Në qendrat e refugjatëve në Gjermani po shtohen rastet e të infektuarve me Corona dhe frika e banorëve nga virusi. Autoritetet duket se në disa raste ende kërkojnë mënyrën se si të veprojnë kundër përhapjes së virusit.
“Jo nuk do të qëndroj më këtu!”, thërret një burrë. Më pas dëgjohen zëra të zemëruar. Disa djem të rinj përpiqen të hapin një derë, policët nga ana tjetër e shtyjnë. Më në fund dera mbyllet. Kështu përfundon një video e regjistruar me celular në një qendër refugjatësh në Berlin, që tregon një incident para dy javësh.
Fillon me atë, se si një ambulancë e rrethuar me policë hyn në qendrën me kontenierë, ku ndodhen refugjatët. Mbrojtja nga policia duket e nevojshme, sepse banorët janë të zemëruar. Njëri thërret: “Ju na sillni këtu njerëzit me Corona.” Refugjatët kanë frikë, sepse në ambulancë ndodhet një i infektuar me corona dhe tre persona kontakti. Ambulanca dhe policia largohen, refugjatët duhet të qëndrojnë brenda. Disa ngrihen kundër këtij vendimi. Kjo qendër ka qenë disa ditë në karantinë. Tani banorët kanë frikë, se karantina do të fillojë edhe njëherë për 14 ditë.
Mungesa e njohurive dhe pasiguria janë të përhapura gjerësisht mes refugjatëve. “Sapo pranuam të infektuarit nga qendra jonë, sapo ishim qetësuar”, thotë Ana (emri i ndryshuar), “Por pastaj na sollën familje të reja këtu dhe gjendja u ashpërsua. Kam frikë për fëmijët. Pse sjellin të infektuar këtu? Na kanë izoluar këtu dhe përveç kësaj na sjellin edhe të infektuar.” Ana nuk do të thotë emrin e vërtetë nga frika se e humbet vendin në qendrën e refugjatëve. Ajo ishte aty kur ndodhi incidenti. Në telefon zëri i saj tingëllon i zemëruar, por edhe i frikësuar. Zyra për Çështjet e Refugjatëve, (LAF) sqaron për Deutsche Wellen, se një person i infektuar me Covid-19 dhe tre persona kontakti u zhvendosën, sepse ndryshe duhej të vendosej edhe një qendër tjetër nën karantinë. Mundësia e veçimit aty ishte më e përshtatshme, sipas LAF.
“Njerëzit ishin në panik”
Nëse të prekurit mund të veçoheshin, atëherë pse nuk lejohej askush të largohej nga ndërtesa?, pyet Ana. Kur qendra e refugjatëve u vendos ditë më parë nën karantinë për shkak të banorëve të infektuar, ndryshimi ishte shumë i madh për banorët, sepse erdhi pa paralajmërim. “Njerëzit ishin në panik, sepse askush nuk na kishte informuar më parë. Nuk mund të blinim asgjë. Produktet higjienike dhe të tjera ishin mbaruar. Të gjithë ishin agresivë dhe të indinjuar.”
LAF shkruan për këtë, se për shkak të vendimit të shpejtë të zyrës së shëndetësisë, nuk ishte i mundur më parë një njoftim paraprak për shkak të karantinës. Banorët pas vendimit për karantinën u informuan “gjerësisht” në gjuhë të drejtpërdrejtë dhe grupe të vogla. Më tej thuhet, se “kjo ndoshta nuk mjafton për ndjesinë subjektive të banorëve të veçantë.”
“Kjo nuk është etike“
Ndërkohë qendra nuk është në karantinë. Por aktualisht janë vendosur në karantinë, dy qendra të tjera refugjatësh në Berlin, thotë LAF. Në njërën jetojnë 270 vetë, në tjetrën afër 100 refugjatë. Dy javë rresht ata nuk duhet të largohen nga qendra, as blerjet dhe vizitat tek mjeku nuk janë të lejuara. Një firmë sjell ushqimin në qendër dhe mjeku vjen aty. Nëse në këtë kohë shfaqen raste të tjera, karantina do të zgjatet.
Rreth një milionë e gjysmë refugjatë jetojnë në Gjermani, shumica në qendra masive refugjatësh me disa qindra banorë. Ambientet janë të ngushta, pjesërish dhomat me disa shtretër ndahen mes disa refugjatëve, që nuk e njohin njëri-tjetrin. Organizatat për ndihmën e refugjatëve e kritikojnë këtë gjendje të komandimit nga jashtë dhe mungesës së sferës private. Në një apel të këtyre organizatave thuhet, se për shkak të ambienteve të vogla dhe përdorimit të përbashkët të banjove dhe kuzhinave refugjatët janë veçanërisht të rrezikuar nga virusi Corona.
Edhe në dy qendrat e refugjatëve aktualisht në karantinë, banjot janë të përbashkëta, shkruan LAF e pyetur nga DW. Në rastin më të keq, a do të thotë kjo, se banorët infektojnë zinxhir njëri-tjetrin dhe karantina mund të zgjatet javë pas jave. Këtë pyetje e shtron edhe një nëpunëse e Zyrës së Shëndetësisë të Berlinit, e cila do të mbetet anonime. “Kjo nuk është gjë tjetër, si në një kroçerë me të infektuar. Sipas motos “E vëmë të gjithë qendrën nën karantinë, derisa të jenë infektuar të gjithë. Kjo nuk është etike.”
Zyrat e Shëndetësisë janë ato që kanë një zë të tyrin në vendimin që merret për karantinën. “Të vendosësh në masë refugjatët në karantinë kjo mund të jetë problematike. “Kjo mund të shkaktojë shumë probleme tek njerëzit e traumatizuar.” Sipas punonjëses anonime më e mira do ishte të vendoseshin këta persona në hotelet bosh.