Departamenti amerikan i Shtetit thotë se lufta e paprovokuar dhe e pajustifikuar e Rusisë kundër Ukrainës e bën të qartë urgjencën në rritje që paraqet për aleancën transatlantike, integrimi evroprian i Ballkanit Perëndimor.

Ky qëndrim u shpreh të hënën nga një zëdhënës i Departamentit të Shtetit, në përgjigje të një kërkese për koment nga Zëri i Amerikës, pasi 19 anëtarë të Kongresit amerikan i kërkuan administratës së Presidentit Joe Biden të rrisë angazhimin diplomatik në Ballkanin Perëndimor.

Në një letër që ligjvënësit i dërguan javën e kaluar Sekretarit të Shtetit Antony Blinken, ata shpreheshin se rritja e angazhimit amerikan është më e rëndësishme se kurrë në kushtet e krijuara nga agresioni rus në Ukrainë.

“Shtetet e Bashkuara mbeten plotësisht të përkushtuara ndaj realizimit të integrimit evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor”, thotë Departamenti i Shtetit.

“Rusia ka qenë prej kohësh një forcë destabilizuese dhe burim dizinformimi në Ballkanin Perëndimor, për shembull, duke mbështetur një përpjekje për grusht shteti në Mal të Zi në vitin 2016 dhe përpjekjet e vazhdueshme për të nxitur tensionet në Bosnje dhe Hercegovinë”, vazhdon zëdhënësi i Departamentit të Shtetit për Zërin e Amerikës.

Ai shtoi se organizatat mbikëqyrëse të medias kanë kritikuar mediat e sponsorizuara nga Rusia, RT dhe Sputnik për fabrikimin e artikujve keqinformues dhe përhapjen e disinformacionit.

Ligjvënësit amerikanë nga të dyja partitë, shpreheshin në letrën e tyre dërguar Sekretarit Blinken, se Shtetet e Bashkuara duhet të dyfishojnë përpjekjet për konsolidimin e demokracisë dhe për nxitjen e integrimit euro-atlantik të rajonit.

“Integrimi i plotë i Ballkanit Perëndimor në komunitetin transatlantik duhet të jetë përparësi për Shtetet e Bashkuara ndërsa ne përpiqemi të konsolidojnë aleancat tona në gjithë Evropën dhe i kundërvihemi përhapjes dhe ndikimit të regjimeve autokratike, përfshirë atyre të Rusisë dhe Kinës”, thuhet në letër.

Në letër anëtarët e Kongresit thonë se përpjekjet amerikane duhet të përqendrohen tek rritja e investimeve, angazhimi për integrim të shpejtë në BE, nxitja a dialogut Kosovë-Serbi, zbutja e tensioneve në Bosnje dhe ndihma për demokracinë.

Ndërkohë një nga nënshkruesit e letrës, ligjvënësi nga Nju Jorku Ritchie Torres, ka kërkuar që NATO-ja të anëtarësojë Kosovën në aleancës. Në një postim në Twitter ai shkruan se “Shtetet e Bashkuara “nuk kanë aleat më të madh se Kosovën në Evropën Juglindore”./VOA