Kamer e Murat Loshi, dy figura epike të përjetësuara në histori dhe në traditën popullore

(Bedri  Tahiri: “Kamer  e  Murat  Loshi  në histori  dhe  në  traditën  gojore”, “Lena”, Prishtinë, 2019)

Shkruan: Maxhun  OSMANAJ

           (Prolog  për  rrënjët)

            “Edhe Kamer Loshi i  kallëzoi Evropës së shqiptarët dinë të luftojnë e të vdesin për atdhe! (Azem  Galica , fq.4)

            “Loshët  kudo qofshin ata, në Batushë, në Padalishtë, në Suhagërrllë, Radishevë e  Kotorr janë të shartuem në trup, pra janë njerëz vleftë e të edukuem mirë, e nuk janë të  shartuem në degë që nuk lidhin kokrra kurrë ! (Mujë Loshi)

                                                Drenica

Kur mungon historia e shkrimit, atë e zëvendëson kujtesa e popullit nëpër breza. Kështu ndodhi nëpër shumë beteja të shqiptarëve, por kujtimet për ata që shënuan një epokë, që lanë gjurmë në shkëmbinjtë e  kohës në histori, u ruajtën nga brezi në brez, nga  goja në gojë në arkivin e  mendjes dhe në dashurinë e shpirtit shqiptar. Kështu ndodhi në tokat  shqiptare, kështu ndodhi në Drenicën heroike tash e një shekull.

            Shkrimtari, mjeshtër i monografisë, Bedri Tahiri, ua dha hakun dy figurave historike, dy Lisave që asnjë furtunë shfarosëse s’mundi t’i rrëxojë për tokë, as t’ua lëkundë rrënjët, Kamer e Murat Loshi, bashkëluftëtarëve të tyre dhe disa ngjarjeve historike. Pra, historiografia shqiptare u pasurua me një vepër monumentale-monografi, ku përmes hulumtimit të dokumenteve të kohës, të rrëfimeve, të informatorëve, arriti të ndriçojë dhe  përjetësojë dy figurat kolosale, epike, historike si dhe ngjarjet, që i treguan Serbisë  së  Parë, i treguan Evropës se shqiptarët kanë rrënjët e forta në trollin arbëror shekuj me radhë, si dhe nuk  thahen  kurrë  ato rrënjë, nuk rrëxohen kurrë ata lisa liridashës.”Drenicës i lanë nam: dijenia e Xhemail  Abrisë, sakica e Ahmet Delisë, dhe pushka e Azem Galicës” (Tahir Berisha, fq. 15).

            Autori Tahiri në një libër voluminoz (326 faqe) ka arritur t’u ofrojë  lexuesve, historisë dhe kohës një brumë  historik, po edhe etno-filozofik dhe psikologjik. Vepra ngritet në themelin e Atdheut me idealin e lirisë-kulmi i Atdheut, që ky ideal ishte pishë e ndezur për liri dhe pavarësi  shekuj  të  tërë;  ideal  që  s’u  shua kurrë. Tahiri me penën e mjeshtrit të hollë mbledh si bleta nektarin e kujtimeve, hulumton, studion, përzgjedh, krahason dhe ndërton një libër që do t’ia ka lakmi historiografia, kultura, folklori, psikologjia, filozofia…

            Libri fillon me një parathënie të thukët të prof. dr. Mehmet Rukiqi, vazhdon me prolog dhe hapet me kapitullin Drenica, ku pas shumë  titujve, që simbolizojnë ngjarje, personalitete, përmbyllet me një recension  thelbësor  i prof. Hamdi Thaçit.

            Autori jep të dhëna për Dardaninë ilire, në qendër të së cilës gjendet  Drenica heroike, jep të dhëna historike-gjeografike për fshatrat e kësaj  treve si dhe të dhëna për Pemishtën, vendlindjen e kryepersonazheve të librit në fjalë. Tahiri hulumton për gjenezën e Loshëve nëpër udhëkryqet e historisë, për bijtë e bijat e Loshëve para Luftës së Parë Botërore dhe pas Luftës së Parë Botërore, të cilët mbrojnë pragun e shtëpisë, qoftë me  sopata siç është rasti i Ahmet Delisë, apo rasti i motrave: Ajkune Sylë  Loshi (1866-1977) dhe Elfije Sylë Loshi (1887-1968), të cilat me sëpatë dhe pushkën e rrëmbyer vrasin një serb dhe plagosin një tjetër, duke i dalë në  ndihmë vëllait të lidhur nga bandat çetnike serbe.

            Lexuesi mëson se Loshët gjatë historisë vazhdimisht ia kthyen pushkën çdo armiku, pra, ishin të pushkës, por edhe të mendjes. Torturat dhe mizoritë e Serbisë së Parë ishin të papara. Shqiptarët torturoheshin, vriteshin dhe detyroheshin të shpërnguleshin duke ua marrë tokat  punuese, në mënyrë që të realizohej elaborati famëkeq i Vasa Çubrilloviqit ”Shpërngulja e Shqiptarëve“ të vitit 1937, shqiptarët duhet shpërngulur në masë duke përdorur mënyra e metoda të ndryshme, prej frikës deri te gjenocidi fizik” (fq. 82).

            Këtyre torturave, këtij gjenocidi nuk iu përkulën dragojtë e historisë: Ahmet Delia (1912), Kamer e Murat Loshi (1924), Azem e Shote Galica (1924), Adem Jashari (1998) e shumë e shumë trima-trimëresha të paepur  që i lanë nam historisë.

            Lexuesi mëson për kampin famëkeq “Balta e Runikut”, ku për disa javë torturoheshin, maltretoheshin dhe vriteshin qindra shqiptarë pa hak as  hile, pa asnjë shkak, vetëm pse ishin shqiptarë. “Fuqia e tiranit mund të t’i  lidhë duart, por kurrë zemrën dhe dinjitetin” (Shiler). Narracioni i  rrëfimit është mjeshtri dhe prekës, ku në mënyrë kronologjike na jep  ngjarjet rrënqethëse për lexuesin, por që ngritin dinjitetin deri në piedestal, siç është rasti në Kampin e Runikut, apo djegia e Rakinicës (1920), masakrimi i tridhjetë fshatarëve të pafajshëm dhe plagosjes së pesë vetave, pra, është një nga tragjeditë e shumta, që na i ofron autori përmes rrëfimeve, dëshmive dhe referencave historike, por “Historia nuk është gjithmonë ajo që thuhet e mësohet; e vërteta rrinë e ndryshme ndër  kasaforta me shumë çelësa  sekret“ (At  Zef Pllumbi).

Kamer Sejdi Loshi (1882-1924), (Oso Kuka i Drenicës)

Zullumi, torturat, maltretimet, vrasjet që ushtronin bandat çetnike  serbe dhe pushteti serb në mënyrë kronologjike në çdo fshat në Kosovë, përkatësisht në Drenicën heroike, që asnjë pushtuesi nuk iu përkul, trimat e fshatit Pemishtë do t’i dalin Serbisë së Parë “dardhë me bisht”. Kamer Sejdi Loshi, bashkë me kushëririn e afërt, Murat Sadri Loshin me shokë, vëllezër ishin pjesë e çetave të Azem Galicës. Pemishta i kishte lindur dhe rritur, ndërsa në moshë të re u burrëruan, u ballafaquan me banda çetnike dhe i treguan Serbisë se këto troje nuk pranojnë nënshtrim.”

            Bashkëluftëtarët më besnikë të Azem Galicës, në mesin e të cilëve  ishin edhe: “Kamer Loshi me Zenelin e Muratin nga  Padalishta,…Mic  Tahiri nga Kllodërnica, Tush Selmani nga Izbica…”(fq.97).  Pra,  janë  këta  trima  që  merrnin  gjak  në  vetull  e  vdekjen e shikonin drejt në sy.            Me formimin  e Arbërisë  së Vogël, java e parë e marsit 1924, “Grupi i luftëtarëve: Kamer Loshi, Zenel Loshi, Zeqir Loshi, Murat Loshi, Fazli Çabra, Tush Selmani i Izbicës, dhe Mic Tahiri i Kllodërnicës ishin strehuar  në një shtëpi prej gardhi, pronë e një kolonisti serb, në Belicë” (fq.99). Aty  u zhvillua një betejë, që mbeti në histori. Një dragua, pra, Kamer Loshi  lufton ndaj qindra xhandarëve, xhandarmërisë serbe, meqë Fazli Çabra, në fillim vritet, ndërsa bashkëluftëtarët e tjerë, Kameri i urdhëron të çajnë rrethimin, pra të largohen. “Oso Kuka i Drenicës” (ky epitet, sipas Ajet Haxhiut) nuk e jep dorëzimin, nuk i nënshtrohet “naçallnikut” për  dorëzim. Këtë më së miri e ruan edhe kujtesa e popullit në  këngë: “Kamer Losh, o Kamer  Sejdia/Çohu bre djalë, t’ka rrethue Serbia/Po pisket  Kamer Sejdia/Delni shokë, ra tanë shoqëria/Bini djem se u vra Fazlia/Naçallniku po i çon fjalë/Ti Kamer kënke budallë/,….dhe kënga përfundon me mosdorëzimin e Kamer Loshit deri në frymën e fundit ku thotë: Kalle n’flakë more qitja timin/Kalle n’flakë more qitja tymin/sa  t’jem gjallë, s’ta  jap dorëzimin” (fq. 239, këndoi Dervish Shaqa).

            Në libër janë dhënë pesë motërzime këngë për Kamer e Murat Loshin nga këngëtarë anekënd Kosovës dhe në Shqipëri, nga i pavdekshmi, rapsodi Dervish Shaqa.

            Vepra e Kamer Loshit me vëllezër, me kushëri dhe shokë më 4 mars, 1924 në Belicë të Kisha, mbeti përjetësim i krenarisë epike, i  atdhedashurisë  deri në  flijim. Ai i vetmuar nuk del nga koliba prej gardhi, por  i vetmuar lufton me xhandarët serbë duke dhënë një shembull epik unikat në histori. Epopeja e Kamer Sejdi Loshit me shokë u dha krenari, dinjitet dhe moral secilit  atdhedashës që ruan  gjak shqiptari dhe i rrah zemra  për shqiptarizëm. Ai luftoi  si dragoi kundër  kuçedrës plakë dhe i dha leksion se trojet tona nuk nënshtrohen lehtë. Nga vrasja e kriminelit të asaj ane, nga ana e Kamerit dhe Muratit ”Budë Shipovakun, ai definitivisht mbeti maleve dhe u bë sinonim i luftërave për liri e ribashkom kombëtar”(fq.95). Djaloshi i ri, përjetoi ngjarje të tmerrshme në Kampin e Runikut, më 1912 ku ia vranë mizorisht, axhën e tij, Sylë Loshin. Nga ai moment, si 20 vjeçar, djaloshi  i ri do t’i bashkohet programit të Azem Galicës dhe në  çetën e tij nuk do ta ndalë aktivitetin luftarak deri në flijim.

Murat  Sadri  Loshi   (1903- 1974)

         “Protagonisti i dytë i Epopesë së njohur të Luftës së Belicës, ishte Murat Sadri Loshi. Ky burrë babaxhan, i pushkës dhe i fjalës, i trimërisë dhe besnikërisë, i fushëbetejave dhe kuvendeve e odave, me veprën dhe shembëlltyrën e vet la nam në gjithë Drenicën”(fq.119).

            Murati ishte kushëri i afërt me Kamerin, njeriu më besnik i tij, andaj, Kameri ia dorëzoi të gjitha gjësendet personale Muratit në çastin e ndarjes: orën, qystekët, kutinë, qelibarin, duke i kërkuar Muratit me shokë ta çajë rrethimin dhe ky do të luftojë deri në frymën e fundit. Për këtë tregon edhe kënga. ”Murat Loshi thuhej se ishte një ndër të rrallët në Kosovë që  ishte njeri i mprehtë dhe i aftë si të ishte një intelektual që zor gjindet sot. Murati ishte shkencë në vete tregonin njerëzit e kohës”(fq.119).

            Pemishtja kishte dhënë njerëz të pushkës dhe të dijes, Murat Sadri Loshi dhe urtakun, pleqnarin Mujë Loshi (1916-1994).

            Një kapitull të librit, autori na ka ofruar portetin e Murat Loshit pos si luftëtar edhe si tregimtar i zoti, i mprehtë. Anekdotat e Murat Loshit kanë porosi të mëdha në çdo kohë.

            Pas betejës së Belicës, pra pasi dalin nga rrethimi, me insistimin e Kamerit, ai me shokë nuk e ndal aktivitetin luftarak në Llaushë, si dhe kalimi i tij në Shqipëri bën që edhe atje t’i  ndihmojë Bajram Currit me  shokë kundër satrapit Ahmet Zogut.

            Edhe nipi i Isë Boletinit, Tafil Boletini në kujtimet e tij shkruan për Muratin: ”Si kryetar çetash, në rreth të Pejës, e të Drenicës, shquheshin Nak  Berisha, Murat  Loshi, Zeqir Rexha, e  Ramë Beka” (fq.126).

            Murat Loshi më 1941 kthehet në Kosovë dhe merr pjesë me shokë në mbrojtje të myslimanëve në Sanxhak dhe Treg të Ri nga çetnikët e Drazha Mihajlloviqit.

            Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Murati me bashkëfshatarë morën  pjesë në Brigadën e VI të  Kosovës deri në Kroaci, ndërsa pas mbarimit të luftës, prapë sllavo-komunistët nuk e lanë të qetë, e burgosin “Nëntë  muaj dënim e maltretim i vuajti në Kullën e Sheremetit në Pejë, me aktakuzë për vrasjen e gjashtë serbëve në Cërkolez të Istogut”(fq.134).

            Luftëtari i shumë betejave, i paepuri për liri dhe bashkim kombëtar, Murat Loshi vdiq më 20 shkurt 1974, ku u varros në Pemishte, duke lënë pas vete dy djemw: Musliun dhe Sadriun si dhe nipa e mbesa plot.

            Autori në një kapitull Profile luftëtaresh ka dhënë portretin biografik-atdhetar të vëllezërve të Kamer Loshit, Zeqir Sejdi Loshi(1894-1938) Zenel Sejdi Loshi (1896-1939) mandej Fazli Nurë Çabra (1890-1924 Tush Selmani (1900-1944) Mic Tahirin.

Loshët e dhanë provimin edhe në luftën e fundit të UÇK-së   duke dhënë luftëtarë të paepur dhe dëshmorë. Trimat e Loshëve me  epopetë e tyre mbetën kënga dhe melodia më e ëmbël për tokën arbërore. Siç  thoshte rapsodi Dervish Goxhuli  se: “Kënga del prej  prej grykës së pushkës” (fq. 304).

            Vitin  e kaluar, më  2018 me rastin e zbulimit  të lapidarit të këtyre dy  dragojve të historisë, presidenti Thaçi dekoroi Kamer e Murat Loshin me Urdhrin “Hero i Kosovës”, ndërsa më 3.06.1993, ish Presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha, dekoroi Murat Loshin me “Urdhërin për  Veprimtari Patriotike, Klasi II”.

            Tahiri ka pasuruar librin me referenca, me informata, burime, duke na dhënë një libër monumental për tribunët Kamer e Murat Loshi me bashkëluftëtarë si dhe duke ndriçuar ngjarje përmes rrëfimeve të hulumtuara në teren.

            Libri përmbyllet me Dëshmorët e fundit të Luftës së UÇK-së: Isuf Muharrem Sadikaj (1977-1998), Ajet Halil Beqiri (1960-1999), Mustafë Rexhep Qorri (1958-1999), Shukri Avdullah Qorri (1972-1999), Ismail Beqir Loshi (1962-1999).

            Bedri Tahiri i ka bërë nder historiografisë dhe traditës gojore duke i përjetësuar trimat e lart përmendur, si dhe ngjarjet të cilat patën jehonë të madhe në popull. E kemi borxh ta kemi këtë vepër  monumentale në çdo familje dhe bibliotekë shkollore, ngase libri shënon dhe ruan pavdekësinë e trimave që shkrinë çdo gjë për lirinë e Kosovës. Autorin e përgëzojmë për  këtë libër dhe i urojmë shëndet dhe suksese të reja.

(Në foto autori i shkrimit: Maxhun  OSMANAJ)