Nëse thyen rregullat e qarkullimit rrugor, kjo do të të kushtojë më shumë sesa vetëm pezullimi i patentës. Me propozim të Ministrisë së Brendshme, drejtuesit e automjeteve duhet të kalojnë edhe “testin e idiotit”.
“Shoferët do t’i nënshtrohen një testi për gjendjen e tyre psikologjike të njohur si “testi i idiotit” sa herë që efektivët e policisë do të konstatojnë sjellje të rrezikshme të tyre”.
Ekspertët sqarojnë se drejtimi i mjetit tek normave të lejuara apo nën efektin e alkoolit veç penaliteteve, i shtohet edhe elementi i testimit.
“Për shembull, kur kalon shpejtësinë mbi 20 km/orë pezullohet deri në 3 muaj. Gjatë kësaj kohë, kur plotëson këtë afat duhet të kalosh edhe këtë testin pranë një psikologu i cili duhet të jetë pranë institucionit të policisë ose Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor”, thotë eksperti Artur Sulçe.
Sipas ekspertit, ky test psikologjik do t’ju vinte në ndihmë edhe drejtuesve të përfshirë në aksidente.
“Testi i idiotit” aplikohet në Gjermani dhe në disa vende të tjera të Bashkimit Europian. Ai përmban 50 pyetje të thjeshta që tregojnë nivelin psikologjik të drejtuesit të automjetit. Nëse ky test nuk kalohet prej tyre, hiqet leja e drejtimit.