Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, e mbrojti mënyrën se si OBSH-ja e ka menaxhuar pandeminë e koronavirusit.
Ai tha se vendet është dashur ta dëgjojnë OBSH-në kur ajo ka shpallur “emergjencë për shëndetin publik” më 30 janar.
Atëbotë, sipas tij, kanë qenë vetëm 82 raste me koronavirus jashtë Kinës – vendit ku është shfaqur për herë të parë – dhe asnjë viktimë.
“Bota është dashur ta dëgjojë OBSH-në me kujdes”, tha Tedros për gazetarët.
“E kemi këshilluar gjithë botën që të zbatojë një qasje gjithëpërfshirëse ndaj shëndetit publik. Kemi thënë: testoni, izoloni dhe gjurmoni kontakte. Vendet që i kanë ndjekur këto (këshilla) janë në pozitë më të mirë se të tjerat”, tha Tedros.
Javë më parë, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka pezulluar fondet për OBSH-në, duke thënë se organizata “e ka keqmenaxhuar shpërthimin e koronavirusit”.
Trump ka thënë se OBSH-ja “ka qenë e përqendruar rreth Kinës” dhe se Kina duhet të përballet me pasoja nëse ka qenë “me vetëdije përgjegjëse” për pandeminë.