TË VDESËSH I DEHUR….
Ka kohë që mendohem
Ditën e natën shqetësohem
Kur më turren aq zjarrshëm sytë e tu
E në qenien time shprushin kujtime
Shikimet lënë vrima të hapura
Kullojnë lotët, përplasin ngrirjen e ashtit
Puthjet e një kohe zjarr e shkrumb
Edhe tani ende ka zjarr nën hirin e fjetur
Në shtratin e bukurisë së paharruar
Në dukje i fikur, tymon e flet me mall
Si shikimet tua që shpojnë prore
Si gacat e mbuluara që djegin shpirtin
Dëshirat rrinë në pritje gjithherë…
Eja, eja e puthëm, mos shiko e ndrojtur
Dehu ,dehu fort
S’ka gjë më të bukur se vdekja i dehur
Po të takova viza vizë me vdekjen
Pa puthjen tënde nuk iki andej
O Khajam i shkretë
Si e pive gjithë atë verë në jetë
E mbete kurrë i pa vdekur?!…
KUR NATËN NUK FLIJNË MENDIMET
Pas lodhjes së ditës
Tretur rrugëve të mundimshme të jetës
Prita i gëzuar natën që vjen me heshtjen
Me flladin e shlodhjes mashtruese, pushim bebëzave
Qeshjet e natën janë gaz i ditës së iku
Në shtratin tim shpesh jam trembur në ëndrra
Krismat të lehta binin në derën e çarë, pa rezë
Hije njerëzish pa trajta, zgërdhiheshin
Donin dhunshëm të merrnin thesarë të fshehur
Pa bërë aspak luftë me shpirtin kryeneç
Të padorëzuarin e mendimeve të mia
Që kishte kallë pesë gishtërinjtë e dorës
Për të dhënë dritë në dhomën time
Nuk di kah iku nata, kah u tret e paparë
Mbeta i uritur, nuk ia thashë dy-tre fjalë
Sillem vërdallë shtratit me dhimbjet që s’bëzajnë
Vetëm flaka e gishtërinjtë bënë dritë
Në mungesë të qirinjve të vjedhur
Sa më janë nxirë thonjtë e mishi rrjedh lëng
A ka më bukur se të jetosh me vuajtjen e vuajtjes
Luftë mes njerëzve për pasuri e karrige
A ka më fisnikëri, më thoni
Më thoni se ku ka?!….