Kontrolli i Lartë i Shtetit shqiptar ka marrë vlerësime pozitive në konferencën e nivelit të lartë të Këshillit të Bashkimit Europian nën presidencën bullgare. Referimi i kreut të KLSH-së, Bujar Leskaj, në panelin e parë të konferencës me titull “Roli i Institucioneve Supreme të Auditimit në rritjen e përgjegjshmërisë, transparencës dhe integritetit në sektorin publik” është cilësuar nga anëtari i Gjykatës Europiane të Audituesve, Rimantas Sadziu, si një shembull dhe eksperiencë me vlerë për vendet që duan të forcojnë pavarësinë e tyre institucionale.
Madje, kumtesa u vlerësua si një “case study” nga diskutuesit. Në fjalimin e tij, Leskaj paraqiti sfidat e Institucionit të Auditimit Suprem në Shqipëri për forcimin e pavarësisë institucionale dhe kushtetuese. Ai theksoi miratimin e ligjit organik të KLSH në vitin 2014, si një hap konkret dhe përcaktues në drejtim të një pavarësie të plotë dhe reale të institucionit.
Gjithashtu, kreu i KLSH së solli përvojën pozitive të institucionit që drejton, në bashkëpunimin me palët e interesit si në vend, ashtu dhe me partnerët ndërkombëtarë, në mbrojtje të pavarësisë institucionale dhe funksionale të KLSH, gjatë procesit të miratimit të ligjit të ri organik të KLSH.
Me këtë rast, Leskaj shprehu edhe mirënjohjen për ndërkombëtarët, duke theksuar se pa mbështetjen e tyre, veçanërisht Drejtoria e Përgjithshme e Buxhetit e Komisionit Europian DGBudget, SIGMA, program i BE dhe OECD, ligji i ri tërësisht në përputhje me standardet ndërkombëtare të auditimit të INTOSAI-t, nuk do të ishte e mundur të miratohej.
Kreu i KLSH nuk la mënjanë edhe bashkëpunimin me Institucionet e Auditimit Suprem në vend, me Parlamentin dhe sidomos me Komisionin e Kuvendit për Ekonominë dhe Financat, me kryetarin dhe sekretarin e tij, duke i cilësuar si tejet të rëndësishëm dhe vital. Presidenti i Zyrës Kombëtare të Auditimit të Bullgarisë, Tzvetan Tzvetkov, në fjalën e tij përshëndetëse, shprehu dëshirën dhe vullnetin e SAI-t bullgar për rritje të bashkëpunimit të SAI-ve të vendeve anëtare të Bashkimit Europian, duke ofruar kontributin e vendit të tij për një integrim të shpejtë të tyre.
Gjatë dy ditëve të qëndrimit në Sofje, kryetari i KLSH përfitoi nga rasti për të bërë një sërë takimesh me krerë e përfaqësues të zyrave kombëtare të Auditimit nga vende të ndryshme si Bullgaria, Polonia, Çekia, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Serbia ku diskutoi ecurinë e marrëdhënieve përmes shkëmbimeve të përbashkëta sipas motos së INTOSAI-t “Experentia mutual omnibus prodest” (Nga eksperienca e përbashkët fitojnë të gjithë). Në konferencën e nivelit të lartë të Institucioneve Supreme të Auditimit, përveç kreut të KLSH, ishin edhe drejtorja e përgjithshme Lindita Milo dhe eksperti Fatos Cocoli.