–Fjala e Rastit e Prefektit të Qarkut të Kukësit, z. Zenel Kuçana, mbajtur në Akademinë Përkujtimore me rastin e 20-vjetorit të rënies së Dëshmorit të Atdheut e Kombit, Bylbyl Breçani-
Të nderuar zonja dhe zotërinj, pjesmarrës në këtë Akademi Përkujtimore!
Të nderuar pjestarë të Familjes së Dëshmorit të Atdheut dhe të Kombit, Bylbyl Breçani!
Të nderuar komandantë dhe kuadro ushtarakë aktiv dhe në rezervë, që shërbyet në Brigaden e Këmbësorisë B.Curri dhe në rradhët e UÇK-së: Z. Halil Kuçana, Rexhep Kortoçi, Rakip Sadiku, Petrit Rrahmani, Besim Kuçana, Mehmet Mehmeti, Perparim Gega, Haxhi Qelia, Oso Çakraj, Halit Doçi, Riza Demushi, Qamil Kataroshi, Kujtim Vatoci, Idriz Kuca, Ali Mulgeci, Agim Kuçana, Fatmir Neziri, Isa Kuliçi, Selim Hajdini, Arben Kuliçi, Asllan Osmani, Avni Baliaj, Skënder Aga, Besnik Sylaj, Shkëlzen Mëhilli, Isa Hajdini, Myftar Lushaj, Veli Doçi, e të tjerë.
Faleminderit për punën e shkëlqyer që keni bërë para 21 e 20 vitesh, faleminderit që sot jeni prezent në këtë përvjetor të 20-të të rënies së Dëshmorit Bylbyl Breçani. Ndjesë për të gjithë ata që nuk janë prezent dhe nuk ua kam përmendur emrin dhe puna e kontributi i tyre ka qënë i pamohueshëm.
Në emër të detyrës së Prefektit të Qarkut Kukës përgëzoj dhe falenderoj z. Ramiz Lushaj dhe Këshillin Organizator të kësaj Akademie Përkujtimore për Dëshmorin e Atdheut e të Kombit, djalin e Tropojës, Bylbyl Breçani.
Asnjë titull nuk do të ishte plotpërmbushës për djalin e Malësisë së Gjakovës që rá dëshmor?
E vështirë për t’u përcaktuar për Bylbyl Breçanin, personifikimin e amanetit stërgjyshor, se nuk ka shenjtëri më të madhe se me rá për atdhe.
I rritur, edukuar, e frymëzuar nga odat e burrave të Malësisë, nga këngët dhe historitë e këtij trolli, nga legjendat e mrekullueshme shqiptare se kur të vijë dita, burri përqafon amanetin, bash si në legjendë, ku këndohet për trimërinë e burrave të Malësisë.
Ishte një horizont i shkëputur, i prerë, që mbërthente një ëndërr duke e gjymtuar atë: Kufiri Shqiptaro-Shqiptar.
Tek ai u ngjiz ëndrra si amanet, se toka s’mund të durojë atë kufi, se i tillë nuk duhej të ishte, se në Konferencën e Bujanit, u vendos ndryshe, se gjysh e stëgjysh kishin luftuar e kishin besuar fort, se një ditë…, se do të vijë një ditë “do e bëjnë deken si me le”, do të thoshte Fishta.
Kosova për çdo banor të Malësisë së Gjakovës ishte më shumë se ëndërr, ku të merr malli edhe pse kurrë s’ke shkelur tokën e saj.
Kushedi sa herë kaloi në qiellin e saj, Bylbyli, kur tej horizontit shfaqej ashtu, e bukur, ku gjëmonte barbaria serbe, e ai priste…, priste që një ditë do të ishte dita e tij, një ditë do të bënte atë që kishin bërë paraardhësit, atë që duhej të bënte burri i Malësisë së Gjakovës, bash si në kangë, siç ishte mëkuar, të luftonte luftën për Atdhe.
E pranvera shqiptare po vinte si shpresë. Kishte ardhur koha, dita kur dhéu i të parëve thërriste bijtë e vet, kur dheu i të parëve digjej nga makineria e çmendurisë millosheviçiane.
Kishte ardhur dita kur trojet shqiptare të Kosovës po zbrazeshin, kur planet shfarosëse kishin filluar të zbatoheshin, kur qafat e malet u trishtuan nga vaji i fëmijëve dhe grave që u detyruan të ikin nga vatrat e tyre stërgjyshore. Por ishin edhe ato ditë kur banorët e Tropojës, Hasit e Kukësit e të gjithë Shqipërisë, pasqyruan vlerat më të larta njerëzore, humane, fisnike dhe atdhetare, të kultivuara në shekuj bujarinë, mikpritjen, hapjen e dyerve për vëllezerit e motrat e tyre shqiptare të Kosovës.
Ishte koha kur nuk mund të pritej më, e Bylbyl Breçani do të takohej me heronjtë e tjerë të Kombit Shqiptar, Adrian Krasniqin dhe Ilir Konushevcin. Ata i bashkonte gjaku dhe ëndrra, për Kosovën e lirë ku do të çohej në vend Amaneti stërgjyshor.
Takimi me ushtarakët e lartë të Luftës së Koshares, Rrustem Berisha e Hisen A. Berisha i dha nderin e madh Bylbylit. Ai nuk ishte thjesht djalë i Krasniqes, djalë i Malësisë së Gjakovës. Ai tashmë ishte ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte ushtar në Brigadën 138 “Agim Ramadani” në Papaj e Koshare.
Bylbyli ishte aty, kur koha kishte ardhur, që bash në Malësinë e Gjakovës, nuk mund të kishte më “kurrë kufi; kurrë as kufi, as shka të zi….”.
“Trim si Bylbylin nuk ban ma nana”- thonë komandantët. Në betejat e lavdishme kur këndoheshin këngët e moçme e oshëtinin malet nga heroizmat e Bylbyl Breçanit me shokë, nga Rrasa e Zogut e deri në Junik e Deçan, nga Kosharja në Botushë, Isniq e Pejë, nga Qafa e Morinës në Rrafshin e Dukagjinit, e krejt Kosovën.
Ishte koha kur ai kufi do të hiqej, nën këngët e armëve, nën gjakun shqiptar, siç thuhet në amanetin e moçëm.
57 dëshmorë dha Qarku i Kukësit në Luftën e fundit të Kosovës, 20 i ka Tropoja, 36 i ka Hasi dhe 1 e ka Kukësi.
Nga Qarku i Kukësit 268 ranë në minat serbe, 34 të vdekur,12 me shikim të humbur, 54 të gjymtuar me paterica.
Heqja e atij kufiri dikur ishte ëndërr, tashmë ishte thjesht një detyrë.
E kush nga bashkëluftëtarët e tij mund të harrojnë Bylbyl Shqiptarin, që kurrësesi nuk mund të duronte flamurin e shkinisë të valëvitej në trojet shqiptare, bash në kufirin shqiptaro –shqiptar.
Ani çka mes plumbash, ani çka ballë për ballë, kurrën e kurrës ai flamur s’mund të valonte në kufirin që s’duhej të ishte.
Bylbyl Shqiptari e hoqi flamurin e shkinisë dhe vendosi Flamurin e Lirisë, akt që pasoi me heqjen Kufirit Shqiptaro-Shqiptar.
“Dy Bylbyla këndojnë për njiheri/njëri është bylbyl mali/tjetri është Bylbyl Breçani…”, po trimat, dëshmorët, heronjtë nuk vajtohen, por kujtohen, nderohen e përjetësohen në jetë të jetëve.
E dielli do të lindte ndryshe, e toka do të frymonte e lirë, në gjakun e bijve të vet, në gjakun e Bylbyl Breçanit me shokët e tij Fatmir Hasandoçin, Tahir Sinanin, Agim Ramadanin, Sali Çekun, Bekim Berishen, Bedri Shalën, bijtë e Jasharajve e të Haradinajve e dhjetra e qindra të tjerë, që prehen në Altarin më të lartë të Kombit Shqiptar.
Në kufirin shqiptaro-shqiptar, ku sot është një përmendore, që për të gjithë ne duhet të jetë reflektim.
E cili titull do të ishte më plotpërmbushës për dëshmorin e Kombit Bylbyl Breçani, cili tingull do të ishte aq i zjarrtë, sa idhnimi i zanave në Bjeshkët e Nemuna ?
Çdo udhëtar që kalon në kufirin shqiptaro-shqiptar e përkujton se aty Bylbyl Breçani ngriti Flamurin e Lirisë, Flamurin e Kombit, dhe patjetër që po, ëndërra e tij dhe e çdo shqiptari vazhdon…
Lavdi Dëshmorit të Atdheut e Kombit, Bylbyl Breçani!
Lavdi Dëshmorëve të Kombit, që dhanë jetën për Çlirimin e Kosovës!
Ju faleminderit!
Prefekti i Qarkut të Kukësit
Zenel KUÇANA
Kukës, 24/6/2019