Ish-Kryeministri Ramush Haradinaj përmes një letre të hapur, i ka kërkuar pasardhësit të tij, kreut aktual të qeverisë Albin Kurti, që të mos e heqë tarifën 100% ndaj produkteve serbe.
Ai i ka bërë thirrje Kurtit që të rikonsiderojë vendimin e tij. Sipas Haradinajt, çështja e tarifës ndaj Serbisë është më e madhe se beteja mes forcave politike në Kosovë.
“Albin, mos e lejo tregun e fitimit të mbi 400 milionë Euro-ve për Serbinë, shtetin i cili të ka rrahur e të ka torturuar. Shtetin, që me paratë e popullit të Kosovës blenë armë në Rusi. Të lutem, mos e kamuflo këtë vendim sovran me terme të mjegullta siç është “reciprociteti”.Mos e hjek taksën Albin. Mos u tërhiq për disa poena të përkohshëm që mund t’i fitosh nga bashkësia ndërkombëtare”.
Deri më tani ende nuk ka ndonjë përgjigje nga zyra e Kryeministrit Kurti. Përderisa kryetarja e Parlamentit të Kosovës Vjosa Osmani tha se zëvendësimi i tarifës me masën e reciprocitetit është në pajtueshmëri të plotë me partnerët e koalicionit qeverisës.
“Ne si Kuvend nuk e marrim atë vendim atë e merr qeveria. Absolutisht ka pajtim të tillë, është pjesë e programit qeverisës me pajtim të partnerëve të koalicionit”.
Ish-Kryeministri Ramush Haradinaj në kohën sa ishte në krye të ekzekutivit në Nëntor të 2018-ës i kishte vënë tarifë 100% produkteve serbe për çka edhe pala serbe kërkonte si kusht për vazhdimn e dialogut Kosovë-Serbi heqjen e kësaj tarife. Ndërsa, Kryeministri Kurti ka thënë se këtë tarifë do ta zëvendësojë me reciprocitet të plotë ndaj Serbisë.