Qeveria federale e Etiopisë shpalli të martën gjendjen e jashtëzakonshme në mbarë vendin, pas një viti betejë me forcat Tigrei (TPLF) e luftimesh që po përshkallëzohen në Etiopinë veriore.
“Qeveria ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme mbarëkombëtare që ka hyrë të fuqi më 2 nëntor 2021”, thuhej në një deklaratë të postuar në Twitter nga trasmetuesi televiziv shtetëror Fana Broadcasting Corporate S.C.
Në deklaratë shtohej se Dhoma e Përfaqësuesve të Popullit pritet ta miratojë gjendjen e jashtëzakonshme brenda 24 orëve.
Duke cituar burime zyrtare të qeverisë, agjencia e lajmeve “Reuters” tha të martën se Fronti Çlirimtar Popullor i Tigreit po fiton terren dhe po sheh mundësitë për t’u futur në kryeqytetin e vendit, Addis Abeba. Banorëve të kryeqytetit iu është thënë të regjistrojnë armët e të përgatiten për ta mbrojtur atë.
Rreth një vit më parë qeveria federale e kryeministrit etiopian, Abiy Ahmed luftoi kundër forcave të TPLF-së në Tigrei, por luftëtarët arritën të marrin kontrollin e provincës. Forcat qeveritare u tërhoqën në qershor, dhe që atëherë luftimet janë zgjeruar në rajonet fqinje, atë të Amharës dhe Afarit, duke detyruar me mijëra njerëz të zhvendosen e duke përkeqësuar një krizë të rëndë urie.
Duke folur të martën në Institutin Amerikan për Paqe me qendër në Uashington, i dërguari i posaçëm i SHBA-së në Bririn e Afrikës, Jeffrey Feltman, tha se rreth 900 mijë njerëz në rajonin Tigrei po përballen me me urinë dhe se 90% e popullsisë ka nevojë për ndihmë.
Sipas tij qeveria federale është pengesa më serioze për marrjen e ushqimit, ilaçeve dhe ndihmës jetike për ta, për shkak të pengesave burokratike. Muajin e kaluar qeveria dëboi shtatë zyrtarë të lartë humanitarë e të drejtave të njeriut që përfaqësojnë OKB-në.
“Kjo fatkeqësisht tregon për një përpjekje të qëllimshme nga autoritetet për të privuar etiopianët nga marrja e ndihmës e cila shpëton jetë“, tha zoti Feltman.
Përdorimi i ushqimit si armë lufte mund të ngrihet në nivelin e një krimi lufte.
I dërguari i posaçëm tha se sulmet ajrore të qeverisë dhe aleancat e TPLF-së me grupet e tjera të armatosura e të pakënaqura, janë “alarmante”. Ai paralajmëroi se vendi rrezikon të rrëshqasë drejt një konflikti më të madh.