Bashkimi Evropian ka kërcënuar Mbretërinë e Bashkuar me veprime ligjore nëse synon të ndryshojë pikat kyçe të marrëveshjes për Brexit, apo largimit të Britanisë nga blloku evropian.
Përmes një deklarate, pas një takimi urgjent në mes të të dyja palëve, BE-ja ka thënë se ndryshimet “dëmtojnë seriozisht besimin në mes të BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar”.
Qeveria britanike ka thënë se parlamenti i saj është sovran dhe mund të miratojë ligje që shkelin detyrimet detyrimet e traktateve të Britanisë.
Ndërkohë, bisedimet për tregti në mes të negociatorit britanike për Brexit, Lord Frost dhe homologut të tij nga BE-ja Michel Barnier, janë duke vazhduar.
Burimi i shqetësimit të BE-së është propozimi i kryeministrit britanik, Boris Johnson, i ashtuquajtur Projektligji për Treg të Brendshëm, që është publikuar ditën e mërkurë.
Aty përmendet Protokolli për Irlandën Veriore – element i marrëveshjes për largim nga BE-ja që synon të parandalojë një kufi të ashpër në këtë zonë.
Projektligji i ri propozon që të mos ketë kontrolle të mallrave që kalojnë nga Irlanda Veriore në Britani të Madhe.
Ky dokument u ofron mundësi ministrave britanikë që të ndryshojnë rregullat që lidhen me transport të mallrave nga 1 janari, nëse Britania dhe BE-ja nuk arrijnë marrëveshje për tregti.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka thënë se është “shumë e shqetësuar” pas paraqitjes së projektligjit në parlament dhe se veprime të tilla “dëmtojnë besimin” me BE-në.
Analizat ligjore që kanë qarkulluar brenda shteteve anëtare të BE-së kanë gjetur se projektligji britanik mund të shkelë marrëveshjen për Brexit, njëkohësisht t’i hapë rrugë BE-së në shqyrtimin e hapave ligjore kundër Britanisë.
Mirëpo avokatët e bllokut evropian kanë thënë se një gjë e tillë nuk pritet të ndodhë deri në fund të këtij viti.
Vendimi për largim të Britanisë nga BE-ja ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.