Qyteti kinez ku u paraqit për herë të parë një virus i ri, ka mbyllur përkohësisht transportin e tij publik.

Autoritetet po mundohen të parandalojnë përhapjen e virusit, nga i cili deri më tani kanë vdekur 17 njerëz.

Rreth 11 milionë banorë të Vuhanit janë këshilluar të mos lëvizin nga qyteti, në kohën kur shumë banorë udhëtojnë për festën e Vitit të Ri kinez.

Virusi që paraqitet përmes simptomave që përfshijnë temperaturë, koll dhe vështirësi në frymëmarrje, është përhapur edhe në pjesë tjera të Kinës ashtu si dhe në Shtetet e Bashkuara, Tajvan, Filipine, Japoni, Kore të Jugut, Tajlandë dhe Australi.

Raportohet se janë konfirmuar më shumë se 500 raste të personave të infektuar me këtë virus.

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se do të shqyrtojë shpalljen e një urgjence ndërkombëtare të shëndetit publik, për shkak të virusit.

Në fillim, shkencëtarët thanë se virusi mund të transmetohët vetëm nga kafshët tek njeriu, mirëpo autoritetet kineze njoftuan se sëmundja kalon edhe nga njeriu në njeri.