Maji i këtij viti shënon 75 vjet nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore. Më 8 maj 1945, fuqitë aleate pranuan kapitullimin e Gjermanisë naziste, pas një lufte që filloi në shtator 1939 dhe që ndryshoi hartën e botës së bashku me jetën e shumë brezave. Materiali në vazhdim është një përmbledhje e ngjarjeve kryesore të Luftës së Dytë Botërore.

Më 30 Janar 1933, Adolf Hitleri u bë kancelar i Gjermanisë.

Mijëra mbështetës marshuan nëpër Berlin, duke mbajtur pishtarë për njeriun që do të orkestronte luftën e dytë botërore.

Gjashtë vjet më vonë, trupat e Hitlerit pushtuan Poloninë.

Të shtënat e para erdhën nga një anije gjermane kundër portit të Gdanskut më 1 Shtator 1939.

Dy ditë më vonë, Britania dhe Franca, që kishin traktat me Poloninë, i shpallën luftë Gjermanisë.

Por forcat gjermane e pushtuan Poloninë brenda katër javësh.

Varshava u shkatërrua gjatë një rrethimi 21-ditor nga forcat ajrore elitë të Gjermanisë.

Polonia u dorëzua dhe u bë trofeja e parë e pushtimeve të Hitlerit.

Një lloj i ri lufte, e quajtur lufta rrufe, tronditi botën duke vënë n[ shënjestër vendettë tilla asnjanëse si Holanda, Belgjika dhe Luksemburgu.

Mijëra forca aleate tokësore, detare dhe ajrore u nisën me nxitim nga Anglia dhe Franca për të frenuar sulmin nazist.

Por ekspansioni i Rajhut të Tretë nuk ndalej.

Më 22 qershor 1941, Gjermania naziste pushtoi Bashkimin Sovjetik, duke vrarë mijëra ushtarë dhe civilë të kapur në befasi.

Stalini ishte paralajmëruar nga agjentët e tij, si dhe nga Churchilli dhe Roosevelti, se një sulm pritej të ndodhte, por nuk i përfilli paralajmërimet, i bindur se ky ishte një mashtrim.

Ushtarët e Rusisë u besuan udhëheqësve të tyre që thoshin se nuk do të kishte luftë.

Asnjë prej njësive ushtarake nuk ishte në gatishmëri kur filloi sulmi.

Një sulm tjetër surprizë ndodhi në Shtetet e Bashkuara në të njëjtin vit.

Më 7 dhjetor 1941, forcat japoneze bombarduan bazën detare Pearl Harbour në Havai.

Presidenti Franklin Ruzvelt e quajti 7 dhjetorin një ditë që do të mbulohej me turp në histori.

Me vrasjen e 2,390 ushtarakëve dhe civilëve, sulmi ndaj bazës Pear Harbour, e detyroi Amerikën të bëhej pjesëmarrëse aktive në Luftën e Dytë Botërore.

Në atë kohë, Hitleri nuk kërkonte thjesht dominimin e botës, por edhe shfarosjen e hebrenjve.

Hebrenj nga e gjithë Evropa naziste u internuan në kampe përqendrimi, ku ekzekutimet, puna e rëndë, ndëshkimi, uria dhe kushtet e tmerrshme sanitare u bënë mënyrë jetese.

Kampi famëkeq i përqendrimit në Aushvic mori më shumë jetë njerëzish se çdo objekt tjetër shfarosës i nazistëve. Rudolf Hess do të dëshmonte më vonë në gjyq se në Aushvic kishin vdekur deri në tre milion njerëz.

Kjo shifër është rishikuar dhe besohet të jetë rreth një milion.

LUFTA MERR KTHESE

Beteja e Stalingradit ishte një pikë kthese në Luftën e Dytë Botërore.

Më shumë se 800,000 gjermanë dhe një milion ushtarë dhe civilë sovjetikë humbën jetën në Stalingrad, të cilin Adolf Hitleri ishte i vendosur ta merrte, ndërsa Stalini ta mbante me çdo kusht.

Më 2 shkurt 1943, forcat naziste në Stalingrad u dorëzuan dhe kjo shënoi një fitore të madhe për sovjetikët.

Në korrik të po atij viti, trupat aleate zbarkuan në Siçili, ndërsa në shtator filluan okupimin e Italisë.

Musolini më në fund u rrëzua nga pushteti dhe u vra nga partizanët italianë. Qeveria iu dorëzua Aleatëve.

Më 1944, zbarkimi aleat në Normandi shënoi kthesën e madhe të luftës në Evropë.

Zbarkimi u bë përgjatë një vije bregdetare prej 80 kilometrash.

Hyrja e aleatëve në Francën e pushtuar nga Gjermania bëri që nazistët të humbisnin kontrollin në kontinentin evropian.

Më 12 Prill 1945 – më pak se një muaj para ditës së kapitullimit të Gjermanisë, Presidenti Franklin Roosevelt vdiq nga një hemorragji cerebrale.

Humbja e Rooseveltit trishtoi shumë njerëz, të cilët e shihnin atë si një figurë me rëndësi kritike në përpjekjet për mposhtjen e nazizmit.

Harry S. Truman u bë Presidenti i 33-të i SHBA.

Më 8 maj 1945, Trumani iu drejtua popullit amerikan, duke deklaruar se “forcat e Gjermanisë u janë dorëzuar Kombeve të Bashkuara. Flamujt e lirisë valviten në të gjithë Evropën”, tha ai.

Fitorja më në fund ishte bërë realitet.

Por sulmet më shkatërrimtare nuk kishin ardhur akoma.

Japonia nuk donte të dorëzohej dhe në fillim të gushtit Shtetet e Bashkuara hodhën bomba atomike mbi qytetet Hiroshima dhe Nagasaki, duke çuar në humbjen përfundimtare të Japonisë.

Adolf Hitleri kreu vetëvrasje, kur trupat sovjetike po i afroheshin bunkerit të tij në Berlin.