Shkruan: Florim Zeqa

Nga shfaqja e pandemisë e deri në ditët e sotme, nuk dihet prejardhja e saktë dhe as origjina e këtij virusi misterioz. Nuk dihet, nëse është natyral apo artificial (i prodhuar në laborator), nëse është sëmundje ngjitëse apo helm vrasës i shpërndarë në ajër!

Po ashtu nga fillimi i vaksinimit e deri më sot, nuk po dihet cila vaksinë është më efikase apo cila vaksinë tjetër më pak efikase apo më pak e dëmshme për shëndetin e njeriut. Edhe përkundër vaksinimit, pas përhapjes së ashtuquajturit variant “Delta” i virusit, njerëzit po vdesin edhe me nga një apo dy vaksina të marrura paraprakisht!

Edhe përkundër rritjes së vaksinimit, “COVID-19” është shndërruar në kërcënim për njerëzimin! Ripërtëritja e covidit përmes varianteve të reja; “Delta”, Mu”,…etj, kanë shkaktuar frikë dhe pasiguri për jetën e qytetarëve.

Sikur vërtetë, të bëhej fjalë për një virus të zakonshëm, vaksinat jo vetëm që duhej të ishin më efikase, do duhej të kishim ulje të rasteve të infektimeve dhe zero (0) vdekshmëri të personave të vaksinuar.

 

Pasiguria e testeve, shkak i përhapjes së virusit!

 

Dyshimet dhe pasiguria për ekzistencën e virusit fillon në momentin e testimit për virus! Dikujt me simptome të theksuara i delë testi negativ, kurse tjetrit (shëndosh si molla) pa asnjë simptomë i delë testi pozitiv!

Kësisoji, i sëmuri me test “negativ” bëhet rreziku më i madh për shëndetin e dhjetra e qindra qytetarëve të tjerë, kurse i shëndoshi si molla me test pozitiv shikohet si kërcënim për shëndetin e të tjerëve, izolohet nga familja dhe rrethi shoqërorë, i pamundësohet lëvizja dhe zhvillimi i çdo aktiviteti publik, duke filluar nga puna si çështje ekzistenciale apo veprimtarive tjera afariste.

Liçencimi pa kritere i shumë pikave të testimit privat, ka bërë që testet për virus të shndërrohen në instrumentin më profitabil në vend (pas politikës) dhe si produkt i kësaj, Kosova dhe Shqipëria me të drejtë u futen në listën e vendeve më të pasigurta dhe me rrezikshmërinë më të lartë në rajon!

Situata e krijuar javëve dhe ditëve të fundit në pikat kufitare mes Kosovës dhe Shqipërisë e ka dëshmuar biznesin më profitabil të kompanive të papërgjegjshme të lidhura me njëjra-tjetrën në trajtën e krimit të organizuar, duke i gjobitur qytetarët me nga 25 euro për një të test krejtësisht jo valid dhe të papranueshëm në vendet perëndimore.

Aq të pasigurta janë testet për covid në Kosovë dhe Shqipëri, saqë i kemi me dhjetra e qindra raste, kur “negativët” nga vendet tona po rezultojnë pozitiv në shtetet perëndimore dhe anasjelltas, kurse ish “pozitivët” pas shkuarjes në shtetet perëndimore, jo vetëm që po rezultojnë negativ, verifikohet se asnjëherë nuk kanë qenë të infektuar me “Covid-19”!

 

Politizimi i virusit dhe loja me numrin e të vdekurve

 

Si rezultat i politizimit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), po ndodhë keq-interpretimi i rasteve me covid, respektivisht keq-interpretimi dhe abuzimi me rastet e vdekjeve të zakonshme. Për shkak se ka dallim të madh në interpretim; “vdekja me covid” nga “vdekja prej covidi”! Për çudi, më askush nuk po vdes nga infarkti i zemrës, nga sëmundjet kancerogjene, nga leukemia apo sëmundjet tjera të zakonshme, por të gjithë nga infektimi me covid!

Këto sqarime u takojnë mjekëve profesionist, infektologëve dhe virologëve brenda IKSHPK-së, e jo të dëgjojnë dhe pranojnë rekomandimet e politikanëve në pushtet apo atyre në opozitë për rritjen apo zbritjen e numrave sipas nevojave ditore të politikës! Mosbërja publike e emrave e të vdekurve sikurse në të kaluarën, krijon dyshimet e bazuara për manipulim të vdekjeve të pacientëve me sëmundje të rënda kronike duke ua vënë etiketën e paqenë të “Covid-19”-it!

Si pasojë e këtij abuzimi skandaloz, politikanët e papërgjegjshëm po i shfrytëzojnë edhe proceset zgjedhore për hakmarrje ndaj njëri-tjetrit për llogaritë e tyre personale dhe partiake duke e përdorur si alibi situatën pandemike! Si gjithnjë, viktima po bien qytetarët e pafajshëm që po iu besojnë kusarëve politik dhe matrapazëve me “mantela të bardha” pa masa adekuate sigurie, të cilët po bëjnë biznes tejët profitabil me testet për covid, pa i përfillur fare masat mbrojtëse të IKSHPK-së.