Vasilia Paviqeviq, major i Mbrojtjes së Popullit, mjaft me randësi ndër çashtje të tjera shtetnore në Mal të Zi, tash nji javë më kishte thanë qi me çdo mënyrë me e takue me Kapiten Gjolosh Lulin. Ndoshta ishte i bindun se kam lidhje me të, por e vërteta asht se nuk kisha kurrfarë dijenie se ku asht. Mbasi u sigurova mirë se nuk i ndodhë Gjeloshit asgja e keqe në besë në shtëpi time, e gjeta me anën e miqve. U caktue për mbramë vonë me ardhë Gjeloshi në shtëpi tonë, në Stanaj. Qe lajmue edhe Vasilia e porositë me ardhë i shoqnuem vetëm me Zef Prenkën e Tom Berishën. Nuk iu besohet njerëzve të qeverisë, e sidomos shkjeve nuk mundet kurrkush me iu besue as njiqind besë e fe. Ma parë pranoj me dalë faret me çka kam se me i ndodhë kujt gja e ligë në besë të familjes sonë. Megjithëse qeshë sigurue me fjalë prej Vasilisë, baba i muer të gjitha masat në shtëpi e rreth, ndërsa njerzit e tjerë besnikë ishin në prita në qeta të vijës së Shpellës mbi shtëpi, për mos me i ngjanë Gjeloshit gja e papritun…
Vasilia me Zefin e Tomën erdhën mbasi u errë natë. Dikur vonë erdhi edhe Gjeloshi, i armatosun, filikat vetëm. Ishte dobësue fort sa mos me e njohun, porse ideja shejte e kombit e mban shumë naltë e të fortë moralisht. U ba përshëndetja, simbas traditave, qi edhe malazezët i kanë mbajtë, gati si na, edhe mbas sllavizimit.
Para se me hy në biseda të tjera, Vasilia na tha se gjyshi i tij nuk dinte me folë serbisht, por gjithmonë na flite shqip. Gjeloshi e kapi në ket tregim tue i thanë: << Kush humb gjuhën, humb edhe besën e të gjitha traditat e kombit të vet. Na shqiptarët, tash e tutje, do t’a ruejmë gjuhën tonë si syt e ballit, për mos me u asimilue si ju! >>
Vasilia menjiherë duel me fjalë të bukura:
– Zotni Gjelosh, je kapiten dhe e ke në dorë menjiherë me u ba major. Ke me pasë pare mjaft e automobilin në dispozicion për me shetitë Tiranë-Beograd, pa pasë frigë, sikurse ke tashti, nëpër male me krye mjaft në rrezik dhe krejt pa shpresë për fitim. Kërkojmë nji shërbim të thjeshtë prej teje: me na ba edhe dorëzue biografitë e oficerave të vjetër shqiptarë pse ju i njihni shumë mirë…
Gjeloshi iu përgjigj njerzisht, por me ton të thekshëm:
– Gradën e kam prej studimeve të mia dhe gradue më ka kombi ëm. I jam betue me i shërbye me nderë e besniki si të parët e mi, prandej as përballë vdekjes nuk e tradhëtoj atdheun. Në komunizëm tuej shoh e kuptoj pansllavizmin e kobshëm për kombin shqiptar. Vdekja në gërdhata në male të Shqipnisë, asht nderë edhe detyrë për mue!

Shkruen; Prenk Gruda në ”Ditari i nji zemre së lëndueme 1937-1975”.

PS: Gjelosh Luli, pasi që u përshendet, u kap malit përpjete bashkë me përcjellsit e vet. Gjeloshi shkoi dhe nuk u duk më në opinion, derisa u gjet i vdekur, i ngrirë në borë, pranë nji shpelle në Shkrelë, dy vjet më vonë.
U vetëflijua për ideale të nalta kombëtare.