Rifillojnë edhe fluturimet e rregullta ajrore
Të gjitha portet në Shqipëri do të jenë të hapura nga e hëna për këdo shtetas shqiptar apo i huaj që dëshiron të hyjë apo të dalë nga vendi ynë.
Lajmi u bë i ditur nga Ministria e Infrastrukturës, e cila njoftoi rifillimin e punës për linjat e transportit detar të pasagjerëve, të ndërprera për shkak të situatës së pandemisë së Covid-19.
Në këtë situatë të re, Ministria sqaron se përgjegjësia do të jetë e Shoqërive të Transportit Ndërkombëtar Detar të Pasagjerëve, që duhet të ndërmarrin hapat e nevojshëm, për të mundësuar rezervimin e lundrimit për dhe nga portet e Shqipërisë.
Shoqëritë e Transportit Ndërkombëtar Detar të Pasagjerëve do të jenë gjithashtu përgjegjëse edhe për të informuar pasagjerët për kufizimet e mundshme në fuqi për nisjet nga portet e Shqipërisë dhe destinacionin e synuar, si dhe rregullat e kujdesit dhe sigurisë së shëndetit në destiancionin ku ata do të mbërrijnë.
Sakaq të hënën pritet që të rifillojnë edhe fluturimet e rregullta ndërkombëtare në destinacionet, sipas skedulave që do të miratohen nga Autoriteti i Aviacionit Civil.