Nga Prof. Dr. Lush SUSAJ
Reformat turke të periudhës së Tanzimatit (1839-1876), e përkeqësuan gjendjen ekonomike dhe shoqërore të shqiptarëve, ato synonin të forconin pozicionin e tronditur të Perandorisë Osmane dhe ishin përpjekja e fundit e osmanëve për ta ngjallur dhe ruajtur këtë perandori të konsumuar nga pushtimet e gjata dhe nga lëvizjet çlirimtare të kombeve të shtypura prej saj.
Përmes reformës gjyqësore, u përkeqësuan të drejtat dhe liritë e njeriut, ndërsa përmes reformës ushtarake u vendos rekrutimi i detyrueshëm i shqiptarëve në ushtrinë e rregullt osmane për një periudhë që shkonte nga 3 deri në 7 vjet.
Deli Pjetër Imeri, një nga më jetëgjatët e krahinës, ka qënë njëri nga të rekrutuarit e shumtë të zonës që qëndroi nizam në luftërat e zhvilluara nga Anadolli e deri në Rusi e që bashkë me disa burra të tjerë nga Currajt dhe Mulajt, ishin nizamët e fundit që arritën që të ktheheshin shëndosh e mirë pranë familjeve të tyre. Në Nikaj-Mërturë, burrat e vllaznisë së Qokajve të Currajve të Epërm, tregojnë për një plak të urtë të tyre, që në atë periudhë kishte patur një djalë të fuqishëm por dembel. Baba e kishte nemun djalin e tijë duke i thënë: “shko në punë e të çoftë Zoti përtej Stambollit”. Në një ditë të bukur, ia marrin djalin nizam dhe si për koinçidencë ia dergojnë me shërbim rreth 30 ditë rrugë përtej Stambollit. Kjo e merziti shumë plakun e Qokajve, i cili në një takim me njerëzit e tij, meqë besonte shumë tek e drejta e Zotit, ju tha atyre: “djalin e zu nema qe i dhash, por do më kthehet shëndosh e mirë sepse i kam thënë: të çoftë Zoti përtej Stambollit e të ktheftë shëndosh e me të tjera mend tek shpia jote”. Kështu ndodhi, pas shtatë viteve në ushtri, djali iu kthye shëndosh e mirë, i burrëruar dhe më i urtësuar e punëtor.
Gjatë periudhës së Tanzimatit, liria dhe të drejtat e njeriut u përkeqësuan edhe shumë për shkak se Perandoria Osmane, u bë më brutale me shqiptarët, u bë më e egër dhe më e angazhuar për të fshirë çdo lloj identiteti e trashëgimie shqiptare në rajon. Puna shkoj deri në atë pikë sa administrata osmane nuk e nifte dhe as nuk e pranonte më ekzistencën e kombit shqiptar. Kombësinë shqiptare duket që e kishin fshirë nga harta, kohë më parë, shqiptarët i kishin regjistruar dhe i kishin shpallur si turq. Kjo i konvenonte interesave të zgjerimit të shteteve fqinjë që fituan pavarësinë dhe u shkëputën më herët se shqiptarët nga ish perandoria pushtuese. Në këto kushte, në politikën dhe diplomacinë botërore, shqiptarët idntifikoheshin si turq, shkonin ushtarë si turq, trajtoheshin si turq, kështu nuk kishin asnjë të drejtë të hapnin shkollat dhe as të shkruanin e të mësonin në gjuhën e tyre amëtare.
Në kohën kur popujt e tjerë të rajonit ishin ngritur në luftën e tyre për lirinë, identitetin dhe pavarësinë e tyre, në kohën kur fqinjët tonë kishin filluar të hidhnin themelet e administratës dhe të shteteve të tyre të pavarura, tek shqiptarët ndodhi përgjumja e njohur politike dhe gëlltitja e gënjeshtrave fatale që vinin nga i ashtuquajturi “i Sëmuri i Bosforit”.
Në këtë kohë, në të gjithë hapësirën shqiptare, nga ana e pushtuesve dhe veglave të verbëra të tyre, u eleminua edhe ajo pak autonomi krahinore që mëzi ishte ruajtur e që kishte funksionuar gjatë gjithë shekujve të XV-XVIII-të. Gjatë periudhës së Tanzimatit, të gjitha kundërshtitë antiosmane të shqiptarëve dhe malsorëve në veçanti, janë ndëshkuar shumë rëndë.
Në kushtet e shpërbërjes së Perandorisë Osmane, ndryshe nga kombet e tjera, elita shqiptare e vrarë dhe e dhunuar për vite me radhë, nuk e pati as kurajon dhe as kthjelltësinë e duhur politike mbi të ardhmën e vendit dhe të shtetit kombëtar. Për pasojë edhe levizja jonë çlirimtare, krahasuar me vendet e tjera të rajonit, qe e vonuar, e paorganizuar, e përçarë dhe e paorientuar në zgjidhjet afatgjata të çështjes shqiptare.
Korrupsioni politik i pushtetit osman, shoqëruar edhe me dhunën e ashpër ndaj çdo elementi të kulturës dhe të historisë sonë kombëtare, kishte prodhuar një situatë të tillë dëshpëruese e turpëruese, ku një pjesë e madhe e shqiptarëve të shpërblyer me toka e poste administrative, ishin bërë besnikë të verbër ose luftetarë të çartun të perandorisë që ishte në grahmat e fundit të sundimit të saj.
Gjatë periudhës së Tanzimatit dhe më vonë të gjonturqve, një pjesë e madhe e elitës politike që kishte lindur dhe ishte rritur në Stamboll, realisht nuk lanë gjë pa bërë për eleminimin e çdo përsonazhi apo projekti europianizues të elitës së mirfilltë europiane. Në këtë periudhë janë vrarë e syrgjynosur mbi 2000 intelektual me prirje, veprimtari dhe formim të mirfilltë europian. Në këtë mënyrë, nga sjellja dhe shtresëzimi otoman i shekujve, pavarësia dhe shtetëformimi shqiptar është vonuar, është sakatosur dhe është defaktorizuar që në lindjen e tij. Praktika e eleminimit, mërzitjes dhe dëbimit të elitave, është përdorur edhe nga Zogu, ndërsa akoma më e rëndë ka qënë goditja e bërë nga komunistët. Në një mënyrë edhe më tinëzare, ky model mërzitje, dëbimi dhe goditje është përdorur në këto 28 vite me demokraci hibride, otomano-komuniste. Në këto 28 vite me demokraci hibride, otomano-komuniste, situata jonë shoqërore dhe politike ka degraduar deri në atë pikë sa është krijuar përshtypja sikur në Shqipëri, nuk ka nevoj as për dije, as për ekspertizë, as për inovacion, as për projekte politike e shoqërore, as për shkëncë, as për arsim dhe as për akademi. Sipas kësaj sjellje antivlerë dhe antikulturë, sa më shumë që të abuzosh e të vjedhësh, sa më i dhunshëm që të jesh, sa më hipokrit, mashtrue e sharlatan që të bëhësh, aq më lartë do të arrish në administratën dhe në institucionet e vendit, aq më shpejt do të pasurohesh dhe aq më shumë do të durtrokitesh.
Në kuadrin e përpjekjeve të mëdha të perandorisë osmane për të mashtruar shqiptarët dhe për të zhdukur çdo rezistencë, trashëgimi dhe sjellje shtetëformuese të tyre, në vitin 1856, është shpallur dhe ka nisur implementimi i të ashtuquajturit “ligji i Xhibalit” që gjoja do të “rregullonte” marrëdhëniet midis Portës së Lartë dhe malsorëve të shqipërisë.
Ligji i Xhibalit ka qënë një tjetër ligj degradues, korruptues dhe në shërbim të pushtuesve dhe të veglave të tyre parazite dhe antishqiptare. Sipas këtij ligji, bajraku si një funksion administrativ i sajuar nga pushtuesit osman e që në vendet e rajonit ishte zhdukur me kohë, në Shqipëri, jo vetëm që nuk u zhduk por u zhvillue edhe më shumë duke e fuqizuar me kopetenca të reja e të gjithanshme. Për të parçarë banorët dhe për të reduktuar lëvizjet antipushtuese, për bajaraktarët e malësive të vendit u paracaktue edhe një pagë e mirë mujore që ka funksionuar edhe gjatë periudhës së sundimit otoman të Zogut.
Me këto ndryshime ligjore, bajraktarit dhe funksionarëve të tjerë të kësaj strukture, iu dha mundësia që të pasuroheshin më shumë dhe më shpejtë përmes gjobave që mbajtësit e myhyrit e të vulvae otomane vendosnin ndaj atyre që binin në grackën e rregullave të Xhibalit. Me ligjet dhe strukturat e reja të periudhës së Tanzimatit, dënimet hakmarrëse shkonin deri atje, ku fiset dhe familjet e përsonave të padeshiruar për sundmtarët dhe administratën otomane, mund të internoheshin nga fshati apo krahina për në Anadoll apo në vendet e tjera të largëta të ish perandorisë. Në këtë mënyrë, përmes tollovitjes së qëllimshme të popullsisë, është shkatërruar edhe struktura e unitetit, bashkimit dhe qëndresës së shqiptarëve. Është shkatërruar besimi tek mundësia për t’u bashkuar e për të mundur të keqën që vjen nga apatia dhe mosreagimi qytetar.
Ligji i Xhibalit dhe e gjithë paketa e reformave të Tanzimatit dhe e gjonturqëve të mëvonshëm, e ka rënduar dhe përkeqësuar unitetin dhe jetën e shqiptarëve dhe të malësorëve të veçanti. Kjo për shkak se në vend të zgjidhjeve që kërkonte koha dhe interesi politik e shtetëror i shqiptarëve, pushteti osman hartoj dhe implementoj marrëveshje dhe ligje antishqiptare që goditën rëndë traditën, trashegiminë, territorin dhe të gjitha marrëdhëniet midis banorëve dhe krahinave të vendit.
Këto ligje dhe reforma antipopullore, gjithnjë janë kundërshtuar nga popullsia shqiptare.
6 Shtator 1878, mesazhi i Gjakovës për marrëveshjet mbi territorin dhe popullsinë
Në një situatë të rëndë shoqërore e politike të vitit 1862, Porta e Lartë pati dërguar në Malsinë e Gjakovës, Maxharr Pashën (Mehmet Ali Pashën) në krye të një ushtrie prej 12 taborresh, me mision zbatimin me forcë të reformave të Tanzimatit.
Maxharr Pasha ka qënë një pasha osman me origjinë nga Hungaria. Emri i tij i vërtetë ka qënë Sharli Detru. Ai është konvertuar në mysliman në moshën 16 vjeçare, kohë kur ka marrë emrin e ri Mehmet Ali Pasha. Në Kosovë, në Malësinë e Gjakovës dhe më gjërë, mbahet mend si një pasha i dhunshëm, hakmarrës dhe antishqiptar që është vrarë në Gjakovë me 6 Shtator 1878.
Në betejën e vitit 1862 e cila është fituar nga malsorët, janë djegur dhe shkatërruar edhe shumë fshatra dhe banesa, si dhe janë vrarë dhe internuar shumë familje nga e gjithë Gjakova dhe malësia e saj. Në këtë betejë kanë marrë pjesë të gjithë burrat e Malësisë së Gjakovës, nga Gashi, Krasniqja, Bytyçi, Nikaj-Mërturi, Shala, Shoshi dhe krahinat e tjera të Luginës së Drinit. Në luftimet e vitit 1862 që kulmuan me luftën trup me trup e zhvilluar në Krasniqe të Malësisë së Gjakovës, ushtria osmane është mundur duke lënë rreth 1500 ushtarë të vrarë e të mbytur në Lumin e Valbonës.
Pas kësaj humbje, Maxharr Pasha e ka tërhequr ushtrinë në Gjakovë, ku ka bërë dhunime dhe arrestime në masë, përfshirë këtu edhe familjen e Shaqir Currit që e arrestoj dhe e nisi për në burgun e Prizrenit. Me këtë rast, gjatë rrugës për në Prizren, në vitin 1862, në qerrën e transportit, në fshatin Krushë, ka lindur Bajram Curri, të cilit i shkoj jeta në rrugën e lirisë.
Në vitin 1878, Maxharr Pasha (Mehmet Ali Pasha) është rikthyer përsëri në Gjakovë, si duket e kishte harruar humbjen e madhe të vitit 1862 dhe paralajmërimet serioze të shqiptarëve. Para nisjes ka arritur që të korruptojë një pjesë të madhe të parisë së malsorëve duke i marrë ata si dorëzanë, dhe më pas “në dorën e tyre”, është kthyer në Gjakovë për t’ia dorëzuar Malit të Zi, krahinat shqiptare të Plavës e të Gucisë.
Krahasuar me vitet 1845, 1862, 1871, 1876, në vitin 1878, për shkak të daljes në skenë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, lufta për mbrojtjen e trojeve shqiptare ishte bërë më e kuptueshme, më e vetëdishme dhe më e organizuar. Me këtë rast, vlen të sjell në kujtesë një përfundim nga kërkimi shkencor i historianit Skender Rizaj, sipas të cilit:, “Lidhja Shqiptare e Prizrenit nuk është formuar me 10 Qershor 1878, kohë që e tregojnë financimet dhe dokumentat osmane. Realisht ajo është lidhja e shqiptarëve patriot, është lidhja e krijuar jashtë dëshirës së strukturave osmane dhe është formuar me 10-20 Janar 1877, kohë kur shqiptarët janë bashkuar për të reaguar të vendosur dhe pa kompromis ndaj pabesisë osmane me territoret shqiptare”.
Dihet që atë që deri më sot na është servirur nga historiografia si Kuvendi i Prizrenit i datës 10 Qershor 1878, sipas deshmisë së pjesmarrësve të kohës dhe pasardhësve të tyre, është hapur dhe është përshëndetur nga Mytesarifi i Prizrenit, zyrtari më i lartë i administratës së pushtuesve të kohës. Edhe lëvizja e delegatëve për në Prizren, fjetja, ushqimi, etj, thuhet se janë financuar nga administrata osmane. Ndërsa në Janar të vitit 1877, ka ndodhur krejt ndryshe, në atë kohë janë mbledhur vetëm shqiptarët patriot, u mblodhen pa marrë leje tek pushtuesit osmanë dhe pa asnjë mbështetje as detyrim ndaj pushtuesve që nënshkruanin faljen e territoreve shqiptare dhe dëbimin e shqiptarëve për në vendet e ftofta të Azisë. Dihet edhe fakti se si drejtuesit e lidhjes së Qershorit 1878, kanë jetuar në bollëk dhe pa u cënuar në asnjë pronë dhe në jetët e tyre, ndërsa drejtuesit e lidhjes së mirfilltë të patriotëve antiosmanë të janarit 1877, të gjithë janë vrarë në beteja, në atentate, etj. Kështu janë vrarë Col Delia, Ali Ibra, Sulejman Vokshi, Haxhi Zeka, Ali Pash Gucia, Ymer Prizreni, Ahmet Koronica, etj. Me këtë rast duhet të kujtoj faktin që flitet kudo e sa herë që diskutohet për këtë temë e që ka të bëjë më atë që shpirti dhe vepra më e ndritur e kësaj ndërmarrje politike, ka qënë dhe mbetet Ymer Prizreni, ish kryetari i Lidhjes së Prizrenit, barriera më serioze ndaj Sulltanit dhe administratave sllavo-otomane.
Mehmet Ali Pasha, përveç dorzanëve të mashtruar e të korruptuar që kishte marrë me vehte, ka ardhur në Gjakovë i shoqëruar edhe nga një numër i madh ushtarësh të egër e të sprovuar në beteja.
Në këto kushte, prijësit popullorë të Malësisë së Gjakovës, Col Delia, Ali Ibra dhe Haxhi Zeka, bashkë me Ali Pash Gucinë, Ymer Prizrenin dhe Ahmet Koronicën, në Shtator 1878, kanë planifikuar dhe organizuar rrethimin dhe ekzekutimin e Mehmet Ali Pashës në sarajet e Abdullah Drenit në Gjakovë.
Maxharr Pasha e pati marrë sinjalin e fortë të kundërshtisë që me 27 Gusht 1878, kur pati thirrë parinë e shqiptarëve në Prizren për të ba marrëveshje me ta e për t’u kerkuar atyre kalimin pa luftë të Plavës e të Gucisë nën administrimin e Malit të Zi.
Gjatë kohës që pashai osman ju kërkonte shqiptarëve marrëveshjen e dorëzimit të Plavës dhe Gucisë, Ramadan Zaskoci nga Luma, në shenjë mosbindje, ka vrarë Sokrat Argiragin, telegrafistin e Maxharr Pashës me origjinë greke.
Maxharr Pasha nuk e përfilli këtë sinjal dhe as revoltën e shqiptarëve të malësisë së Gjakovës, të Plavës, të Gucisë, të Hotit, të Grudës, të Nokshiqit, të Krajës, etj. Këtë idjotësi e bëri për shkak se ai besonte tepër tek fuqia ushtarake që e shoqëronte dhe tek dorzanët që kishte korruptuar e që realisht nuk i përfilli askush, madje as kushërijt dhe as të afërmit e tyre. Njëri nga këta dorzanë (ai më kryesori) ka qënë Shaqir Curri, baba i Bajram Currit, të cilin e ka vrarë Col Delia, luftetar nga fisi i Currit. Col Delia i Geghysenit të Krasniqës, me 6 Shtator 1878, për të arritur deri tek pashai që ishte mbyllur në novojtore, ka ecur mbi gjak dhe kufoma ushtarësh të vrarë nepër shkallë dhe korridore. Në mbrojtje të pashait osman, në ato minutat e fundit të jetës së tij, kishte mbetur Shaqir Curri, dorëzani i fundit dhe me influencë në Gjakovë dhe më gjërë.
Në këto kushte, Col Delia e ka vrarë Shaqir Currin tek dera, pas tij ka vrarë edhe Maxharr Pashën, aty për aty është vrarë edhe vetë nga një bodigard i pashait. Vite më vonë, Bajram Curri, në mënyrë publike, ia ka falur gjakun e babës familjes së Col Delisë. Këtë veprim të drejtë e kanë përshëndetur të gjitha familjet dhe fiset e Gjakovës, të Hasit dhe të Shkodrës. Kjo për faktin se Shaqir Curri nga i interrnuar në vitin 1862, rreth 16 vite më vonë, në vitin 1878, doli kundër zakonit, rrugës dhe fatit të njerëzve dhe vendit të tij dhe u ba dorzanë i pashait që kishte për mision vulosjen e marrëveshjes së dorëzimit të Plavës e Gucisë.
Në Gjakovë dhe rrethina, akoma tregohet mënyra se si në atë rrethim të Shtatorit 1878, i mbyllur në kullë dhe i mbetur pa ujë, Maxharr Pasha ju ka kerkuar kryengritësve me ndrrue një kovë ujë me një kovë napolona florini, kërkesë që është kundërshtuar.
Këto zhvillime erdhen në një kohë kur Cari i Rusisë, në vitin 1878, e pati kërcënuar hapur Sulltanin duke i thënë se: “nëse nuk do të zbatonte menjëherë detyrimet territoriale ndaj Malit të Zi, do të urdhëronte ushtrinë ruse që marrshonte për në Stamboll”.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit e Janarit 1877 dhe Lidhja e Shkodrës (1879), e bën rezistencën shqiptare më të fortë, administratës osmane i është bërë e ditur që, pa praninë e të zotëve të vendit, të mos merrte asnjë vendim e as marrëveshje. Rezistenca e armatosur e forcave të lidhjes më në krye Ali Pash Gucinë, nuk e ndaloj dot aneksim e Plavës, Gucisë, etj, por ka ndikuar për mirë në ndaljen e vrasjeve dhe të shpërnguljeve masive të shqiptarëve autoktonë nga trojet e tyre. Edhe pas vrasjes së Maxharr Pashës, duket që oreksi dhe përpjekjet e fqinjëve për zgjerimin e territoreve nuk është ndalur.
Në këto rrethana, nga përfaqësuesit e lidhjeve shqiptare është përdorur edhe një rrugë tjetër. Përfaqësuesit e Lidhjes së Prizrenit, arritën që të komunikojnë dhe të paralajmërojnë për pasoja edhe Komisionin Ndërkombëtar të Kufirit që vepronte në terren. Në këto kushte, me 22 gusht 1879, në ditën që ky komision do të shkonte për në Plavë dhe Guci, komisioni i paraqiti një letër autoriteteve të Fuqive të Mëdha, përmes të cilës i kerkonin mosndryshimin e kufirit ekzistues të shqiptarëve me Malin e Zi, pa bisedime dhe pa pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Lidhjes së Prizrenit. Pas kësaj letre, komisioni është tërhequr duke e pezulluar punën dhe udhëtimin për në Plavë e Guci.
Përballë kësaj situate, shteti i konsoliduar i Malit të Zi, ka protestuar fuqishëm ndaj Fuqive të Mëdha të cilat e detyruan Perandorinë Osmane që të zgjidhte situatën, gjithnjë duke i falur territoret, bregdetin dhe bjeshkët e popullsisë shqiptare.
Madje Porta e Lartë ra përseri në lojën e njohur antishqiptare të identifikimit dhe të trajtimit të shqiptarëve si turq. Nxorri njoftime përmes të cilave ju kërkoj kryengritësve shqiptarë që të heshtin e të heqin dorë nga territoret, nga lufta dhe nga gjaku i derdhur për tokat e tyre. Në këtë kuadër, administrata osmane njoftonte që për familjet shqiptare që nuk donin të jetonin nën qeverisjen e shtetit të Malit të Zi, do të ketë lehtësira për lëvizjen e tyre drejt vendbanimeve të reja në Azi. Këto veprime absurd, bashkë me paraqitjen dhe trajtimin e shqiptarëve si turq, e kanë nxirë, e kanë degraduar dhe vrarë rëndë çështjen shqiptare në Ballkan dhe më gjërë.
Sipas këtij modeli që në vitet, dekadat dhe shekujt e mëvonshëm është quajtur shkëmbimi i popullsive dhe territoreve, miljona shqiptarë humbën përgjithmonë identitetin, tokat dhe banesat e tyre shekullore dhe u degtisën në krahinat e ftofta e të largëta të Azisë. Shqiptarët nuk kishin ardhur me turqit, as nuk ishin turq dhe as nuk kishin pse të vishnin lëkurën e tyre. Si populli më i vjetër e rajonit, nuk kishte as territor dhe as popullsi për të falur as për të shkëmbyer. Që nga viti 1385 e deri më sot, janë mbi 630 vite dhunë e idjotësi politike e shtetërore e modelit otoman. Shqiptarët autoktonë janë trajtuar dhe po cilësohen në mënyrën më të gabuar si myslimanë turq. Kjo nuk është aspak e vërtetë, kjo qasje i ka shërbyer dhe do t’i shërbejë varfërisë, vuajtjeve, përçarjes dhe humbjes së mëtejshme të territoreve dhe të popullsisë dhe pasurive të vendit. Bashkë me këto dhe popullsinë e shperngulur, për shkak të kësaj qasje të gabuar, Shqipëria ka humbur sipërfaqe të madhe të territorit, duke filluar nga 126000 km2 që ishte në vitet 1845-1878, në 28750 km2 që ka mbetur nga viti 1913 e deri më sot. Nga kjo maskaradë, Shqipëria ka humbur mbi 77,8% e territorit.