“Piramida”–bibliotekë, një zgjidhje e përsosur. Bëjeni, mos ngurroni!

Nga Bajram Peçi

Prej disa javësh, gazetari Ben Andoni, orvatet të krijojë ndjeshmëri, jo aq tek lexuesi e publiku i gjerë, se sa tek administrata e lartë shtetërore. Jep argumentet, propozon dhe këmbëngul që e ashtuquajtura Piramidë, që ende në letra figuron si “Qendra ndërkombëtare e Kulturës”, e që mbart të harruar si ngrehinë emërin “Pjetër Arbënori”, ta shndërrojmë e përshtasim në strehën e fundit, të denjë e me hapësira të bollshme funksionale për Bibliotekën Kombëtare. Deri më tani, nuk është vrejtur ndonjë reagim prej institucioneve. E para në radhë që duhet të dalë e të prononcohet po publikisht, është ministria që mbulon fatmirësisht të dy institucionet. Them “fatmirësisht” se nuk do lindëte nevoja të bëhej transferim kapital nga një ministri tek tjetra, çka do të donte një vendim të Këshillit të Ministrave. Por, dhe në u dashka një vendim me firmën e kryeministrit, nëse duhet bërë, le ta hedhin pa droje se mos gabojnë. Ka pasuar deri tani një heshtje e plotë. Kemi të bëjmë me një heshtje si tregues i reflektimit apo kemi të bëjmë me një heshtje si shprehje e mospërfilljes?
Të flasësh për profilin publik të propozuesit nismëtar, Ben Andoni, është fare e lehtë. Është shfaqur bindshëm prej dy dhjetëvjeçarësh si reportazhist, zhanër letrar për të cilin dhjetë vjet përpara Ministria e Arsim-Kulturës i ka dhënë njëkohësisht atij dhe Fatos Baxhakut çmimin kombëtar; eseist që lexohet me ëndje, përkthyes dhe opinionist. Në këtë angazhim të fundit, jo i çfarëdoshëm, por si një bashkëkohës me këmbë në tokë dhe mbi të gjitha, i kthjellët në analizën e situatave politike. Duhet të jetë, besa, shumë i njohur për Ministrinë e Kulturës sepse parreshtur ka dhënë e jep një ndihmesë të çmuar në përhapjen e kulturës, si redaktor i suplementit të përjavshëm letraro-kulturor, “Milosao”.
Si i tillë, me personalitetin që përhap, çdo administrator kalimtar i ministrisë do kish patjetër vëmendjen për ta dëgjuar, për t’u takuar me të dhe, pse jo, të ngrinte një grup pune për ta studiuar propozimin. Asgjë e tillë ska ngjarë. Shpjegimet që sjell, përse duhet që “Piramida” të bëhet bibliotekë?, për këdo që njeh problemin dhe ndodhet afër botës së letrave, janë bindëse. Ndër ta ndodhem dhe unë. S’është se e formova mendim tani, këto ditë, por e kam patur ka herët, nga kohërat kur problemi i Bibliotekës Kombëtare ka qenë në qendër të vëmendjes të opinionit.

Kultura jonë për pasurinë publike, baras me zero

Të mbajtur nga turqit otomanë nën robëri 500 vjeçare, se ku na kish katandisur sundimi i perandorisë aziatike, u pa përpos se në 1913-tën, kur ajo u shpërbë dhe ne shpallëm mëvetësinë. Shqipëria rezultoi të mos kish në tokat e saj pothuaj asnjë pronë publike, asnjë ndërtesë shtetërore për të qenë, veç ca të tilla ku rrinte ushtria. I vetmi vend në Europë pa hekurudhë, pa rrugë, pa ndërtesa administrative dhe vetëm me një urë druri për të kapërxyer Drinin në Bahçallëk, ja lehtësoi argumentet Mehdi Frashërit, përfaqesuesi ynë në Lozanë në vitin 1922-23, kohë kur mes të tjerash do shqyrtohej dhe shpërndarja te shtetet e rinj e borxhit të Perandorisë Otomane.
Nga të parat ndërtesa publike ishin ato që Italia pushtuese e Luftës së I-rë Botërore ndërtoi në Vlorë, mes të cilave spikat Bashkia e qytetit, e para ndërtesë e vërtetë shtetërore. Me mbretërimin zogollian filloi ndërtimi i godinave të administratës shtetërore, të cilat u kryen me kapitalin financiar italian, një kredi 50 milion Fr.ar, për shkak të të cilave, pak vite më pas, humbëm pavarësinë. Po në këtë kohë, bankat italiane, Banco di Napoli dhe Banca Nacionale del Lavoro, ndërtuan godinat e tetë degëve të bankave në qytetet e mëdha. Pushtimi italian, 1939-1943, i solli Shqipërisë dhe i la asaj trashëgiminë më të vyer të godinave administrative.
Komunizmi, sistemi që e mbajti vendin i udhëhequr nga parimi se prona private ishte mëkat, i shtetëzoi pothuaj të gjitha, tokën, mjetet e prodhimit dhe çdo ndërtim, që u bënë pronë publike. Kish disa vite që Gorbaçovi u kish thënë rusëve dhe lindjes në tërësi, se “…prona shtetërore është pronë e askujt”, por kjo u kuptua tek ne veçse kur ra sistemi. Pas kësaj, prona publike u synua dhe synohet të grabitet më tej. Nga Shqipëria e “rrjepur” që kemi, marrim vesh se të parat e pësuan pyjet. Ndër të fundit, që nuk i merrnin dot, mbetën ndërtime të karakterit të Hotel “Dajti”-t, të cilës më pas ju shua dhe “Piramida”.

Fol kot se asnjë s’të dëgjon

 

Publicisti i njohur Artan Lame, me të ndjerin Ardian Klosi, ndërmorën para shtatë vjetësh, koha kur Berisha dhe Topalli donin t’i vinin minat “Piramidës” si mbetje komuniste, një botim për shpëtimin e saj. Dy publicistët u bashkuan në një qëllim, sepse propozimi i kryeministrit Berisha u shndërrua në ligj. Nën titullin, “E hijshme, e braktisur, e rrezikuar”, ata qëmtuan nga shtypi rreth 48 shkrime që përmbanin në thelb emrat më elitarë të medias, por dhe të arkitekturës e politikës. Në atë botim janë thënë të gjitha dhe s’është nevoja të rropatet as Erion Veliaj dhe askush tjetër të gjejë motive shndërrimi. Të gjithë jemi dëshmitarë, pavarësisht artikujve dhe shqetësimit publik, se ato nuk patën asnjë ndikim mbi ata që kishin autoritetin për të ndërmarrë mbi praninë e dy gërmadhave një vendim me zgjidhje të shpejtë. Dikur ish objekte luksi, sot rrënoja, Hotel “Dajti” dhe “Piramida”, u lanë qëllimisht të shkatërrohen. Çdo prokurori, po të donte mund të ndërmerrte hetime mbi shkatërrimin e këtyre pronave. Mungesa e të dyjave nga jeta sociale e Tiranës i zvogëloi qytetit edhe më atë pak kujtesë historike që i ka mbetur qytetit.

Qeveritarët e rinj që u ulën në kolltuqet e poltronat e zyrave të administratës së lartë, ndër të parat gjë që bënë kur filloi shpërbërja e pronës shtetërore, ishte kujdesi për t’u larguar nga banesat që patën, si të pamjaftueshme për sërën e tyre, zgjodhën nga prona shtetërore të privatizonin copa të majme në vënde të lakmueshme të Tiranës. Që u treguan të pacipë e pa një fije nderi, e tregon blloku i ri i udhëheqjes në Gjirin e Lalëzit. Ka plot të tjerë që shprehen se ata u treguan të zotë! Po me “Piramidën” si u sollën? E lanë të rrënohej!

Marrëzira pa fund projektesh dhe fonde të zhvatura

 E vjedhur, me xhama të thyer, e rrjepur nga heqja e pjesëshme e pllakave të mermerit, me dritare të shkallmuara, i ngjan së tepërmi trupit të drobitur e brinjëve të dala të Shqipërisë së viteve ’97-’98. U tha se do bëhet teatër. Në këtë kohë absurdi kapërxeu kufijt. Po hiqeshin pllakat mbuluese të mermerit dhe po vendoseshin pllaka qeramike, nga ato që përdoren në tualete. Pasi u harxhuan diku tek 5 milion euro, eksperimenti u la. Qysh e pse, një zot e di?! Do ta bëjmë parlament thanë. U organizuan deri edhe konkurse ndërkombëtare, madje projektuesve u janë shlyer në kohë pagesat për to, por as që u ndërmor gjë. Kryeministri, atë botë Kryetar Bashkie i Tiranës, binte dakort se Biblioteka Kombëtare vepronte në kushte të pa përshtatëshme. Një plan rregullues (me konkurs ndërkombëtar e me pagesa natyrisht) i sugjeronte që ta ndërtonte Bibliotekën Kombëtare të harmonizuar me Muzeun Kombëtar, duke shfrytëzuar edhe hapësirën brënda këtij institucioni. Tani na u provoka (nga arkitektët e huaj) se ajo hapësira e brendëshme e muzeut, qenka e tepërt dhe jo funksionale. Dhe të mendosh se kjo hapësirë s’është gjë tjetër përpos se vëndi ku ngrihej madhërishësm një nga ndërtesat më të hijshme që i jepte fshatit të madh identitetin e qytetit e që u hodh në erë me dinamit, ish bashkia. Brenda kohës së të qenit kryetar bashkie, z.Edi Rama, në Komitetin Shtetëror që u ngrit për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar mbi “Piramidë”-n, propozonte që parlamenti të shndërrohej në teatër kombëtar.
Është e tepërt t’i kujtojmë lexuesit se të gjitha këto idera mbetën në letër dhe, madje, mendimet ndryshuan. Një propozim të ri ka sjellë këto ditë Erjon Veliaj. Siç nuk u bë dot kurrë Qëndër Ndërkombëtare e Kulturës, ashtu dhe nuk do të bëhet dot kurrë, siç e propozon Kryetari i Bashkisë Tiranës, pavarësisht emrave pompozë që gjejnë për t’i emërtuar e për t’u vënë.

Pse bibliotekë?

Sepse tani ajo ndodhet me veprimtari të kufizuar, me hapësira që nuk i mjaftojnë, me rrezikun kurdoherë nëpër këmbë. Kisha bindjen se zjarri që ndodhi do trajtohej si krim dhe do mblidhej qeveria me urgjencë, për t’i dhënë drejtim gjendjes alarmante. Është viti i parë, pas një kohe të stërgjatë si anëtar i saj, që nuk rinovoj anëtarësimin në Bibliotekë Kombëtare. Jo se s’ja kam nevojën, përkundrazi! Ka një varg arsyesh, por dy janë kryesoret: e para, se pas zjarrit, atje u ndal fillimisht shërbimi dhe më pas u kufizua; e dyta, se ajo salla hijerëndë e katit të dytë, që quhej “Shkencore” e humbi autoritetin që impononte përmes kushteve që afronte, nga koha kur ju vu në shërbim studentëve dhe nxënsve të shkollës. Drejtuesit e bibliotekës i dinë vetë më mirë kushtet ku punohet dhe ato të administrimit. Publiku di se asaj godine i ka kaluar koha për të qenë e tillë, por asnjë s’lëviz, siç edhe nuk lëvizin për t’i hequr Tiranës nga prania 20 e 25 vjeçare dy gërmadha, “Piramidën dhe ish Hotel “Dajtin”.

Meqëse projektin me juri ndërkombëtare, Muze Kombëtar-Biblotekë Kombëtare, as e preku njeri me dorë, “Piramida” është vendi që plotëson dhe mbetet me gjithë kushtet: pozicioni ku ndodhet, hapësira e bollshme për plotësimin e kërkesave, të mbeturit e saj gjithnjë si institucion i kulturës. Çka i duhet është vendimi përkatës dhe fondi i nevojshëm financiar. Nëse ka nevojë, në kushtet kur nuk dëgjohet zëri i qytetarëve, mbase duhet edhe një dialogim me administratorët e Bibliotekës Kombëtare.(Marrë nga “Milosao” – botim peiodik i “Gazeta Shqiptare”, 27 maj 2018)