“Lonely Planet” spanjoll ka publikuar për herë të parë një guidë të plotë për Shqipërinë, plot 272 faqe.

Rreth dy vite më parë ishte divizioni Italian që bënte të njëjtën gjë. “Lonely Planet” vlerësohet gjerësisht si guida numër një turistike në botë, sidomos për turizmin aventurier. Përfshirja e Shqipërisë në destinacionet e këshilluara nga guida është një reklamë mjaft e mirë për turizmin shqiptar. Publikimit të guidës për Shqipërinë në ditët e para të Marsit i ka bërë jehonë edhe e përditshmja e dytë me e madhe e Spanjës, “El Pais”. “Shqipëria, sekreti i fundit i Europës”, e titullon e përditshmja shkrimin për vendin tonë bazuar në guidën e “Lonely Planet”. Mes rreshtave thuhet se Shqipëria, për shkak të së shkuarës së gjatë në diktaturë ka qenë gjithmonë joshëse për spanjollët, dhe se tashmë ka ardhur momenti për ta eksploruar.

“Zbulimi më befasues është vija bregdetare prej 400 kilometrash ku rëra e Adriatikut bashkohet me gurët e plazheve të Jonit”-thuhet në shkrim. “Lonely planet” këshillon destinacione të shumta në Shqipëri, duke filluar prej kryeqytetit, Tiranës, ku thotë nuk duket si çdo kryeqytet tjetër europian dhe i shpëton çdo kategorie ose përkufizimi, një qytet ku jeta rrjedh pareshtur, si në trafikun e dendur të qendrës, ashtu edhe në pazar apo në xhami gjatë namazit të pasdites. Berati, Gjirokastra, Shkodra, Komani, Butrinti, Riviera, Kruja, apo Bjeshkët e Namuna, janë të gjitha destinacione të cilat rekomandohen nga “Lonely Planet”, të detajuara në guidën e plotë.

https://www.lonelyplanet.com/albania