Gazetarët hulumtues nga disa vende evropiane arritën të dokumentojnë të ashtuquajturat “Pushbacks” (shtyrje apo dëbime me dhunë), të paktën në pesë vende të ndryshme në kufirin boshnjako-kroat. Në regjistrimet e gazetarëve, të cilat u morën midis majit dhe shtatorit 2021, u dokumentuan njëmbëdhjetë raste, në të cilat personat që përpiqeshin të kalojnë ilegalisht u dëbuan me dhunë. Më shumë se 140 persona thuhet se janë dëbuar përtej zonës së gjelbër të kufirit, me sa duket pa kontrolluar fare statusin dhe të drejtat e tyre për mbrojtje.
Sipas informacioneve nga organizatat e të drejtave të njeriut, ka pasur më shumë se 16.000 pushbacks vetëm vitin e kaluar në kufirin kroato-boshnjak. Incidente të ngjashme janë regjistruar kohët e fundit edhe në kufirin midis Bjellorusisë dhe Polonisë, e vazhdimisht ka pasur raporte për dëbime të tilla edhe në kufirin turko-grek dhe në det të hapur.
Refuzimi i dhunshëm i udhëtarëve të parregullt është kritikuar nga politikanët dhe organizatat e të drejtave të njeriut për shumë vite. “Pushbacks janë thjesht të paligjshme”, tha Gillian Triggs, zëvendëskomisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët. Por “pushback” është një term politik që nuk është përcaktuar qartë në terma juridikë. Situata ligjore në kufij është komplekse.
A ka të drejtë një vend të parandalojë me forcë njerëzit që të hyjnë atje?
Në parim, një shtet ka të drejtë të vendosë, nëse mund të futen në territorin e tij shtetasit e vendeve të tjera. Edhe në Bashkimin Evropian, mënyra në të cilën një shtet mbron kufijtë e jashtëm dhe sovranitetin territorial është në duart e secilit shtet anëtar. Qeveria përkatëse vendos për veten se sa “i fortë” është një regjim kufitar. Mirëpo, autoritetet e mbrojtjes së kufirit duhet të respektojnë ligjin ndërkombëtar. Ata duhet të veprojnë në mënyrë të përshtatshme dhe të ruajnë proporcionalitetin – veprimet e qeverisë nuk duhet të shkelin të drejtat e njeriut.
Jo të gjithë njerëzit që kalojnë ilegalisht kufijtë e një shteti mund të kthehen në shtetin fqinj prej nga janë futur: Kjo kundërshtohet nga ndalimi i dëbimit kolektiv dhe i ashtuquajturi refuzim i rikthimit i përmendur edhe në Konventën e Gjenevës për Refugjatët në vitin1951 (nga Refuler francez – refuzoj), që është një parim i vlefshëm global i futur në të drejtën ndërkombëtare.Ky parim ndalon shtetet t kthejnë njerëzit në vendet ku ata rrezikohen nga torturat apo shkeljet e tjera serioze të të drejtave të njeriut.