Instituti Brookings thotë se vetëm rreth 50 përqind e punëve mund të kryhen plotësisht nga shtëpia, por studime të tjera sugjerojnë se numri mund të jetë i lartë. Pjesa tjetër e fuqisë punëtore ende duhet të shkojë në punë, duke supozuar se ende e kanë punën, sado të rrezikshme. Korrespondentja e “Zërit të Amerikës” Daria Dieguts njofton:
Duartrokitjet mund të dëgjohen në qindra qytete në mbarë botën çdo natë.
Njerëzit po dalin jashtë, në mënyrë që, mjekët dhe infermierët të mund të dëgjojnë falënderimet për punën që po bëjnë për të luftuar COVID-19.
Por këta profesionistë nuk janë vetmit që shkojnë në vendet e punës çdo ditë.
Miliona njerëz me të ardhura më të ulëta që shpërndajnë postën, punojnë si arkëtarë dhe riparues ashensorësh janë akoma në punë dhe shumë nuk kanë pushim të paguar.
“Ata janë në vijën e parë të frontit në kuptimin që kanë shumë kontakte me njerëzit e tjerë dhe për këtë arsye, mund të sëmuren vetë, të shtojnë ekspozimin e tyre, si dhe ekspozimin ndaj anëtarëve të familjes së tyre”, thotë Elise Gould, ekonomiste e lartë në Institutin e Politikave Ekonomike.
Sipas Departamentit amerikan të Punës, më shumë se gjysma e punonjësve me aftësi të larta profesionale, me paga më të larta mund të bëjnë telepunë ndërsa vetëm një në 20 punonjës të industrisë së shërbimit mund të bëjë të njëjtën gjë.
“Ekziston një ndarje e madhe demografike dhe e të ardhurave në të dy grupet. Shumica e njerëzve që duhet të shkojnë në punë janë punonjësit e shërbimit me paga më të ulëta, në kujdesin shëndetësor, në dyqanet ushqimore, magazinat, madje edhe në proceset e prodhimit që si industri ka tendencë të jetë e dominuar nga emigrantë me paga më të ulëta”, thotë Tom Kochan, në universitetin MIT.
Tom Flores punon në një supermarket në Kaliforni.
“Sigurisht që jam i shqetësuar. Kur shkoj në punë, i lutem Zotit që gjithçka të shkojë mirë. Por ndjej se duhet të vazhdoj të vij në punë sepse shumë familje varen nga ajo që bëj unë. ”
Shumë amerikanë ndjejnë presion dhe ndjehen me fat që janë në punë duke marrë parasysh se deri në fund të prillit 30 milion njerëz plotësuan formularët për të kërkuar ndihmë, duke thyer të gjitha rekordet e mëparshme.
Dhe madje edhe ata që kanë punë janë në vështirësi sipas një studim të fundit që tregon se shumica e punëtorëve amerikanë e kanë të vështirë të paguajnë një faturë të papritur prej 400 dollarë.
“Ne po jetojmë nga një rrogë tek tjetra dhe pa rrogë do të shohim njerëzit të humbasin shtëpitë e tyre’, thotë Susan Lambert, në Universitetin e Çikagos.
Qeveria amerikane ka caktuar 250 miliardë dollarë shtesë për kompensimin e papunësisë, përveç një shume prej 1200 dollarë për shumicën e amerikanëve. Familjet më të mëdha marrin më shumë.
Ekspertët thonë se këto masa janë në kohë dhe të nevojshme, por ato mund të mos jenë të mjaftueshme për njerëzit që jetojnë në zona më të shtrenjta urbane.
“Standardet e jetesës janë të ndryshme. Për dikë në Nju Jork ka të ngjarë të mos ketë një efekt të madh. Për njerëzit në zonat rurale ku kostot e banesave dhe shpenzimet e tjera kanë tendencë të jenë më të ulëta, ndihma do të jetë më e dobishme”, thotë Rhonda Sharpe, presidente e Institutit për Shkencë, Barazi dhe Gjini.
Kongresi është duke punuar për miratimin e mundshëm të një pakete tjetër stimuluese ekonomike për të ndihmuar njerëzit që humbën punën për shkak të pandemisë.