Ndryshimi i klimës është edhe një shans për Groenlandën. Rritet interesi për investime. Kur akullnajat shkrijnë dhe deti çlirohet prej akullit rritet edhe interesi i ekonomisë për lëndë të para në vend.
Nata është e ftohtë, minus 18 gradë. Era bën që ajri i Groenlandës të ndihet edhe më i ftohtë në kryeqytetin Nuuk. Anders Lykke Laursen e ka këtë një premierë: Skafet taksi në ngjyrë të verdhë të tij, kanë qenë deri tani vetëm në gjashtë muajt e verës në përdorim. Ndërsa sot ai i nxjerr në fjord turistët edhe në dimrin arktik. Për Anders Lykke Laursen ndryshimi po ndodh gjithnjë e më shpejt. “Ne po humbasim vazhdimisht akull në brendësi të vendit. Kjo bën që, njerëzit të vijnë në Groenlandë, sepse duan të shohin si po shkrin akulli.”
„Godhabsfjord” – Fjordi i shpresës së mirë
Këtë emër i dhanë danezët dikur kanalit detar. Sot fjordi po ndryshon vrullshëm. Temperaturat rriten, akullnajat po zvogëlohen, uji i akujve të shkrirë vërshon shumë zona ranore nëpër gjire. Mbi 300 miliardë ton akull ka humbur Groenlanda vetëm verën e kaluar. Para pesë vjetësh Anders nisi me një skaf taksi. Së fundi ai ka mandatuar edhe një të pestë. Biznesi me akujt që shkrijnë është në bum.
Para 300 vjetësh danezët themeluan kryeqytetin e Groendlandës Nuuk dhe rajonin. Turistët vijnë këtu kryesisht në portin e vjetër të kolonisë.
Por që prej disa vjetësh qyteti sërish po përjeton gjallërinë si dikur kur u themelua, anë e mbanë po ndërtohet. Po ndërtohen hotele të reja, shtëpi banimi e aeroporti po zgjerohet. „Groenlanda po përjeton një hop zhvillimi!”, thotë kryebashkiakja e Nuuk Charlotte Ludvigsen. Paraardhësit e saj kanë qenë peshkatarë e gjuetarë. Që prej një gjysmë viti ajo është në detyrën e kryebashkiakes. Ajo ka plane të mëdha për qytetin. 30 mijë vetë duhet të jetojnë këtu. Sot janë diku 18 mijë.
Në Nuuk anë e mbanë po krijohen ide të reja biznesi, si p.sh. kultivimi i zarzavateve në vend në salla të mbyllura. Kultiviuesit e shohin këtë si një shans për prodhime të freskëta vendi dhe shkëputjen e varësisë nga importet. Ndonëse ndryshimi nuk është i shpejtë, Groenlanda ka nisur të gjelbërohet.
Thesare të pazbuluara
Prodhimet e peshkut janë malli më i rëndësishëm i eksportit në ishull. Por Groenlanda do të investojë edhe për nxjerrjen e lëndëve të para: ar, titan, minerale të rralla, naftë dhe gaz. Nën akullnaja gëlojnë thesare gjigande.
Temperaturat në rritje ndihmojnë që ato të zbulohen. Kinezët kanë nisur nga puna. Por edhe SHBA po pason. Konsullata e SHBA-së e mbyllur më 1953 tani do të rihapet. I dërguari i ri i SHBA-së ndërkohë ka nisur nga puna. Nëse në Groenlandë nisin kohë të reja – atëherë SHBA do të jetë e pranishme. “Tek ne po vijnë gjithnjë e më shumë investitorë. Ne aktualisht kemi një situatë të veçantë dhe po tërheqim shumë vëmendje”, thotë kryebashkiakja Ludvigsen.
Por si do të jetë Arktiku pas 50 apo 100 vjetësh? Këtë groenlandasit nuk e dinë, por ata do të përshtaten me ndryshimin e klimës. Në Groenlandë ndryshimi i klimës konsiderohet edhe si një shans./DW/