Kohët që po kalojmë janë ndër më të vështirat që ka njohur globi gjatë shekullit të fundit, ku në mbarë njerëzimin ka pllakosur mbyllja dhe izolimi nga pandemia Covid-19, efektet e së cilës janë, papunësia, rënia ekonomike, kufizimet, izolimi, etj., duke ndikuar në jetën tonë të përditshme.
Por, këto efekte nuk kanë ndikuar në punën dhe veprimtarinë hulumtuese të studiuesit pukjan Xhemal Meçi (“Mjeshtër i Madh”), i cili me 23 korrik të këtij viti (2021) mbush plot 85 vjet.
Plot energji dhe pasion ai e fillon punën e tij të përditshme, me ndjekjen e shtypit periodik, e më tej pa vonuar është ndër telefonatat e para që marr prej tij, i cili me elekuencën akademike më udhëzon: “Inxhinier Kola, merre këtë, apo atë gazetë pasi ka një artiull të mirë e të veçantë për Pukën, apo për ngjarje të ndryshme të historisë sonë kombëtare”. Dhe pasi me bën një kronologji duke e pasuruar edhe me njohuritë e tij shkencore ndahemi duke më kërkuar ndjesë, pasi më thotë se më duhet të vazhdoj me shfletimin e materialeve të shumta të grubulluara prej tij në vite e dekada, që të ngjan me atë minierën e arit, që sa më shumë gërmon aq më shumë del xeheror.
Në përditshmërinë e tij nuk rresht së prituri vizitorë në muzeun historik të Pukës duke iu shpjeguar atyre (vendas dhe të huaj), historinë dhe trashëgiminë kulturore e etnografike Pukjane.
Por, paprimtas vjen darka dhe telefonata e rradhës, pasi ndjehet shumë i lumtur të bëjë me dije se në arkivën e tij ka gjetur një material, të cilin e ka eksploruar e grumbulluar mbi 50 vite me parë.
Në takimet e shpeshta e në çdo bashkëbisedim me studiuesin Xhemal Meçi, ka diçka për të mësuar prej tij. Ai, me durimin e modestinë që e karakterizon të shpjegon për çdo gjë që e pyet, madje me një mirësjellje tipike intelektuale me këshillon të mbaj edhe ndonjë shënim, duke më thënë: me pyet përsëri kur të ulesh për t’i sistemuar.
Ndërkohë në takimin që pata ditët e fundit, teksa iu drejtova me kureshtje duke i thënë “tani profesor mjaft më me këtë dinamikë të lartë”, ai pa vonuar m’u përgjigj: “Ky, ritëm i tanishëm është i ulët pasi mbyllja nga pandemia po më vështirëson vizitat në disa vende historike si në Berishë, Qerret, pasi duhet të shkruaj diçka për to, por ama kam në dorëshkrim dhe me patjetër duhet ta botoj së shpejti: ‘Puka në luftë për liri e dëshmorët e saj’ (Qyteti i Pukës dhe lagjet Fshat; Migjeni përëri në Pukë; Doke lidhur me blegtorinë dhe bujqësinë në Pukë; Malësia e Gjakovës (Tropoja) në vështrimin etnografikk; Lura në veçoritë e hershme të saj etnokulturore,, ndaj ritmi duhet rritur”.
Studjuesi Xhemal Meci, me një aktivitet 85 vite jetësore dhe mbi 65 vite eksperiencë pune ka spikatur në sektorë të ndryshëm si, arsimtar, zëvendës/dre-jtor e drejtor shkollash e të kabinetit pedagogjik Pukë, sekretar i gjykatës Pukë, Përgjegjës i muzeut historik në Pukë dhe me një veprimtari të dendur studimore shkencore si dhe drejtues i shoqatës së historianëve të Pukës.
Ai është mbajtës i mbi 65 kumtesave e referateve në sesione shkencore, simpoziume, konferenca e kongrese lokale , kombëtare e ndërkombëtare. Ka për-gatitur e botuar mbi 100 artikuj me karakter shkencor në gazeta e revista. Puna, vepra dhe veprimtaria e tij studimore është vlerësuar me dëshmi e certifikata të shumta.
Në këtë 85 vjetor i urojmë studiuesit Xhemal Meçi, jetë të gjatë dhe mbarësi në punën e tij studimore shkencore.
JETËSHKRIM – XHEMAL MEÇI
Lindi me 23 korrik 1936, Kabashi i Pukës.
Është autor i disa librave si: Puka që në Lashtësi; Poeti i Malësisë; Poeti i Kabashit; Kanuni i Lekë Dukagjinit varianti i Pukës; Kanuni i Lekë Dukagjinit varianti i Mirditës; Kabashi; Migjeni në Pukë me bashkëautor; Ndue Pjetri me bashkëautor; Komani, Ana e Drinit-Delmace trashigimi iliro-arbnore, etj.
Për mbi 45 vjet ka qenë bashkëpunëtor i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë (Instituti Kulturës popullore, Instituti i Gjuhës e Letërsisë, Instituti i Historisë), si dhe bashkëpunëtor i Universitetit “Luigj Gurakuqi” Shkodër (sektori i Albanologjisë), por edhe bashkëpunëtor i Institutit të Albanologjisë në Prishtinë, Kosovë.
Për veprimtarinë e tij të gjithanshme studimore e shkencore ai ka marrë vlerësime të vazhdueshme nga lexuesi, nga përsonalite të shkencës shqiptare, por dhe shtetërore si: Medalja “Naim Frashëri; Titull nderi “Mirënjohje e qytetit Pukë”, Urdhëri “ Naim Frashëri i Argjendtë”, Urdhërin “Mjeshtër i Madh”, Flamuri i Jubileut të 100-vjetorit të Pavarësisë”, Titullin “Qytetar Nderi” Bashkisë Pukë, etj.
Jeton në Pukë dhe megjithëse në një moshë 85-vjeçare vazhdon me një intensitet të lartë veprimtarinë e tij kërkimore, studimore e shkencore.
Tiranë, qershor 2021