrjedhë ankthi më erdhi
Kumti i ditës së premte
Të njëzet e shtatë shtatorit
Dymijë e trembëdhjetë –
Xhaviti ndërroi jetë!
Si mjegulla –
Kaploi shpejt kujtimet
Një kapitull jete
Me mikun me Xhavitin
Me Xhavitin fjalëmatur,
I buzëqeshur i ngrohtë
Me bashkëpunëtorët
Me nxënësit
Me burrat e odave…
Në raste gëzimi dhe hidhërimi
Dëgjohej fjala e studiuesit
Fjala e mësuesit –
E matur e ëmbël
E urtë e me vlerë…
Ndonjëherë shpaloste anekdota
Nga thesari popullor
Na bënte të qeshim,
Na bënte gazmorë…
Xhaviti ndërroi jetë
Herët iku në atë botë
Këtu la veprat e tij
E vetë shkoi në pavdekësi!
(27 shtator 2013, Pejë.)
VARGJE PËR TY
(L B)
A m’i solle një rreze
Diellit që mungonte
Atë ditë?
A i solle kuptim
Fjalës së pathënë
Nën hijen
E Majës së Sukës
0, ti engjëll
I ditëve të mia
Ditëve që nuk harrohen…
Me lakuriqësinë e bardhë
Të fjalës
Atë ditë në qendër të Dushkajës
Më joshe të shkruaj
Vargje për TY
Si princeshë kaltërsie
Bashkë më frymëzimin tim
Nisa vargjet për TY
T’i bëj Kështjellës aureolë
Si në themele të një dashurie !
Atë ditë
Në heshtje më the:
“A do të shkruash
Një poezi për mua”?
Dhe ja –
Këto janë
Vargjet e para për ty
Të shoqëruara
Me gjethe
Të kësaj pranvere! (Prill 2018.)
HAIKU I GUSHTIT
1.
Në këtë vapë gushti
Më kërkoi shoqërim në Fb.
Një vashë që e njihja
2.
Nuk hezitova
I thashë PO shoqërimit tonë
Në krahët e natës
3.
Gjumi kishte ikur
Biseda elektronike ndizej
Ajo ndjehej e gazmuar…
4.
Nga tema në temë
Biseda fluturonte në pafundësi
Silleshim vërdallë
5.
Sikur më rrëshqiti fjala
por, jo paqëllim i thashë –
je simpatike
6.
Gusht në Gjakovë
në haikun tim –
Hyri dhe një vashë
7.
Çabrat, rri krenar!
dushkajasin e ke këtu
këndon ilahi…
8.
Suka e Cërmjanit Olimp
Kullon gjak ilir –
Tempull i hyjnive
9.
Librat e mia –
Kurorë qielli
Për Dushkajën time!
(12 gusht 2017)