Pranimi i marrëveshjes në Rambuje nga udhëheqja e atëhershme jugosllave do të çonte ndoshta në mosndërhyrjen e NATO-s kundër caqeve të ushtrisë serbe, thotë gjenerali i pensionuar amerikan, Wesley Clark.
Clark ka qenë komandant i përgjithshëm i forcave evropiane të NATO-s, në kohën e ndërhyrjes në Republikën Federale të Jugosllavisë (RFJ), e cila ka nisur më 24 mars, 1999, dhe ka përfunduar më 10 qershor, 1999.
Ndërhyrjes i kanë paraprirë luftimet midis forcave të atëhershme ushtarake dhe policore serbe dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe vrasjet, dëbimet dhe persekutimet masive të shqiptarëve të Kosovës, në periudhën 1998-1999.
Vendimi për ndërhyrjen e NATO-s, pa pëlqimin e Kombeve të Bashkuara, është marrë pas negociatave të pasuksesshme midis delegacioneve të Kosovës dhe RFJ-së në Rambuje dhe Paris, në shkurt dhe mars, 1999.
“Mendoj se i kemi dhënë fund spastrimit etnik që po ndodhte në atë kohë, u kemi dhënë qytetarëve të Kosovës mundësinë për të vendosur sigurinë dhe pastaj demokracinë. Dhe, unë mendoj se ata e kanë bërë këtë”, thotë Clark në një intervistë për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe.
“Por, unë mendoj se puna nuk ka mbaruar ende dhe ka ende tensione midis Serbisë dhe Kosovës. Dhe, ky nuk është rasti vetëm i këtyre dy vendeve – tensione ka edhe midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ballkani është si një zonë, ku pllakat tektonike të njerëzimit përplasen që gjashtë shekuj ose më gjatë. Duhen përpjekje të vazhdueshme diplomatike për t’i zgjidhur këto çështje”, thotë Clark.
Ai shfaq shpresën se bashkësia ndërkombëtare do të jetë në krye të detyrës, sepse, siç thekson, kjo është shumë e rëndësishme.
“Marrëveshja që i është ofruar [presidentit të atëhershëm të RFJ-së, Sllobodan] Millosheviq, ka qenë në thelb identike me atë që ishte parashikuar për Bosnje dhe Herzegovinën. Por, ai nuk e ka pranuar… Ai i ka sabotuar marrëdhëniet, negociatat dhe e ka bërë konfliktin të pashmangshëm”, thotë Clark.
Sulmet e NATO-s në ish-Jugosllavi kanë zgjatur 78 ditë, deri në nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës, e cila u ka dhënë fund luftimeve dhe ka çuar në largimin e forcave serbe nga Kosova.