Presidenti Joe Biden nëpërmjet një postimi në rrjetin social Twitter tha se kjo shifër e zymtë të copton zemrën. Sipas të dhënave gati 70 milionë amerikanë ende nuk e kanë marrë asnjë dozë të vaksinës.
“Vaksinimi është mbrojtja jonë më e mirë kundër COVID-19”, thotë drejtorja e Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.
“Ne kemi në dorë mjetet shkencore të nevojshme për t’i dhënë fund kësaj pandemie”, theksoi ajo.
Në qytetin e Nju Jorkut, mësuesit e pavaksinuar kanë kohë deri të hënën në mëngjes për të ofruar një dëshmi të vaksinimit ose në të kundërt do të humbasin vendin e punës.
“Unë jam e gatshme të humbas vendin e punës dhe karrierën time e të mos vaksinohem”, thotë Rachel Maniscalco, mësuese në qytetin e Nju Jorkut.
Guvernatori i Kalifornisë njoftoi se shteti që ai drejton do të kërkojë vaksnimin e detyrueshëm kundër koronavirusit për nxënësit dhe mësuesit, pasi qeveria amerikane të ketë përfunduar verifikimin e plotë të të dhënave për vaksinat për të dyja grupmoshat, si për ata nga 12 deri në 15 vjeç edhe ata nga 5 deri në 11 vjeç.
“Unë me siguri do t’i heq fëmijët e mi nga shkolla”, thotë Amber Cornell, e cila është kundër vaksnimit të fëmijëve. Shumë prindër nga ana tjetër mezi presin miratimin e vaksinës për fëmijët.
Sipas një raporti të ri nga Fondacioni “Kaiser Family”, një e treta e prindërve me fëmijë të moshës 5 deri në 11 vjeç do t’i vaksinojnë fëmijët e tyre menjëherë pasi vaksina të miratohet.
Ndërkohë punonjësit e kujdesit shëndetësor raportojnë se janë kërcënuar nga pacientë dhe anëtarët e komunitetit që nuk besojnë se COVID-19 është e vërtetë.