Austria ndërmori një hap “dramatik” të hënën duke vënë kufizime në nivel vendi ndaj individëve të pavaksinuar të cilët nuk janë infektuar kohët e fundit me COVID-19. Kjo është ndoshta masa më drastike në një seri veprimesh që po ndërmarrin qeveritë evropiane për të vënë nën kontroll përhapjen e infektimeve.

Masa, e cila hyri në fuqi në mesnatë, ndalon individët e pavaksinuar ose shëruar kohët e fundit të grupmoshave 12 vjeç e lart që të dalin nga shtëpitë e tyre, përveç në rastet e aktiviteteve thelbësore si shkuarja në punë, blerja e ushqimeve, vajtja në shkollë, apo ecjet apo të bërë vaksinën.

Fillimisht, masa do të jetë në fuqi deri me 24 nëntor në këtë vend me 8.9 milionë banorë. Zyrtarët thanë se do të shtohen patrullimet dhe kontrollet policore. Gjobat ndaj atyre që shkelin këtë rregull mund të shkojnë deri në 1450 euro.

Në një intervistë për radion Oel, Kancelari Alexander Schallenberg tha se marrja e vendimit për këtë rregull nuk kishte qënë e lehtë.

“Ky është një hap dramatik dhe rreth 2 milionë njerëz në këtë vend janë ndikuar. Po përpiqemi të pakësojmë në minimum kontaktet mes të vaksinuarve dhe të pavaksinuarve si dhe kontaktet mes të pavaksinuarve.”

Kancelari tha se synimi ishte vaksinimi i popullsisë dhe jo izolimi i të vaksinuarve. Rreth 65% e popullsisë së Austrisë është e vaksinuar plotësisht, një normë të cilën kancelari e cilësoi si shumë të ulët. Të gjithë studentët që frekuentojnë shkollat, të vaksinuar apo jo, aktulisht duhet të bëjnë tre teste javore për COVID-19, me të paktin njërin test të llojit PCR.

Të hënën Austria shënoi 894.3 raste të reja për 100,000 banorë gjatë shtatë ditëve të kaluara. Kjo shifër është shumë e lartë se Gjermania fqinje e cila gjatë një periudhe shtatë ditore regjistroi 303 raste të reja për 100,000 banorë.

Berlini të hënën iu bashkua disa rajoneve të tjera gjermane që kanë kufizuar qasjen në restorante, kinema, muze apo koncerte për të pavaksinuarit./ Associated Press