Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se SHBA-ja do t’i bashkohet nismës për një trilion drunj, të ndërmarrë në Forumin Ekonomik Botëror, në Davos të Zvicrës.
Trump i bëri komentet në hapje të Forumit, i cili po shoqërohet me thirrjet e aktivistëve për të ndërmarrë më shumë hapa për luftimin e ndryshimeve klimatike.
Me planin e shpallur, një trilion drunj duhet të mbillen këtë dekadë me kontributet financiare të bizneseve, qeverive dhe filantropëve.
Iniciativa synon t’i japë një impuls ripyllëzimit në mbarë botën, për të luftuar dioksidin e karbonit të tepërt në atmosferë, i cili, sipas shkencëtarëve, është përgjegjës për rritjen e temperaturave globale.
“Jam besimtar i madh i mjedisit. E dua ujin më të pastër dhe ajrin më të pastër”, tha Trump.
Trump iu adresua Forumit Ekonomik Botëror vetëm disa orë përpara se në Senatin e Shteteve të Bashkuara të nisë gjykimi i tij.
Trump akuzohet se i ka bërë presion Ukrainës për të hetuar një rival të tijin politik.
Dhoma e Përfaqësuesve e Shteteve të Bashkuara, e udhëhequr nga rivalët e tij demokratë, i ka ngritur akuzat formale kundër tij në muajin dhjetor.