Kancelarja gjermane Angela Merkel, tha të enjten se kishte gjurmë të shumta që dëshmojnë se sulmuesi që vrau nëntë persona një natë më parë në qytetin gjerman Hanau, ishte motivuar nga racizmi dhe ekstremizmi i krahut të djathtë, ndërsa theksoi se autoritetet do të bëjnë gjithë çfarë është e mundur për të sqaruar sulmin.
Një person i armatosur qëlloi natën e së mërkurës në dy bare ku shërbehet me nargjile në Hanau para se të kthehej në shtëpi dhe sipas policisë, të vriste veten.
Prokurorët federal morën përsipër hetimet për vrasjet në këtë qytet që ndodhet në lindje të Frankfurtit.
“Ka shumë shenja që sulmuesi ka vepruar me motive ekstremiste, raciste dhe nga urrejtja ndaj njerëzve me origjinë tjetër, fe ose paraqitje tjetër”, u tha zonja Merkel gazetarëve të enjten.
“Racizmi është helm, urrejtja është helm dhe ky helm ekziston në shoqëri dhe është shkaktar i shumë krimeve krime,” theksoi ajo.
Disa nga të vrarët janë me origjinë turke, tha zëdhënësi i presidencës së Turqisë, Ibrahim Kalin. “Presim që autoritetet gjermane të ndriçojnë këtë rast. Racizmi është kancer kolektiv”, shkroi ai në rrjetet sociale.
Policia tha se sulmuesi besohet të ketë kryer vetëvrasje pasi është kthyer në apartamentin e tij ku është gjetur edhe trupi i pajetë i së ëmës.