Nga Fadil Dervishaj

Të nderuar qytetar të Kosovës, po ju drejtohem me këtë letër për të qenë më vigjilent ndaj kërkesave tuaja përmes shkuesve që keni propozuar për Kuvendin Komunal… Zgjedhjet po afrohen, përfaqësuesit që ju keni zgjedhur po e zhvillojnë garën e tyre, duke kërkuar me këmbëngulje votën tuaj. Ju lutem që ta keni vëmëndjen, ashtu qysh ata janë kërkues për votën tuaj, ju të jeni dyfish më shumë për kërkesat tuaja, t’ua sillni ndërmend, se ju jeni ata që ua jepni mandatin. Në këtë rast me votbesimin tuaj, bëni përpjekje që ti bindni ata që të jenë zëri juaj. Ata nuk duhet të jenë thjeshtë vetëm një numër në ulëset e tyre në Kuvend…, por të jenë zë i fuqishëm i bashkëpunimit dhe bashkrëndimit për realizimin e kërkesave tuaja. Mos hezitoni që të kërkoni llogaridhënie nga ta, ata do të jenë aty falë jush, prandaj bëjini që ata të punojnë me ndërgjegje e përgjegjësi.

Asambleistë të nderuar, ju keni pranuar që t’i hyni garës zgjedhore për të qenë pjesë e Kuvendit Komunal… Kjo është e drejtë që jo gjithsecili konkurent do ta fitoj, sepse nuk jeni ju ata që vendosni për këtë, por është besimi i qytetarëve ndaj jush. Përpjekja juaj për ta fituar besimin e qytetarëve, është jo e lehtë, sepse shpeshherë besimi i tyre është vënë në harresë, për t’mos thënë është keqpërdorur. Katër vjet nuk janë pak t’i varësh shpresat në këtë litar, koka e të cilit jeni ju! Prandaj keni kujdes kur kërkoni besimin e qytetarëve, ai nuk është një mall për të bërë tregti me të, por është gjeja më e shenjtë që mund ta dhuroj njeriu. Kujtojeni, në parim ky është një mision i vështirë që keni pranuar ta merrni, nëse udhëhiqet nga ndërgjegjja dhe përgjegjësia?!

F.D.