HINGËLLON NJË KALË KU BASHKOHEN DY DRINAT

Nga Hamit ALIAJ

Hingëllin një kalë ku bashkohen dy Drinat,
Herë gjog i bardhë,herë vraç i zi
Bardhon si Drini i Bardhë,zezon si Drini i Zi

Ah, hingëllimë, e mnershme hingëllimë
Rrënqeth malin me emrin e dridhshëm Pikëllimë !

Është kalë a fantazmë?!

Fantazma janë parë te dalin nga ujrat,
Fantazma janë parë të zbresin nga mali,
Po kurrë s’është degjuar për një fantazmë kali !

Fantazmë kali,nga ç’dimër vjen ti?
Patkoin e hënës hedh përmbi Dri !

Qysh nga Mesjeta,më latë jashtë në shi,hingëllin fantazma ,
Në fusha të shkreta ku s’prani lufta
E nuk u tuta !

Më latë cubel,pa bisht,pa jele,
M’i pretë për lahuta,
S’u tremba ,as u tuta !

Sa nuse hënore mbajta mbi shpindë
Tash më rrethuat me çengi
Që shpikin përditë Skenderbe të ri

Ah gjog i bardhë,ah vraç i zi
Ditën -Dri i Bardhë,
Natën- Dri i Zi !

Fantazmë kali,pse i trembesh kësaj toke?
Patkoin e hënës gjuan në qiej Europe!…

Fantazmë kali,nga ç’dimër vjen ti ?
Patkoin e hënës lëshon përmbi Dri…

Hingëllo hingëllan,përmbi Pikëllimë,
Çfarë shenja Mesjete të zbardhin,të nxijnë ?!