Shefqet Dibrani, poet, publicist dhe kritik letrar, ka botuar pjesën e parë të studimit: “MALËSORJA, Romani monumental i Kosovës”.

 

Në realizimin e librit janë marrë: Redaktor, prof. dr. Hamit Xheferi, ligjërues i letërsisë në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, dhe recensentët, prof. dr. Zejnullah Rrahmani, ligjërues i letërsisë në Universitein Publik “Hasan Prishtina”, në Prishtinë, dhe prof. dr. Gjekë Marinaj, ligjërues i lëndëve humane dhe letrare në Univeristetet e Dallasit në Amerikë, andaj studimi ka dalë i përgatitur mirë në aspektin profesional.

Vepra në fjalë, ndahet në  katër kapituj, që iu paraprin shënimi, “Në vend të parathënies për këtë studim”, në të cilin autori ka shpjeguar arsyet pse e ka marrë në shqyrtim romanin “Malësorja”, i cili si asnjë vepër tjetër në Kosovë, që kur është botuar (1965), e deri më sot, e ka bërë jetën e vet akademike në sistemin arsimor nga niveli fillor deri në atë universitar.

Në “Kreun e parë”, “MALËSORJA, Romani monumental i Kosovës”, autori merret me: Subjektin dhe strukturën dhe me vlerat humane të romanit, duke e arsyetuar pse “Malësorja” është romani monumental i Letërsisë Shqipe në Kosovë. Po në këtë kapitull, autori i ka bërë një vështrim të zgjeruar kritik këtij romani. E kjo shihet nga forma e veçantë me shënime përkatëse faqe për faqe.

Në “Kreun e dytë”, kemi shënime për: Kompozicionin e romanit, në të cilin janë trajtuar fillimi, zhvillimi dhe etapat kur është shkruar romani, deri te kompozicioni si formë artistike si dhe kategorizimi dhe fazat e kompozicionit. Pastaj merret me kohën kur është shkruar romani, me moshën e autorit, me rrethanat shoqërore e politike, me zhvillimet kulturore në Kosovë, pozitën e arsimit gjatë atyre viteve, duke e mbyllur këtë kapitull me “Natyralizmin”, si rrymë letrare në këtë roman.

Në “Kreun e tretë”, janë trajtuar kryesisht vlerat universale të romanit, ndikimi i tij, si dhe aspekte të tjera sociale, kulturore, arsimore e shëndetësore, duke i dhënë lexuesit një pasqyrë më të kompletuar për ato rrethana në të cilat mbijetoi romani “Malësorja” dhe letërsia shqipe në Kosovë. Pastaj, merret me procedeun e veprës, simbolikën dhe simbolizmin si dhe me aspekte të tjera letrare. Në një syth të tërë ai ka përshkruar “Zonën gjeografike në të cilën janë zhvilluar ngjarjet e romanit”, dhe me vitet kur është ndërtuar kompozicioni i romanit, duke dhënë një kronologji interesante të ngjarjeve e cila provokon mendjen e lexuesit, për thellësinë dhe imagjinatën e qasjes së studimit sipas kohës dhe stinëve.

Në “Kreun e katërt”, janë përfshirë tri përkushtime:Letrar, jetësor e poetik”. 1. “Prof. dr. Sabri Hamiti, 2. Prof. dr. Zejnullah Rrahmani dhe 3. Poezia “Na-Rra-Tive”, e autorit, të gjitha kushtuar Nazmi Rrahmanit.

Në fund të vepres është dhënë: Bibliografia e botimit të romanit “Malësorja”, bibliografia e shkrimeve kritike për romanin, literatura teorike, literatura shkollore, revistat si dhe burimet e internetit dhe rrjetave sociale, në të cilat është mbështetur studimi,  duke e bërë qasjen jo vetëm të kompletuar por edhe specifike për natyrën e studimeve letrare të kësaj fushe.

Autori ka në procesin e botimi edhe pjesën e dytë, “KARAKTERI dhe ARKETIPI, në romanin Malësorja të Nazmi Rrahmanit”, në të cilën janë thelluar qasjet për figurat letrare e stilistike, karakteret dhe arketipet, të cilat janë kundruar sipas teorisë së psikoanalistit zvicera Karl Gustav Jung. Ky studim i Shefqet Dibranit botohet “Me rastin e 80 Vjetorit të lindjes së Nazmi Rrahmanit dhe në 56 vjetorin e botimit të romanit “Malësorja”. E boti Shtëpia Botuese “FAIK KONICA”, Prishtinë, maj 2021.

Marrë me disa shkurtime nga gazeta “Bota sot”, Prishtinë, https://www.botasot.info/libra-sporti/1584941/botohet-studimi-malesorja-romani-monumental-i-kosoves/