Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka diskutuar në biseda telefonike me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi e kryeministrin Albin Kurti si dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, lidhur me vendimin për të emëruar një Përfaqësues të Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun dhe Ballkanin Perëndimor.

Në një njoftim të zyrës së zotit Borrell thuhet se gjatë bisedave ai theksoi se “emërim pasqyron rëndësinë që BE-ja dhe ai personalisht i kushtojnë stabilizimit të rajonit dhe përparimit në rrugën drejt BE-së”.

Peter Stano

@ExtSpoxEU

HRVP @JosepBorrellF spoke to @avucic @HashimThaciRKS @albinkurti 2follow up on Belgrade/Pristina visits & his decision 2appoint Special Representative for Dialogue & . It reflects the importance we attach to the region & its EU future. https://eeas.europa.eu/headquarters/headquarters-homepage_en/75012/Kosovo-Serbia:%20High%20Representative%20Josep%20Borrell%20speaks%20to%20political%20leaders 

Kosovo-Serbia: High Representative Josep Borrell speaks to political leaders

EEAS – European External Action Service – European Union External Action

eeas.europa.eu

17 people are talking about this

Ai ritheksoi se “mbetet personalisht i angazhuar dhe i përkushtuar fuqimisht për të mbështetur ardhmërinë evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe për të luajtur rolin e tij si lehtësues i bisedimeve Beograd-Prishtinë’, thuhet në një komunikatë të zyrës së zotit Borrell.

Por, ai nuk ka përmendur ndonjë emër që mund të jetë në postin e të dërguarit të posacëm. Deri tash emri më i përmendur është ai i ministrit të Jashtëm të Sllovakisë, Miroslav Lajçak.

Më herët zoti Borrell kishte deklaruar se në atë post duhet të jetë “dikush që e njeh rajonin”, ndërsa ministri Lajçak as nuk e ka mohuar dhe as pohuar mundësinë që ai të jetë i dërguari i Bashkimit Evropian.

Propozimi duhet të miratohet nga të gjitha vendet e bllokut mes të cilëve ka rezerva rreth zotit Lajçak, i cili sikurse zoti Borrell, ish ministër i Jashtëm i Spanjës, vjen nga një prej pesë vendeve që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Ideja për një përfaqësues të posaçëm ishte hedhur që në vitin e kaluar pasi që departamenti amerikan i Shtetit emëroi zotin Mathew Palmer të dërguar të posaçëm për Ballkanin Perëndimor, ndërsa më pas presidenti Donald Trump emëroi ambasadorin Richard Grenell të dërguar të posaçëm për bisedimet e paqes Kosovë – Serbi.

Ideja u fuqizua sivjet, meqë Bashkimi Evropian u ndje i lënë anash pasi që ambasadori Grenell siguroi dy marrëveshje për linjën ajrore, linjën hekurudhore dhe autostradat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pa përfshirjen evropiane.

Procesi i bisedimeve i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian i filluar që në vitin 2011 janë pezulluar që nga vjeshta e vitit 2018, kur qeveria e Kosovës vendosi tarifat prej 100 për qind ndaj mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj qasjes së Beogradit ndaj shtetësisë së Kosovës. Beogradi kushtëzon vazhdimin e bisedimeve për normalizim marrëdhëniesh me Kosovës me heqjen e këtyre tarifave.

Përballë angazhimit energjik amerikan, Bashkimi Evropian është vënë në përpjekje që të sigurohet se do të luajë rolin e tij në proces.(b.a.)