Vendet anëtare të BE-së do të vendosin vetë nëse do të eksportojnë pajisje mjekësore në vendet e Ballkanit Perëndimor, thotë zëdhënësi i Komisionit Evropian, Eric Mamer.
“Eksportet mund të autorizohen dhe pajisjet mund të eksportohen në atë rajon”, thotë Mamer.
Sipas tij varet nga vendet anëtare të BE-së që të vendosin për eksportet e mundshme, kështu që zyrtarët e Komisionit Evropian nuk duan ta quajnë vendimin “ndalime të eksportit”.
Komisioni Evropian vendosi me urgjencë të dielën të kufizojë eksportet e pajisjeve mjekësore jashtë BE-së në mënyrë që “të mbrojë disponueshmërinë e furnizimeve të pajisjeve të tilla brenda tregut të vetëm të BE-së”.
Vendimi për të kufizuar eksportin e pajisjeve mjekësore do të jetë i vlefshëm për 6 javët e ardhshme.
Vendimi u komentua nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i cili tha se masa ishte provë se solidariteti Evropian nuk ekziston, duke e quajtur atë një “përrallë në letër”.
Ai gjithashtu njoftoi se Serbia do të orientohet në Kinë, dhe do të kërkojë ndihmën e presidentit kinez, Xi Jinping, për të blerë pajisje mjekësore dhe për të marrë ndihmën e mjekëve kinezë.
Shumica e vendeve anëtare të BE-së janë duke u ballafaquar me një numër në rritje të të infektuarve me koronavirusin e ri. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se Evropa tashmë është epiqendra e virusit, dhe jo Kina ku viusi u paraqit për herë të parë në dhjetor të vitit të kaluar.