Fondacioni Nobel, i cili administron ndarjen e Çmimeve Nobel, anuloi ceremoninë tradicionale të dhjetorit për shkak të pandemisë së COVID-19.
Sipas fondacionit, kjo është hera e parë prej vitit 1956 që ceremonia anulohet.
“Java e Nobelit nuk do të jetë ashtu siç ndodh zakonisht për shkak të pandemisë aktuale. Ky është një vit shumë i veçantë kur të gjithë duhet të bëjnë sakrifica dhe të përshtaten me rrethanat plotësisht të reja,” tha Lars Heikensten, drejtori i Fondacionit Nobel.
Heikensten shtoi se vlerat e laureatëve do të nxirren në pah në “mënyra të ndryshme”, së bashku me “zbulimet dhe veprat e tyre”.
Për shkak të masave kufizuese është e pamundur të mblidhen në një sallë në Stokholm 1,300 të ftuar, shtoi ai.
Fituesit, me përjashtim të laureatëve të Çmimit të Paqes të cilët nderohen në Oslo, mbajnë gjithashtu tradicionalisht fjalime gjatë eventit.
Shpallja e çmimeve (Nobeli i Mjekësisë, Fizikës, Kimisë, Letërsisë, Paqes, pastaj ai i Ekonomisë) do të bëhen ende sipas planifikimit midis 5 dhe 12 tetor, shton Fondacioni.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve në Stokholm dhe Oslo më 10 dhjetor do të zhvillohet gjithashtu në “forma të reja”.
Hera e fundit e anulimit të ceremonisë Nobel ka qenë në vitin 1956 për të shmangur ftesën e ambasadorit sovjetik për shkak të shtypjes së Revolucionit Hungarez, tha një zëdhënëse e Fondacionit Nobel.
Ceremonia u anulua gjithashtu gjatë dy Luftërave Botërore, si dhe në vitin 1907 dhe 1924./AFP