Nën një atmosferë të jashtëzakonshme të krijuar nga më shumë se 19 mijë tifozë të pranishëm në stadiumin “Air Albania”, derbi i kryeqytetit pati si fituese Tiranën, që u rikthye pas rreth 6 vitesh, të triumfojë përballë Partizanit.

Tirana fitoi 2-1 derbin me Partizanin, në ndeshjen e parë të Kategorisë Superiore.

Bardheblutë kaluan shpejt në epërsi, që në të ‘7, me Idriz Bathën, por vetëm katër minuta më vonë Bardhi barazoi për Partizanin, me topin që i përfundoi në këmbë pas dy grushtimeve spektakolare nga Lika.

Në minutën e fundit, kur dukej se Tirana do të kalonte një tjetër derbi pa fitore, ishte Cobbinah që shënoi golin e dytë për bardheblutë.

Vërshëllima finale bëri që të shpërthejë festa bardheblu në stadiumin “Air Albania”, me Tiranën që i dha fund makthit të derbit, pasi fitorja përballë Partizanit mungonte që prej vitit 2014 dhe pikërisht në të njëjtin vend ku triumfoi sonte, por atëherë në stadiumin që mbante emrin “Qemal Stafa”.