Në Shtetet e Bashkuara Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve njoftoi të shtunën 44,602 raste të reja me koronavirus në 24 orët e fundit. Kjo e çon në mbi 2.5 milionë numrin total të rasteve të konfirmuara me Covid-19 në Shtetet e Bashkuara. Në dy ditët e fundit u shënuan 651 vdekje nga Covid-19, duke e çuar në 125.539 numrin total të vdekjeve të konfirmuara nga koronavirusi në Shtetet e Bashkuara që nga fillimi i pandemisë.

Pesë shtete amerikane raportuan të shtunën shifra ditore rekord të infektuarish me koronavirus. Florida raportoi 9.585 raste të reja, ndërsa Xhorxhia 1.990 raste të reja. Karolina e Jugut raportoi 1.604 raste të reja të infeksioneve me koronavirus, Arizona 3.591 dhe Nevada 1,099. Këto shifra theksojnë përhapjen e shpejtë të sëmundjes në disa shtete amerikane jugore dhe perëndimore.

Rastet e koronavirusit po rriten edhe në Teksas, ku të shtunën u raportuan më shumë se 5.700 infeksione të reja dhe 42 vdekje, duke e çuar në rreth 2.400 numrin total të personave që kanë humbur jetën nga Covid-19 në këtë shtet. Guvernatori i Teksasit Greg Abbott, riktheu kufizimet ndaj restoranteve dhe sërish urdhëroi mbylljen e lokaleve.

“Nëse do të mund të kthehesha në kohë, me siguri do të vendosja për ngadalësimin e rihapjes së lokaleve, duke parë tani pasojat dhe shpejtësinë e përhapjes së koronavirusit në to”, tha Guvernatori Abbott në një intervistë të premten në mbrëmje në televizionin KVIA në qytetin e El Pasos.

Presidenti Donald Trump është kritikuar kohët e fundit për një tubim fushate që zhvilloi më 20 qershor në Tulsa të Oklahomës, për shkak se nuk kërkoi zbatimin e rregullave të distancimit fizik.

Mediat kanë raportuar se punonjësit e pallatit sportiv “BOK”, ku u mbajt mitingu, kishin vendosur tabela për të inkurajuar distancimin fizik, por më vonë kishin marrë udhëzime nga personeli i fushatës së presidentit për t’i hequr ato, vetëm disa orë para fillimit të tubimit.

Gazeta “The Washington Post” raportoi se menaxherët e qendrës BOK kishin blerë 12,000 afishe për tubimin në përpjekje për t’i inkurajuar njerëzit që të respektojnë rregullat e distancimit fizik, një praktikë standarde e përdorur për të shmangur përhapjen e koronavirusit në vendet publike.

“The Washington Post” publikoi një video, ku shfaqeshin dy persona të paidentifikuar duke hequr afishet nga salla ku më vonë u mbajt tubimi.

Revista “Billboard” ishte media e parë që të premten raportoi se zyrtarëtë të fushatës së Presidentit Trump kërkuan heqjen e afisheve nga ndenjëset në sallë. Raporti i revistët “Billboard” bënte të ditur gjithashtu se menaxherët e qendrës BOK i kishin kërkuar zyrtarëve të fushatës së Presidentit Trump që të paraqiste një plan sigurie për tubimin, por tha se ata nuk i plotësuan kërkesat.

Nënpresidenti Mike Pence do të marrë pjesë në një tubim fushate të dielën në kishën e parë Baptiste në Dallas, ku më pas do të takohet me Guvernatorin e Teksasit, Greg Abbott.

Virus Outbreak Washington
Virus Outbreak Washington

Nënpresidenti Pence ka anuluar tubime të ngjashme në Tusan të Arizonës dhe në Florida. Në një konferencë shtypi në kuadër të grupit të punës të Shtëpisë së Bardhë për koronavirusin të premten, Nënpresidenti tha se do të vizitonte tre shtetet me rritjen më të madhe të rasteve për të parë nga afër gjendjen në terren. Kjo ishte konferenca e parë për shtyp e grupit të punës për koronavirusin në gati dy muaj; Presidenti Trump nuk ishte i pranishëm.

Pothuajse 250 milje në jug të Dallasit, në Hjuston dhe distriktin Harris, një gjykatëse ngriti nivelin e kërcënimit nga Covid-19 në të kuqe, niveli më i lartë i alaramit për çështjet e rrezikshme për publikun.

“E vërteta është se niveli ynë aktual i infeksioneve po lëviz me një ritëm që mund të mbingarkojë spitalet tona në një të ardhme shumë të afërt”, tha gjykatësja Lina Hidalgo.

Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të udhëheqin botën për nga numri i infeksioneve të konfirmuara me gati 2.5 milionë raste, rreth një të katërtën e të gjitha infeksioneve të raportuara në të gjithë botën, sipas Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve. Brazili radhiteti i dyti pas Shteteve të Bashkuara me gati 1.3 milionë raste, ndërsa Rusia radhitet në vendin e tretë me afro 627,000 raste. Numri i të vdekurve në Brazil ka arritur në më shumë se 57,000.

Në Amerikën Latine, numri i rasteve ka kaluar 2 milionshin, tha Organizata Panamerikane e Shëndetësisë. Kolumbia raportoi 4,149 raste të reja të shtunën, hera e tretë brenda një jave që ajo ka parë rritje të lartë të nivelit të infeksioneve të reja brenda një dite. Kolumbia ka 88.591 raste gjithsej, një numër më i lartë se totali i raportuar nga Kina prej 84,726 rasteve.

Një rritje shqetësuese e infeksioneve u raportua edhe në Indi, ku Times of India tha se ky vend i Azisë Jugore regjistroi 18.552 raste të reja me Covid-19 të shtunën, duke tejkaluar rekordin ditor të së premtes prej 17,296 rasteve.

Në Korenë e Jugut, vatra të reja të koronavirusit po shfaqen në Seul, ku qindra infeksione janë gjurmuar në kisha, klube të natës dhe restorante.

Indonezia raportoi rritjen e saj më të madhe ditore të infeksioneve me koronavirus me 1.385 raste të reja, duke e çuar në 52.812 numrin total të rasteve, tha një zyrtar i ministrisë së shëndetësisë.

Por Italia, një nga vendet më të goditura në fillim të pandemisë, duket se po lëviz në drejtim të kundërt. Zyrtarët italianë të shtunën raportuan 175 infeksione të reja dhe vetëm tetë vdekje, totali më i ulët për një ditë që nga një marsi.

Shteti australian i Viktorias regjistroi 41 raste të reja me Covid-19 të shtunën, duke shënuar 11 ditë rresht me infeksione në nivele dyshifrore, pasi vendi dukej se e kishte vënë nën kontroll sëmundjen. Zyrtarët australianë tha se do të vazhdojnë me rihapjen e ekonomisë pavarësisht rritjes së numrit të infeksioneve në Viktoria.

Ndërkohë, zyrtarët e Bashkimit Evropian thanë se udhëtarët nga Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe një numër vendesh të tjera që nuk kanë ulur numrin e infeksioneve me Covid-19 nuk ka të ngjarë të lejohen të hyjnë në vendet e BE-së kur blloku të rihapet më 1 korrik.