Numri i vdekjeve nga koronavirusi në gjithë botën po i afrohet shifrës 5 milionë, sipas Universitetit Johns Hopkins. Shifra prej 4 milionësh u arrit mbi katër muaj më parë.

Kryeministri i Indisë, Narendra Modi u tha udhëheqësve botërorë në takimin e G-20-ës në Romë se India do të prodhojë 5 milionë vaksina kundër COVID-19 deri në fund të vitit të ardhshëm për përdorim në vendin e tij dhe në mbarë botën.

Megjithatë zoti Modi tha se 5 milionë dozat do të ishin më të lehta për t’u prodhuar nëse Organizata Botërore e Shëndetësisë do të miratonte vaksinën e Indisë Covaxin dhe do ta përfshinte atë në listën e përdorimit të vaksinave urgjente të OBSH-së.

Ndërkohë, Xi Jinping, udhëheqësi i Kinës, tha në takimin ku mori pjesë virtualisht se Kina ka prodhuar tashmë më shumë se 1.6 miliardë vaksina COVID-19 që janë shpërndarë në mbarë botën.

Ndërkohë në Shtetet e Bashkuara, punonjësit e bashkisë së Nju Jorkut nxituan javën e kaluar të merrnin vaksinat kundër COVID-19 për të përmbushur detyrimin e vendosur në qytet për të marrë të paktën njërën dozë deri të premten.

Megjithatë një ndër 6 punonjës ose më shumë se 26,000, mbeten të pavaksinuar. Ata që nuk vaksinohen do të vendosen në leje administrative pa pagesë./VOA