Kancelarja Merkel në detyrë, në një takim me kryesinë e Unionit Kristiandemokrat,CDU,është shprehur në favor të kufizimeve të përgjithshme për të pavaksinuarit, por kundër një lockdown-i të përgjithshëm. Sipas pjesëmarrësve në mbledhje, Merkel tha se kufizimet mund të shkojnë përtej modelit 2G (lehtësime për të vaksinuarit ose të shëruarit) dhe se nuk përjashtohet mundësia që të pavaksinuarit të testohen çdo ditë në vendin e punës, siç bëjnë të ditur disa media gjermane. Edhe ministri i Shëndetësisë në detyrë, Jens Spahn, është për t’i dhënë priroritet vaksinimit. Spahn, i cili u vaksinua vetë për herë të tretë javën e kaluar, është për rihapjen e qendrave të vaksinimit dhe rifreskimin e vaksinimit për të gjithë. Aktualisht në Gjermani janë vaksinuar afro 67% e popullsisë. Spahn, ishte shprehur në fundjavë për rihapjen e qendrave të vaksinimit dhe rifreskimin e vaksinimit për të gjithë.
Se si do të përballet Gjermania në dimrin e dytë të koronës, kjo do të jetë temë debati në Bundestagun e ri, gjatë seancave të jashtëzakonshme, më 11 dhe 18 nëntor. Kryeministri i ri i landit Nordrhein-Westfalen, Hendrik Wüst, si kryetar i Konferencës së Kryeministrave të Landeve, tha se do të zhvillojë bisedime me landet për rifreskimin e vaksinimeve për persona mbi 60 vjeç.
Mjekët kritikojnë politikanët
“Shoqata e mjekësve të përgjithshëm” i shikon me skepticizëm thirrje të tilla nga politikanët. Kryetari i saj, Martin Scherer, tha të martën, në një konferencë shtypi në Berlin, se është StiKO (Komisioni i Përhershëm i Vaksinimit), inistitucioni që përcakton nevojën e vaksinimit.
Kryetari i StiKos, Thomas Mertens, tha se Stiko vazhdon të jetë për rifreskimin e vaksinave vetëm për personat me imunitet të dobët, pra, të moshuarit mbi 70 vjeç dhe të sëmurët. Një rifreksim për të gjithë nuk ka kuptim, përsa kohë që ende nuk është arritur një shkallë vaksinimi prej 80 ose 90 përqind, tha Mertens. Ai ishte gjithashtu për një ritëm të përmbajtur për rifreksimin e vaksinimit të parë, nisur nga nevoja që kanë shumë vende të botës së tretë për vaksinim të dorës së parë.