Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan tha se nuk do të lejojë që fuqi të huaja t’i imponojnë Turqisë një hartë sipas interesave të tyre në Mesdheun Lindor. Duke folur në një mbledhje të kabinetit qeveritar, kreu i shtetit turk tha se Turqia është e vendosur të mbrojë kufijtë jugorë dhe të drejtat e saj në Mesdheun Lindor.
“Ata që përpiqen të prishin balancat në rajon dhe botë për shkak të armiqësisë që kanë me Turqinë do t’i hapin varrin vetes”.
Kreu i shtetit turk i bëri këto paralajmërime para videokonferencës që zhvilloi me kancelaren gjermane, Angela Merkel dhe presidentin e Këshillit Europian, Sharl Mishel. Dy liderët europianë i kërkuan Turqisë të ulet në bisedime për zgjidhje paqësore të mosmarrëveshjeve me Greqinë për ndarjen e zonave ekskluzive ekonomike në Mesdheun Lindor.
Erdogan mbështet dialogun për një ndarje të drejtë të resurseve që mbart nëntoka e Mesdheut Lindor. Por Turqia kërkon që zonat e saj ekskluzive ekonomike të mos kufizohen mbi bazën e ishujve të vegjël grekë në Mesdhe, si dhe të merret parasysh edhe hapësira detare e Republikës Turke të Qipros Veriore që nuk njihet nga vendet e rajonit dhe ato të Bashkimit Europian.