Të shkruash për dinastinë Gjika do të mjaftonte edhe një arësye e vetme si për shembull ruajtja ndër vite e identitetit shqiptar, apo nxjerrja e disa princave sundues për fronin e Moldavisë dhe të Vllahisë. Madje do të mjaftonte vetëm një princ sundues që kjo familje të bënte histori. Por ja që nuk ekziston një arsye e vetme, madje kemi disa arësye madhore për të shkruar një libër për Gjikajt në shqip. Ky do të jetë libri i parë në shqip për ta. Nuk dihet se pse ka ndodhur kështu, kur janë përkthyer dhe vazhdojnë të përkthehen libra që tregojnë njerëz dhe realitete krejt të zakonëshme për jetën shqiptare. Ndoshta harresa e ka nji emër, pasi në botimet e shumta për Elena Gjikën kalohet fare përciptas fakti se kjo shqiptare e shquar është pinjolle e një familje të shquar princërore që ka jetuar e sunduar në Rumani.
Kjo familje që po shkëlqen që nga viti 1658 e këtej, për plot treqind e pesëdhjetë vjet, rreth shtatëdhjetë vjet i ka vite sundimi në Moldavi dhe në Vllahi, me dhjetë princa sundues. Nuk janë vetëm princat sundues që i dhanë famë dinastisë Gjika, pasi gjatë gjithë kohës dhe pandërpreje pinjollë të saj kanë mbajtur funksione të rëndësishme, duke filluar me postin e lartë të Dragomanit të Madh të Perandorisë Osmane dhe për të kaluar në funksionet e larta, në oborret princërore të Vllahisë dhe Moldavisë. Përmendim se nga Gjikajt kanë dalë gjashtë Mare Ban (Guvernator i Madh i Principatës), funksioni i dytë më i rëndësishëm pas princit sundues, dy Kryetar të Divanit të Principatës, njëmbëdhjetë kryekancelar, dy komandantë të përgjithshëm të ushtrisë, tre komandantë të Oborrit Princëror, pesë guvernatorë të provincave të rëndësishme, etj. Po familja Gjika shkëlqeu edhe pas bashkimit të principatave në Rumaninë e bashkuar. Ajo dha për Rumaninë edhe dy Kryeministra, dy kryetarë Senati, shtatë ministra, gjashtë deputetë, katër prefektë, gjashtë gjeneralë, nëntë ambasadorë, një kryetarë të Gjykatës së Lartë, një Kryetar të Akademisë së Shkencave, tre akademikë, një Kryetarë të Lidhjes së Shkrimtarëve e shumë personalitete të tjera të shquara. Një meritë të padiskutueshme në shkëlqimin e Gjikajve kanë patur vajzat dhe gratë e familjes. Vajza e tyre, Elena Gjika është konsideruar si njëra ndër femrat europiane më të shquara të kohës së vet. Mirënjohje europiane ka dhe nusja Aurelie Gjika. Gjithashtu, vajza të tjera të Gjikajve, më pak të shquara se këto, u lidhën me dyer të fuqishme princërore. Përmendim se tre vajza të Gjikajve u martuan me princa sundues, dy me dragomanë, një me kryeministër, një martuar me Kryetarin e Dhomës së Deputetëve, dy martuar me ministra. Dhe si për të balancuar këtë meritë të natyrëshme femërore, edhe djemtë e Gjikajve u lidhën me vajza të familjeve princërore në Rumani dhe kudo në Europë. Ndër ta ndoshta i’a vlen të përmendim se dy pinjollë të Gjikajve u martuan me vajzat e kryeministrave të Rumanisë.
Familja Gjika është padyshim më e shquara ndër familjet shqiptare që janë vendosur në territoret rumune. Të parët e kësaj familje largohen prej Zërecit të Përmetit dhe vendosen në Konstandinopojë në kërkim të një jete më të mirë. Por, kur shkruan për origjinën e saj, Elena Gjika përmend faktin se të parët e saj ishin nga fshati Gjik i Mirditës, fqinj me fshatin Kiptil, nga dolën Qyprilinjtë e famshëm. Gjikajt dhe Qyprilinjtë kishin njohje dhe ishte Kryeveziri Mehmet Qypriliu që ndihmoi fillimisht në lartësimin e familjes Gjika.
Thuhet se Matei Gjika, me familjen e tij, për arsye ekonomike largohet nga vendlindja dhe shkon në Konstandinopojë. Atje ai u muar me tregëti. Profesionin e tij e vazhdoi i biri Gjergji, i cili krijoi pasuri dhe mundi ta vendoste familjen në lagjen Fanari, ku banonin të krishterët e pasur të Perandorisë. Gjergji merrej me tregëti, kur u njoh me kryevezirin me origjinë shqiptare Mehmet Pashë Qypriliu, i cili e ndihmoi të ngjisë shkallët e rangut shoqëror dhe i hapi dyert e pushtetit. Por si i krishterë Gjergji krijoi lidhjet e veta në principatat rumune. Atje u njoh me shumë fisnikë, ndër të cilët edhe me princin shqiptar Stefan Lupin. Me ndihmën e kryevezirit shqiptar Mehmet Pashë Qypriliu dhe princit shqiptar Vasil Lupi, duke patur edhe miratimin e Sulltanit, Gjergji u përzgjodh për të sunduar Moldavinë dhe pastaj Vllahinë. Përgjegjshmëria në kryerjen e detyrës, respekti i madh që kjo familje fitoi, si dhe kontributet që dhanë në konsolidimin e të dy principatave bënë që pjesëtarë të tjerë të familjes njëri pas tjetrit për dyqind e pesëdhjetë vjet rrjesht të drejtojnë fillimisht në principatat e Vllahisë dhe të Moldavisë dhe pastaj në Rumaninë e bashkuar.
Familja Gjika ka dhënë dhjetë princa që kanë sunduar në të dy principatat për rreth shtatëdhjetë vjet, që përbën kohën më të gjatë të sundimit të një familje princërore në principatat rumune. Në vend të dytë vjen familja Mavrocordat me gjashtë princa. Fuqia e madhe e Gjikajve u rrit shumë me anë të martesave me familje të shquara aristokrate rumune dhe të vendeve të tjera evropiane. Përmendim lidhjet me familjet rumune Bals, Balaceanu, Cantacuzino, Costache, Baleanu, Cretzulescu, Donici, Gradisteanu, Greceanu, Filipescu, Florescu, Miclescu, Clanescu, Russo, Struza, Stirbei, Vacarescu e shumë të tjera. Pjesëtarë të familjes Gjika lidhën martesa edhe me pjesëtarë të familjeve fanariote: Caradja, Handjeru, Mavrocordati, Moruzi, Sutzu. Gjikajt u lidhën me anë të martesave me kontët polakë Rzyszeëo, kontët italianë Ruspoli, markezët francezë Aubespine-Sully, vikomtët anglezë Bollingbroke, knjazët rusë Trubetzkoi dhe Kolzof-Massalski. Vlen të përmendet martesa e motrave Konstantia dhe Pulcheria Gjika me vëllezërit Gioacchino dhe Achile të familjes Rasponi-Murat, që ishin nipa të Caroline Bonaparte, motrës së Napoleon Bonapartit. Po shkëlqimi i Gjikajve është aq i madh se ata dhanë princër, dinjitarë, kryeministra, ministra, politikanë, diplomatë, ushtarakë, teologë, e tjerë. Disa prej pasardhësve të tyre, pas vendosjes së regjimit komunist, u larguan nga Rumania dhe emigruan në qendrat e mëdha botërore: Nju Jork, Uashington, Berlin, Drezden, Vjenë, e tjerë, duke lënë gjurmët e tyre në këto qytete. E përbashkëta e Gjikajve kudo ku ndodhen, edhe tani, kur kanë hyrë në shekullin e katërt të shkëlqimit të tyre, është lidhja e pashkëputur me Shqipërinë. Ata vazhdojnë të jenë të shquar dhe krenarë për origjinën dhe vazhdojnë të lënë gjurmë në vendet ku jetojnë.
U tha diçka për dinastinë Gjika, ndonëse jemi të vetëdijshëm se ka shumë e shumë gjëra të tjera që duhen përmendur. Do të mjaftonte edhe një arsye e vetme, Gjikajt me origjinë shqiptarë, që të shkruhet për ta. Princat Gjika i bënë nder Rumanisë ku jetuan, por edhe Shqipërisë si vend i origjinës.