Autoritetet turke janë përkujdesur që kafshët e braktisura në rrugë të kenë ushqim gjatë orës policore që zbatohet në vend si pjesë e masave për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri (COVID-19), raporton Anadolu Agency (AA).

Stafi dhe ekipet e mbrojtjes së mjedisit dhe mbrojtjes së kafshëve në disa qytete turke, duke përfshirë qytetet Sakarya, Düzce, Zonguldak dhe Karabük, lanë ushqim për kafshët e braktisura gjatë fundjavës për të shmangur urinë gjatë orës policore, kur qytetarët nuk mund t’i ushqejnë siç bëjnë normalisht.

Ekipet linin ushqim dhe ujë në vende të ndryshme dhe shpesh luanin me kafshët e braktisura.

Autoritetet lokale vepruan pasi paraprakisht, Ministria e Punëve të Brendshme të Turqisë urdhëroi guvernatorët që të mos harrojnë kafshët e braktisura gjatë orës policore.

Turqia hyri në orë policore në mbarë vendin duke përfshirë festën tradicionale të Vitit të Ri që nga e enjtja në mbrëmje deri në mëngjesin e 4 janarit, si pjesë e masave për të ndaluar përhapjen e koronavirusit të ri.