21 vjet më parë, oficerë të policisë serbe vranë me paramendim tre qytetarë amerikanë. Ata ishin tre vëllezër nga familja Bytyçi, tre shqiptaro-amerikanë që kishin dalë vullnetarë për t’iu bashkuar Batalionit Atlantiku dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës; tre fqinj të mirë që pas mbarimit të luftës po ndihmonin një familje rome për të udhëtuar deri në Serbi, përmes kaosit që mbretëronte në ditët e para pas çlirimit në Kosovë. Tre amerikanë që u burgosën në mënyrë absurde me akuzën se kishin shkelur kufirin serb e që pasi mbaruan dënimin dyjavor u arrestuan përsëri dhe u vranë me gjak të ftohtë, ilegalisht në një qendër të stërvitjes policore me urdhër të oficerëve të lartë të Serbisë.
Emrat e këtyre dëshmorëve janë Ylli, Agron, dhe Mehmet Bytyçi dhe nuk do t’i harrojmë kurrë.
Për më shumë se dy dekada tashmë, Beogradi vazhdon të mbrojë të paktën një prej kryekriminelëve, Goran Radosavljevic, i njohur ndryshe si ‘Guri’, një ish-komandant i një njësie speciale të policisë serbe dhe drejtor i qendrës së stërvitjes policore në Petrovo Selo ku u ekzekutuan tre vëllezërit. Ai mbetet një figurë e afërt me Presidentin Vuçiq.
Shtetet e Bashkuara e kanë deklaruar disa herë se nuk do të heqin dorë nga kërkesa që të gjithë kriminelët e përfshirë në këtë krim të përballen me drejtësinë. E megjithatë, 21 vjet janë një mkohë tepër e gjatë dhe vonesa nga pala serbe dëshmon fuqimisht se Serbian e re nuk ka ndryshim nga Serbia e vjetër.
‘Guri’ nuk është i vetmi kriminel që ka masakruar civilë shqiptarë, i cili po shpëton prej drejtësisë në Serbi. Ajo që e bën të veçantë këtë rast prej krimeve të tjera është se viktimat janë nënshtetas amerikanë, të ekzekutuar nga policë serbë, në kohë paqe.
Ushtria serbe la pas në Kosovë shumë varre masive, më shumë se 10,000 civilë të vrarë, më shumë se 20,000 gra dhe vajza të përdhunuara, qindra faltore myslimane e të krishtera të shkatërruara, një milionë shqiptarë të Kosovës të dënuar jashtë kufijve, shumë prej të cilëve me tren si në kohën e Holokaustit kur hebrenjtë dërgoheshin në kampet e vdekjes.Në fund të luftës, Kosova ishte kthyer në gërmadhë. Edhe sot, mbi 1,500 civilë nuk dihet se ku ndodhen. Besohet se shumica kanë vdekur, po Serbia refuzon të tregojë se ku janë eshtrat e tyre.
Më shumë se dy dekada kanë kaluar dhe autorët e këtyre krimeve që u kryen në emër të shtetit serb nuk kanë dalë përpara drejtësisë. Të gjitha qeveritë serve, përfshi edhe këtë të sotmen, kanë refuzuar të pranojnë as që kanë ndodhur krimet e luftës, kanë injoruar lutjet e mijëra familjarëve që kërkojnë të afërmit e humbur, nuk kanë kërkuar falje popullit të Kosovës për krimet e kryera në emër të Serbisë, e nuk kanë ofruar asnjë lloj dëmshpërblimi për shkatërrimet e papara të kohës së luftës. Përkundrazi, nuk kanë pushuar së gënjyeri, duke rishkruar historinë e duke paraqitur agresorët si viktima dhe anasjelltas.
Komuniteti ndërkombëtar duhet të turpërohet që kanë krijuar një gjykatë që do të përndjekë vetëm shqiptarë të Kosovës, udhëheqës të rezistencës dhe luftës çlirimtare, praktikisht vetëm ata që u përpoqën të mbrojnë popullsinë civile nga makina ushtarake e një regjimi fashist.
Nuk ka asnjë gjykatë ndokund që po merret me vrasjen e vëlleërve Bytyçi. Askush nuk është duke hetuar përdorimin e përdhunimit si armë lufte nga ushtarët, policiët, e paraushtarakët serbë. Nuk ka asnjë presion real për të zbuluar më në fund vendodhjen e të humburve, e Nuk ka asnjë presion për të treguar se ku ndodhen të humburit. Asnjë presion për të dënuar autorët e përdhunimeve dhe zyrtarët e lartë që urdhëruan krimet e ndryshme ndaj një popullate të paarmatosur civile.
Dua të lavdëroj këto në veçanti vëllezërit Ilir dhe Fatos Bytyçi, si dhe prindërit e tyre krenarë dhe plot dinjitet, që nuk kanë hequr dorë për asnjë moment nga lufta për të vënë në vend drejtësinë, duke dëshmuar aktivizëm të shkëlqyer dhe guxim të madh. Ata janë frymëzim për të gjithë ne. Vërtet, nuk duhet të ndalemi deri sat ë ketë folur drejtësia. Për tre vëllezërit Bytyçi. Për të gjithë viktimat në Kosovë.