Presidenti i zgjedhur amerikan, Joe Biden deklaroi të mërkurën se beteja kundër koronavirusit “është si të hysh në luftë. Duhet një komandant i përgjithshëm”.
Zoti Biden pritet të bëhet presidenti i 46-të i SHBA, pas ceremonisë së betimit më 20 janar.
Gjatë një tryeze të rrumbullakët të zhvilluar përmes internetit me punonjës të kujdesit shëndetësor, të cilët ai i quajti heronj në betejën me koronavirusin, zoti Biden parashikoi: “Do të bëj gabime. Por ju premtoj se do t’i pranoj kur t’i bëj dhe do të marrë përgjegjësi”.
Zoti Biden tha se kur të vijë në detyrë, do t’u kërkojë guvernatorëve të shteteve të bëjnë të detyrueshme vënien e maskave, testet, gjurmimin e personave që kanë qenë në kontakt me të infektuar si dhe distancimin fizik.
“Do të përdor Ligjin e Autorizimit për Mbrojtje, do të përdor autoritetin e postit. Fjalët e një presidenti amerikan kanë rëndësi,” tha ai.
Presidenti i zgjedhur, Joe Biden shtoi se ka rëndësi që fëmijët të kthehen në shkolla sepse “do të mbeten prapa” nga gjithë këto mungesa në shkollë për shkak të pandemisë.
Ndërkohë që vazhdonte diskutimi, qyteti i Nju Jorkut deklaroi se po mbyllte klasat në shkolla publike, për ta vazhduar mësimin përmes internetit, si rezultat i shtimit të ritmeve të infektimit.
Në pritje për testim, Nju Jork
Ky qytet arriti brenda një jave ritmet shqetësuese me 3% të infektuar ndër personat e testuar, duke çuar në vendimin e marrë nga kryebashkiaku, Bill de Blasio.
Infermierët dhe punonjës të tjerë të shërbimeve jetike e informuan zotin Biden për sfidat me të cilat ndeshen, përfshirë mungesa në pajisjet mbrojtëse dhe mjete të tjera të nevojshme për të luftuar pandeminë.
“Ideja që spitalet duhet të konkurrojnë me njëri-tjetrin” për rezervat e nevojshme me pajisje mbrojtëse “është absurde,” tha zoti Biden.
Duket se po afron një krizë në reagimin spitalor në shkallë kombëtare, ndërkohë që numri i të sëmurëve me COVID-19 është rritur në të 50 shtetet amerikane dhe ndërkohë që afron Festa e Falenderimeve kur shumë amerikanë udhëtojnë për ta kaluar festën me familjet e tyre.
Kamionë-frigoriferë të sjellë për trupat e viktimave nga COVID-19 që kanë mbingarkuar spitalet në El Paso, Teksas; 15 nëntor 2020
Mbi 11.4 milionë vetë janë identifikuar në SHBA si të prekur nga koronavirusi, ndërsa të mërkurën vendi shënoi 250,000 të vdekur nga sëmundja, sipas statistikave të përpunuara nga Universiteti Johns Hopkins.
Zoti Biden gjithashtu fajësoi Administratën për Shërbime të Përgjithshme se nuk ka njohur fitoren e tij në zgjedhje dhe nuk lejon zyrtarë federalë, përfshirë ata që merren me luftën kundër koronavirusit, të bashkëpunojnë me ekipin e tij të tranzicionit. Administrata për Shërbime të Përgjithshme është një agjenci federale që është përgjegjëse për riparime, mirëmbajtje dhe organizim funksional të mjediseve ku operojnë entitete të qeverisë federale.
Presidenti Trump vazhdon të bllokojë tranzicionin e rivalit të tij në zgjedhje, duke mos i lejuar zotit Biden të marrë “Dosjen e Përditshme të Presidentit,” ku përfshihet një raport i agjencive të zbulimit mbi problemet e sigurisë dhe pikat e nxehta në botë. Presidenti gjithashtu nuk ka lejuar që ekipi i zotit Biden të komunikojë me një numër agjencish qeveritare.
Të mërkurën, ashtu siç ka bërë shpesh që nga zgjedhjet e 3 nëntorit, presidenti nuk u shfaq në publik, por shkroi komente në Twitter, duke thënë se i ka fituar zgjedhjet dhe duke ngritur pretendimin se në shtete të lëkundura, ku është shpallur fitues zoti Biden, ka pasur manipulime.
Në një koment ai shkruante “I FITOVA ZGJEDHJET. MANIPULIM VOTASH NË TË GJITHË VENDIN!”
Kompania Twitter vuri një shënim paralajmërues, ku thuhej “Burime të shumta kishin tjetër konkluzion për zgjedhjet”.
Zyrtarët zgjedhorë nga shtete të ndryshme kanë thënë për Zërin e Amerikës dhe për organizata të tjera mediatike se nuk kanë zbuluar prova për manipulime masive të votës, por vetëm një numër të vogël rastesh me parregullsi në votime që nuk do të arrinin të përmbysnin rezultatin e zgjedhjeve, edhe nëse presidenti fitonte me gjyq. Presidenti dhe ekipi i tij zgjedhor kanë paraqitur padi në një numër shtetesh me kërkesën për të rinumëruar votat, ose për të përjashtuar vota të disa kategorive.
Chris Krebs
Të martën, zoti Trump shkarkoi kreun e agjencisë së sigurisë kibernetike, Christopher Krebs, i cili i ka dalë kundër presidentit me deklaratat e tij lidhur me manipulim votash.
Sekretarja e presidentit për shtypin, Kayleigh McEnany tha në emisionin“Fox & Friends” të kanalit Fox News, se “Presidenti ka thënë se është i gatshëm të angazhohet për një transferim paqësor të pushtetit nëse faktet e tregojnë se ky është përfundimi. Por presidenti beson, gjë që e besojnë edhe shumë të tjerë, se nëse numërohet çdo votë e ligjshme ai do të qëndrojë në presidencë. Ai po ndjek rrugën e sfidave gjyqësore, por presidenti gjithmonë dëshiron të bëjë çfarëdo që të jetë në interesin më të mirë të vendit”.
Korrespondenti i Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë, Steve Herman, njofton se zëdhënësja McEnany, e cila nuk ka zhvilluar konferencë për shtyp që më 1 tetor, nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve para kamerave të mërkurën.
Numërimi i votave është në fazat e fundit në shtetet e padeklaruara, por të gjitha grupet kryesore mediatike në SHBA kanë shpallur fitues zotin Biden, duke thënë se ai ka siguruar minimumin prej 270 votash elektorale që nevojiten për të fituar garën për Shtëpinë e Bardhë.