Polakët kanë regjistruar rritje dyshifrore në grupin e turistëve që kanë vizituar Shqipërinë në katërmujorin e parë të këtij viti. Të dhënat e publikuara nga INSTAT për lëvizjen e shtetaseve të huaj dhe shqiptarë konfirmojnë këtë tendencë.
“Në prill 2018, ndër vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Polonia ka pasur rritjen më të madhe me 41,9%, ndërsa uljen më të madhe e kanë pasur shtetasit nga Zvicra me 25,2%. Në katërmujorin e parë 2018, ndër vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Polonia ka pasur rritjen më të madhe 33,0%”, vlerëson raporti i INSTAT.
Shtetasit nga Kosova që kanë vizituar Shqipërinë në prill 2018 janë mbi 121 mijë, por me një ulje prej 3.8% në raport me prill 2017, por si katërmujor ka një rritje të kosovarëve që kanë vizituar vendin tonë me 5.9% në raport me janar-prill 2017.
Prilli në përgjithësi duket se ka pasur një braktisje nga shtetasit që vijnë drejt Shqipërisë nga vendet fqinje si Italia apo Greqia ku respektivisht kanë hyrë 7.1% më pak nga e para dhe 22.6% nga e dyta. Por si katërmujor tendenca është në rritje edhe pse me shifra modeste me 5.6 dhe 3.3% rritje krahasuar me janar-prill 2017.
Referuar shifrave zyrtare, numri i shtetasve shqiptarë dhe të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar, në muajin prill 2018, është 781.404. Krahasuar me prill 2017, ky tregues rezulton me rritje 2,2%.
“Në prill 2018, numri i shtetasve të huaj të hyrë në vend është 351.610. Krahasuar me prill 2017, ky numër është ulur me 2,2%. Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në vendin tonë në katërmujorin e parë e 2018 është 1.028.498, duke u rritur me 7,0%, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2017”.
Më shumë shqiptarë ikin jashtë
INSTAT vlerëson se shtetasit shqiptarë dhe të huaj të dalë nga vendi, gjatë muajit prill 2018, janë 806.412, duke shënuar rritje me 5,2%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
“Numri i shtetasve shqiptarë që kanë dalë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit prill 2018, është 451.147. Krahasuar me prill 2017, ky numër është rritur 5,1%. Numri i shtetasve të huaj që kanë dalë nga territori i Shqipërisë në muajin prill 2018, është 355.265. Krahasuar me prill 2018, ky numër është rritur 5,2%. Numri i shtetasve shqiptarë që kanë dalë nga territori i vendit tonë në katërmujorin parë 2018, është 1.563.003, duke u rritur 5,9%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë”, – thuhet në raportin e INSTAT.