Pas deklaratës së Bashkimit Evropian për formimin e shpejtë të Qeverisë së re të Kosovës, edhe Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar i janë bashkuar kësaj thirrjeje.
Ambasada amerikane në Prishtinë i bëri jehonë thirrjes së Bashkimit Evropian, duke shtuar se “njerëzit e Kosovës me padurim presin një Qeveri që do të sjellë ndryshime pozitive”.
Ndërkaq, ambasada britanike në Prishtinë tha se mbështet thirrjen e misioneve të Bashkimit Evropian në Kosovë.
Në deklaratën e përfaqësuesve evropianë në Prishtinë, thuhet se Kosova duhet me urgjencë të vazhdojë punën në reforma për zhvillim ekonomik dhe shoqëror, si dhe sundim të ligjit, zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit BE-Kosovë dhe dialogun me Beogradin, të cilin e lehtëson BE-ja.
“Nevojitet një formim i shpejtë i qeverisë për t’i çuar përpara këto procese, në interes të Kosovës dhe popullit të saj dhe në përputhje me Kushtetutën dhe dëshirën e shprehur të elektoratit”, thuhet mes tjerash në deklaratë.
Kosova i ka mbajtur zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 6 tetor.
Dy partitë me numrin më të madh të votave, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, janë në negociata për formimin e koalicionit qeveritar, por ende nuk kanë arritur ndonjë marrëveshje.
Seanca konstitutive e Kuvendit të Kosovës është caktuar të mbahet më 26 dhjetor.