Jeta ikën por kujtimet mbesin.
Të të ngushëlloj Ty… për Kune Brahen është njëlloj sikur të ngushëlloj veten për motren time.
I pari fëmi që erdhi para meje si nxënës, atëherë kur isha vetëm 16 vjeç ishte Sibja dhe përfundoi kjo jetëgjatësi e karrieres time me të 12 fëmijët e Kune Brahës dhe Shaban Lahukës, me bukuroshen Liri.
Të jesh dhe të thuash janë dy, nuk është problemi që lindi 12 fëmijë, 6 djemë dhe 6 çika, por bashkë me Shabanin, që bënte 5 orë në ditë vajtje-ardhje me kámë, si puntor miniere, i rritën dhe i edukuan si askush tjetër. Me sa di unë, 11 me diploma universiteti dhe i 12 ai që ka vyrtytet e të gjithë juve se është në truallin e vet dhe i plotësohet amaneti nënës që të varroset në Viliq, aty ku zbriti si nuse 16 vjeçare dhe tek varri i saj nuk e di saktë sa do jetë numri i mbesave dhe nipave, pa llogaritur 11 fëmijët e saj nesër. Nuk janë 12 nesër, sepse Rukia nuk është, se ajo të pret atje ku do shkosh ti nesër…
Më beso, ndonëse ti po ndërron jetë, por nuk po vdes, se sa herë që kujtoj atë ndjenjë tënden të veçantë ndaj meje përlotem, mbasi zgjodhe për emër të vajzës tënde emrin tim.
Është krenari dhe nder për mua ka qënë gjithmonë një ngushëllim ndër fatkeqësitë e mia, vetëm kur takohesha me Kunen Brahen dinte me të qetësue me mahitë e saj, dinte me të dhanë kurajo me trimëritë e saj dhe dinte me të këshillue me zgjuarsinë e saj.
Është viti 73, po ecja me çanten hedhur në krah drejt Berishës,. Isha drejtoresha e shkollës. Para se të dilja në Qafën e Nevadit dëgjoj një zë që më thërriste dhe një vishkëllimë. Ishe pikërisht ti Kune Brahja, që po më ndiqje me vrap për të më shpëtuar nga një kurth i siguruar nga zvarranikë sigurimi, të cilët paskan dalë që në mëngjes për të më zënë pritë në atë zonë malore dhe kush e di ç’kishin menduar hijenat për të bërë…Por Ti më detyrove që të ndaloja, të vonohesha për orarin e shkollës, por të mos bija në këtë batak lloçi që qelbte erë.
Ke qënë ti Kune Brahja, që ke shkuar në Vlad në prill të vitit 1977 dhe e ke qetësuar time ëmë, Loken, me ato fjalët e tua të veçanta, se ajo po përjetonte një situatë të vështirë shpirtërore.
Pra, je ti Kune Brahja që u bane mjeke popullore për Has e Malësi.
Je pikërisht ti që më çove një koshare me vosa në burg…
E kam shumë të vështirë të gjej fjalë dhe të shpreh ato që ti bëre në jetën time, të mira dhe të mira…
Pra jeta ikën, por kujtimet mbesin.
Të qoftë i lehtë dheu i tokës që ti e deshe aq shumë.
Me dhimbje në shpirt dhe lotë në sy,
Rukie RAMA
Bruksel, më 21/12/2019